Situata me KOVID-19 dhe vaksinimin në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe vendet tjera të rajonit

Të gjitha vendet e rajonit kanë ashpërsuar masat në mënyrë që të përmbajnë përhapjen e coronavirus-it dhe nga ana tjetër të vijojnë programin e vaksinimit.

Një nga masat më të përgjithshme të marra ka qenë ai i kufizimit të lëvizjeve dhe udhëtimeve në vende të caktuara – si Britania e Madhe ku është shfaqur një variant i ri i virusit. Ndërkohë jo të gjitha shtetet kanë nisur me vaksinimin – nga rajoni, përveç Kroacisë dhe Greqisë (anëtare të BE-së), kanë nisur vaksinimin vetëm Serbia dhe Shqipëria.

Euronews Albania sjell një përmbledhje të masave që ka ndërmarrë vendi ynë, shtetet e Ballkanit Perëndimor si dhe situata për sa i përket procesit të vaksinimit ku vendet që i janë besuar vetëm porgramit COVAX kanë mbetur prapa për sa i përket nisjes së procesit.

Shqipëria
Autoritetet shqiptare kanë diagnostikuar deri më sot rreth 68 mijë raste me COVID-19, 60% e së cilave janë mundur të shërohen, 38% mbeten ende me mbartje të virusit ndërsa rreth 2% nuk ia kanë dalë mbanë.

Prej 11 janarit ka nisur zyrtarisht programi i vaksinimit. Programi nisi me 957 vaksina të dhuruara nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Qeveria e Edi Ramës ka deklaruar se priten edhe rreth dy mijë vaksina të mbërrijnë brenda muajit janar, ndërsa paralelisht në fillim të muajit shkurt pritet që të mbërrijnë ngarkesat e para të porosisë prej 500 mijë vaksinave me kompaninë amerikane Pfizer.

Shqipëria pret gjithashtu nga mekanizmi COVAX, program ky i mbështetur prej BE-së dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të vijnë edhe vaksina të tjera, – për një total 800 mijë vaksina. Qeveria Rama ka premtuar se një pjesë të dozave do t’ia dhurojë Kosovës për sistemin e saj shëndetësor.

Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës është rihapur për të gjitha vendet më datën 9 dhjetor, mirëpo një javë përpara Krishtlindjes, për shkak të përhapjes së mutacionit të ri të COVID-19 në Britani të Madhe, u vendos kufizim për linjat që fluturonin për atje dhe detyrim për t’u vënë në karantinë dyjavore për të gjithë udhëtarët që vijnë nga Britania.

Vendimi i pezullimit të fluturimeve me Britaninë u shty deri për më datë 1 shkurt 2021.

Prej datës 15 tetor maska është bërë e detyrueshme edhe në mjedise të hapura, ndërsa prej 11 nëntorit lëvizja dhe aktiviteti ekonomik për baret dhe restorantet është e kufizuar me oraret 06:00-22:00.

Kosova
Kosova mbetet në nivel alarmi për pandeminë e COVID-19 pavarësisht se statistikat janë me prirje treguesish në ulje. Në total autoritetet kanë pikasur rreth 56,500 raste me infeksion, prej së cilave 88% janë mundur të shërohen, 9.5% mbeten ende me mbartje të virusit ndërsa 2.5% nuk ia ka ndalë mbanë.

Të gjitha udhëtimet e nevojshme për në Kosovë dhe për jashtë Kosovës, këshillohen të shmangen. Udhëtarëve – me përjashtim nga Shqipëria – u duhet një test negativ për COVID-19 të jo më vonë se 72 orë nga udhëtimi.

Prej muajit nëntor është vendosur e ashtuquajtura “orë policore” për lëvizjet, ndërsa prej 22 dhjetorit dyqanet, kafenetë, baret, restorantet dhe hotelet janë të kufizuara në aktivitet vetëm në oraret 05:00-20:00.

Për sa i përket vaksinave anti-Covid, aktualisht Kosova nuk ka nisur ende programin e vaksinimit. Qeveria e Avdullah Hotit ka mundur të nënshkruajë marrëveshje direkte me kompaninë Pfizer për rreth 535 mijë vaksina të cilat priten të vijnë në muajin shkurt.

Paralelisht priten që doza vaksinash të vijnë edhe nga Austria dhe nga programi COVAX, ndërkohë që vaksina janë premtuar për t’u dhënë edhe nga Shqipëria.

Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të prekura nga pandemia e COVID-19 në Evropë. Autoritetet kanë pikasur në total rreth 89 mijë raste, prej së cilave 82.3% janë mundur të shërohen, 14% mbeten me mbartje të virusit, ndërsa rreth 3% e tyre nuk ia kanë dalë mbanë.

Pas një periudhe gjendjeje të jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë deri më 21 janar, në Maqedoninë e Veriut lëvizja dhe aktivitetet e përditshme janë të kufizuara në oraret 06:00-21:00 – kafenetë, baret dhe restorantet deri në orën 18:00, pas datës 21 janar ky orar do të shtyhet deri në 21:00.

