RMV, festa e “Ujit të Bekuar”, këtë vit pa hedhjen tradicionale të kryqit

Për herë të parë këtë vit, festa e krishterë “Uji i bekuar”, pritet të kalojë pa hedhjen tradicionale të kryqit të shenjtë, për shkak të epidemisë së kovid-19, njofton Portalb.mk.

Në vend të kësaj, kjo festë e madhe e krishterë, sipas njoftimeve, do të shënohet me liturgji të shenjta në kishat dhe oborret e tyre.

Deri vitin e kaluar, festa qendrore mbahej në Shkup, ku kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit z.z. Stefani e hidhte kryqin e shenjtë në ujërat e lumit Vardar. Ngjarja tërhiqte një numër të madh turistësh në Ohër, ku kryqi hidhej në liqen, por edhe atje këtë vit nuk do të zhvillohet kjo ceremoni.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, në prag të festës u bëri thirrje qytetarëve dhe bashkësive fetare që të respektojnë masat dhe rekomandimet. Policia, siç tha ai, do të jetë lart në detyrë, ndërsa ai që nuk do të ndjekë rekomandimet, do të mbajë përgjegjësi.

Ai tha se gjatë kohës së festës policia do të jetë me aktivitete të shtuara, janë organizuar edhe plane të posaçme për të parandaluar tubimet, kurse janë zhvilluar bisedime edhe me KOM-in.

“Unë pres që ditën e nesërme të jemi në lartësinë e detyrës. Sigurisht, ai që nuk do të respektojë do të mbajë përgjegjësi”, theksoi Spasovski.

Ceremonia e kapjes së kryqit viteve të kaluara është mbajtur edhe nëpër shumë vendbanime të tjera në të gjithë Maqedoninëe Veriut.

Sipas besimtarëve ortodoks hedhja e kryqit do të thotë bashkimi me Krishtin dhe besohet se ai që arrin të kap kryqin do ta ndjek mirëqenia, shëndeti dhe fati gjatë gjithë vitit. Kjo festë lidhet me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan dhe Shën Jovani, i cili atëherë quhej Pagëzuesi.

Dita e hedhjes së kryqit – 19 janari, që tradicionalisht organizohet në shumë qytete të Maqedonisë, në pajtim me Ligjin për festa të Maqedonisë është ditë jopune për besimtarët ortodoks.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button