fbpx

Këto janë televizionet më të shikuara dhe radioja më e dëgjuar vitin e kaluar në RMV

Televizionet nacionale “Sitel”, “Kanal 5” dhe “MTV 1” kanë qenë më të shikuarat nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut në vitin 2020, thuhet në Raportin vjetor për vitin 2020 për shkallën e përhapjes së radio stacioneve dhe për pjesëmarrjen në shikueshmërinë e përgjithshme të televizioneve, të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA).  Të dhënat e fituara për vitin 2020 bazohen në sondazhe që janë bërë në nivel nacional në katër tremujorët e vitit të kaluar, me ç’rast është fituar mesatarja e shikueshmërisë, njofton Portalb.mk.

Në pyetjen “cilat kanale të vendit dhe të huaja që i keni ndjekur dje?”,  të intervistuarve janë përgjigjur si vijon:

  • 52.29% – “Sitelin”
  • 47.97%“Kanal 5”
  • 30.25%servisin e parë të Televizionit të Maqedonisë (TVM)
  • 24.43%- “Telmën”
  • 22.15%,- “Alfën”
  • 18.16%- “Alsat-M”
  • 14.67%- 24 Vestin“

Sa i përket numrit të qytetarëve të cilët vitin e kaluar kanë shikuar televizion, në pyetjen nëse dje keni shikuar televizion, përgjigje pozitive kanë dhënë 77.4% e qytetarëve, ndërsa 22.6% prej tyre kanë thënë që nuk kanë shikuar televizion. Nga të dhënat mund të vërehet që vitin e kaluar, gratë kanë shikuar më shumë televizion se meshkujt, maqedonasit kanë qëndruar më shumë para ekraneve televizive se shqiptarët, ndërsa një e treta e të rinjve nga mosha 10 deri 29 vjeç kanë deklaruar që nuk shohin televizion. Përkundër kësaj, shikues më lojal të televizioneve janë personat mbi moshën 50-vjeç.

Sipas sondazhit të realizuar në nivel nacional, qytetarët janë përgjigjur që në televizion më së shpeshti ndjekin lajme (41,6% e të intervistuarve), program informativ (25,7%) dhe program zbavitës dhe/ose muzikor (7,1%).

Duhet të përmendet që ndër kanalet e huaja televizive, vitin e kaluar më të shikuar kanë qenë “Fox” dhe “National Geographic“, kurse “Radio-televizioni i Serbisë” dhe “Pink” janë më të shikuarit nga shtetet fqinje.

Përndryshe, të dhënat nga Raporti vjetor tregojnë që radioja po shndërrohet në media që dëgjohet gjithnjë e më pak nga qytetarët e vendit. Në pyetjen e kanë dëgjuar radio gjatë ditës së djeshme, vetëm 20,3% e të intervistuarve në vend kanë dhënë përgjigje pozitive, ndërsa 79,7% kanë thënë që nuk kanë dëgjuar asnjë radio stacion.

“Antena5”, “Kanal 77”dhe “Radio stacioni i Maqedonisë” kanë qenë stacionet më të dëgjuara në vitin 2020. Në pyetjen “a mund të më thoni cilat radio stacione i keni dëgjuar dje më gjatë se 1 minutë?”, 7,4% e të intervistuarve në nivel nacional janë përgjigjur se e kanë dëgjuar “Antena 5”, 5,5% “Kanal 77”, kurse 4,1% e kanë dëgjuar “Radio stacionin e Maqedonisë”.

Hulumtimi në vitin 2020 është realizuar në mostër përfaqësuese në nivel nacional, me ç’rast mostrën e përgjithshme për katër tremujorët e kanë përbërë 9.610 të intervistuar. Në sondazh është shfrytëzuar pyetësor gjysmë i strukturuar, ndërsa sondazhi është realizuar duke aplikuar intervistë telefonike me ndihmë të kompjuterit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button