Më 30 dhjetor Shkupi vendosi të heqë pezullimin e linjave ajrore nga Britania e Madhe.

Qeveria e Zoran Zaev ka dakordësuar me kompaninë Pfizer për të marrë rreth 400 mijë vaksina, të cilat priten të mbërrijnë në muajin shkurt. Paralelisht vaksina janë zotuar për t’u marrë me ndërmjetësim me Serbinë, Bullgarinë, Greqinë, Austrinë madje edhe me Kinën, në pritje të rreth 400 mijë vaksinave të tjera nga mekanizmi COVAX.

Mali i Zi
Autoritetet malazeze kanë pikasur në total rreth 55,800 raste me COVID-19, prej së cilave 82% janë mundur të shërohen, 16.4% mbeten me mbartje të virusit ndërsa 1.6% nuk kanë mundur t’ia dalin mbanë.

Qeveria e Zdravko Krivokapiç ka vijuar kufizimin e lëvizjeve me orar 22:00-05:00. Më 12 janar Mali i Zi hoqi kufizimin e udhëtimeve me Shqipërinë duke lejuar udhëtarët që të kalojnë pa kërkuar rezultate analizash për COVID-19 – kufizimi qe vendosur prej muajit nëntor.

Për sa i përket vaksinave anti-Covid, programi i vaksinimit nuk ka nisur ende. Mali i Zi duket se po i beson vetëm programit COVAX. Pritshmëritë ishin që vaksinimi të niste brenda muajit janar. Qeveria malazeze ka deklaruar se nga marrëveshja e nënshkruar në tetor me COVAX të marrë vaksina sa për rreth 20% të popullsisë – rreth 250 mijë vaksina.

Serbia
Autoritetet serbe kanë pikasur në total mbi 375 mijë raste me COVID-19. Zyrtarisht nuk ka të dhëna të plota për të shëruarit, pasi një pjesë nuk hospitalizohen, mirëpo në total raportohet se vdekshmëria ka qenë vetëm 1% e të prekurve.

Qeveria e Ana Brnabiç ka vendosur detyrimin për të provuar negativitetin e COVID-19 me një test të jo më vonë se 72 orëve për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Serbi – me përjashtim të udhëtarëve që vijnë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina.

Në Serbi aktivitetet e bareve, restoranteve, qendrave tregtare dhe dyqaneve të shërbimeve janë të kufizuara me orar deri në orën 17:00, ndërkohë që në fundjavë vendoset kufizim i plotë – përjashtim bëjnë farmacitë dhe dyqanet e ushqimeve. Mbajtja e maskës është bërë me detyrim edhe në mjediset e hapura.

Për sa i përket vaksinës, Serbia nisi zyrtarisht programin e vaksinimit më 24 dhjetor, 293 ditë pas pikasjes së rastit të parë me COVID-19 dhe mbetet vendi më në pararojë për sa i përket vaksinimit në rajon. Kryeministrja Barnabiç tha se dozat e para erdhën nga një kontraktim direkt me kompaninë Pfizer në Shtetet e Bashkura të Amerikës, prej nga ku priteshin rreth 10 mijë vaksina.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se në total janë siguruar 1.8 milionë doza nga organizmi COVAX, ndërkohë që janë siguruar marrëveshje edhe me Rusinë dhe Kinën për vaksinat Sputnik V dhe Sinofarm.

Të dielën në Beograd mbërritën rreth 1 milionë doza nga Kina dhe 250 mijë priten të vijnë këtë javë nga Rusia.

Bosnje e Hercegovina
Autoritetet boshnjake kanë pikasur rreth 118 mijë raste me COVID-19, prej së cilave 73% janë mundur të shërohen, 23.3% mbeten me mbartje të virusit ndërsa 3.7% nuk kanë mundur t’ia dalin mbanë.

Në tërësi kufijtë janë të hapur pa detyrim paraqitjeje analizash për COVID-19 për udhëtarët nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërkohë që për vendet e tjera kërkohet testi i kryer jo më vonë se 48 orë – nuk ka detyrim vendosjeje në karantinë.

Baret, restorantet dhe kafenetë – njësoj si pjesa dërrmuese e sipërmarrjeve të tjera – janë të mbyllura me oraret nga 23:00-05:00. Ndërkohë maska është e detyrueshme për t’u mbajtur edhe në mjedise të hapura.

Për sa i përket vaksinës anti-Covid në Sarajevë zyrtarisht nuk ka nisur programi i vaksinimit. Qeveria federative e Faduk Bivakuç ka deklaruar dakordësimin me organizmin COVAX për rreth 1,2 milionë vaksina, të cilat priten të vijnë brenda tre muajve të parë të vitit 2021.

Autoritetet kanë vijuar negociatat edhe me vende të tjera për të marrë vaksina sa më shpejt. Në dhjetor pati deklarata nga diplomatë rusë në Sarajevë se po diskutohet mundësia për të marrë brenda muajit shkurt vaksina Sputnik V.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button