fbpx

Kosovë, të akuzuarit e rastit “Veteranët” u shpallën të pafajshëm

Të gjithë të akuzuarit për rastin e njohur në opinion si “Veteranët” janë shpallur të pafajshëm të martën nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mirlinda Gashi, zëdhënëse në këtë gjykatë.

Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2018, kishte ngritur aktakuzë, të cilën e kishte dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Në këtë rast, të akuzuar ishin ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, më pas Faik Fazliu, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Edhe avokati Arianit Koci, që ka mbrojtur të akuzuarin Shkumbin Demalijaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se “ të gjithë të personat e përfshirë në këtë rast janë shpallur të pafajshëm dhe janë liruar nga të gjitha aktakuzat”.

Ata ishin akuzuar për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-Prokurori Special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria e Shtetit kishte thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori mund të jetë deri në 19 mijë persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button