Qendra analitike e koalicionit ASH – AAA promovoi platformë për mobilizimin e qytetarëve për problemin e mos marrjes së nënshtetësisë (VIDEO)

Qendra analitike e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternative, promovoi sot platformën shtetësia,mk, përmes së cilës ka për synim që të ndihmojë qytetarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët edhe përkrah faktit që kanë aplikuar për nxjerrjen e këtij dokumenti, janë refuzuar, shkruan Portalb.mk.

Bashkim Bakiu nga kjo qendër analitike, gjatë promovimit tha se, për shkak të kësaj anomalie ligjore, fatkeqësisht Maqedonia e Veriut parandalon që banorët në territorin e saj të kenë qasje në të drejtat themelore civili, sociale, ekonomike e politike.

“Përkundër faktit se Maqedonia e Veriut është nënshkruese e konventave të rëndësishme përmes sistemit të mbrojtjes së të drejtave të Këshillit të Evropës, si dhe deklaratës universale të të drejtave të njeriut të OKB-së, të cilat në formë eksplicite përcaktojnë se të gjithë kanë të drejtë e nënshtetësisë, megjithatë faktet tregojnë se në territorin e vendit sot ka njerëz të cilët juridikisht të padukshëm ose njerëz pa shtetësi”, deklaroi Bakiu.

Sipas tij, me vetë faktin se ka persona pa shtetësi, është një tregues i mjaftueshëm që të dhënat kuantitative të personave pa shtetësi, nuk janë të harmonizuar dhe fatkeqësisht shteti nuk ka ndërmarrë hapa serioz për të përmirësuar kapacitetin e administratorëve për identifikimin dhe për të regjistruar personat pa nënshtetësi.

“Në këtë drejtim, ne do të ndërmarrim një proces gjithëpërfshirës për të identifikuar personat pa nënshtetësi në Maqedoninë e Veriut, përmes platformës shtetësi.mk. Përmes kësaj platforme ne duam të sensibilizojmë të gjithë publikun, të mobilizojmë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi i pa shtetësisë, ndërsa njerëzit që përballen me këtë problem të kenë qasje të drejtpërdrejt”, shtoi ai.

Ndërkohë, kryetar i Aleancës për Shqiptarë, Ziadin Sela, duke folur për ligjin për nënshtetësi që koalicioni ASH-AAA i ka propozuar Kuvendit, tha se ky propozim ligj ka për synim që të përmirësojë padrejtësitë që u janë bërë një numër të madh të qytetarëve, të cilët janë privuar nga e drejta për nënshtetësi.

“Elementi i parë që trajton ligji është që të përmirësojë një padrejtësi të krijuar në vitin 1991, me rastin e shpalljes së pavarësisë të Maqedonisë, kur të gjithë ne me automatizëm kemi marrë nga nënshtetësia e Jugosllavisë kemi kaluar në nënshtetësinë e Maqedonisë. Një pjesë e këtyre qytetarëve janë shkëputur, disa qindra mijëra dhe nuk u është dhënë nënshtetësia. Elementi i dytë që trajton propozim ligji për nënshtetësi, e bën më afër konventës evropiane për nënshtetësi, siç e thotë edhe ministri i Punëve të Brendshme në dokumentin e tij se ne kemi ndryshuar ligjin nga 15 e kemi bërë në tetë vite, në ndërkohë që sugjerimet e OKB-së dhe BE-së kanë qenë që të jetë poshtë 10 vite, sa e kanë vendet e tjera të BE-së. Nuk ka shtet në botë që e ka këtë afat më tepër se 5 vite. Tjetër ligji përdorimin e gjuhëve, që është element brenda për brenda ligjit për shtetësi në mënyrë që ai qytetari që vjen të dijë një gjuhë që përdoret këtu që të komunikojë me institucionet”, tha Sela.

Nga ana tjetër, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, tha se ata kanë propozuar ligjin dhe kanë ftuar publikisht të gjitha partitë shqiptare dhe maqedonase që jo ta pranojnë ligjin ashtu siç e kanë propozuar, por ta përmirësojnë së bashku.

“Ideja jonë nuk është që Aleanca dhe Alternativa të krekosen se kanë sjellë dhe kanë zgjidh një problem të shqiptarëve dhe të marrim pikë politike. Halli jonë është që të realizojnë një të drejtë elementare të qytetarëve të këtij vendi që të pajisen me nënshtetësi ata njerëz të cilëve shteti ua ka pamundësuar. Krejt ideja jonë qëndron këtu, bazohet te e drejta elementare që një njeri i cili plotëson kushtet që të ketë shtetësi, kanë lindur këtu. I ftojmë të gjitha partitë politike që të mos e pengojnë këtë ligj por ta përmirësojmë këtë ligj. Ne jemi të gatshëm që çdo amendament, çdo propozim që e kanë, të ulemi bashkërisht ta bëjmë ligjin sa më i mirë që mund të bëhet. Kjo qasja e refuzimit që i bëhet këtij ligji është vërtetë për keqardhje”, deklaroi sot Gashi.

Propozim ligji i ri për nënshtetësinë e Maqedonisë së Veriut, i propozuar nga grupi parlamentare ASH – AAA, parasheh lehtësim të procedurës së marrjes së këtij dokumenti, në krahasim me rregullat dhe procedurat e deritanishme. Qytetarëve që kanë jetuar në Maqedoninë e Veriut në kohën e Jugosllavisë ose janë lindur në Maqedoni, pavarësisht vendit të prejardhjes dhe kanë jetuar këtu deri më 8 shtator 1991, t’u mundësohet të marrin nënshtetësi, njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare sipas Kushtetutës, janë disa prej lehtësimeve që parasheh propozim ligji për nënshtetësi.

Ndërkohë, platforma e promovuar sot është platformë kombëtare ku të gjithë qytetarët, pa dallim, do të kenë mundësi të paraqesin problemin e tyre për marrjen e shtetësisë. Synimi i kësaj platforme është grumbullimi i informacioneve nga qytetarët të cilët ballafaqohen me problemin e marrjes së shtetësisë, tani 30 vjet, që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut.  Informacionet e qytetarëve, kjo qendër, do t`i grumbullojë, përpunojë, seleksionojë dhe në fund do të bëjë një analizë profesionale, e punuar nga ekspert juridik.

Të gjitha të dhënat personale dhe dokumentet e grumbulluara në këtë platformë, do të jenë konfidenciale dhe në përputhshmëri me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe do të shërbejnë vetëm si bazë për analiza profesionale statistikore gjatë debatit për ndryshimet e ligjit për shtetësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button