Portugalia shpreson që konferenca e parë ndërqeveritare me RMV-në të mbahet deri në korrik

Portugalia, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, shpreson që mosmarrëveshja me Sofjen të zhbllokohet në gjysmën e parë të këtij viti dhe se do të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Sekretarja portugeze e shtetit përgjegjëse për BE-në, Ana Paula Zakariash, i tha MIA-s se vendi i saj, i cili mban presidencën e BE-së deri më 1 korrik të këtij viti, shpreson që mosmarrëveshja me Sofjen të zhbllokohet dhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

Zakariash tha se zgjerimi i BE-së është prioritet për presidencën portugeze, e cila mori kryesimin më 1 janar dhe do të zgjasë deri në 30 qershor. Ajo shtoi se kontaktet janë duke u zhvilluar me të dy palët – Shkupin dhe Sofjen – për të gjetur një zgjidhje të mosmarrëveshjes dypalëshe që po pengon hapjen e negociatave me BE.

Në të njëjtën kohë, Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski tha se asnjë shtet anëtar i BE-së nuk duhet të rrezikojë të ardhmen evropiane të popullit tonë duke bërë kërkesa irracionale. Nga ana tjetër, Kryeministri Zoran Zaev tha se fokusi në bisedimet me Bullgarinë deri në përfundimin e zgjedhjeve atje do të jetë në Planin e Aksinar, i cili do të pasohet nga zhvillimi i bisedimeve në nivelin politik.

Ndërkohë zyrtarët portugez nuk janë me qëndrim të unifikuar sa i përket kësaj çështjeje.

Derisa ministri i Jashtëm portugez Augusto Santos Silva, doli me qëndrim të ngjashëm të ssekretares së këtij shteti, kur tha se Portugalia do të përpiqet të organizojë konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në gjysmën e parë të vitit, ambasadori i tyre në Bashkimin Evropian  tha se Lisbona zyrtare do të jetë e kujdesshme në çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe se “nuk është në rregull të akuzohet Bullgaria për pengimin e procesit, sepse pikërisht ai shtet është një nga mbështetësit më të fortë të zgjerimit të BE-së”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimt, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në prill, kështu që me gjasë vendimi, nëse nuk ndodh siç paralajmërojnë disa zyrtar portuges, ndoshta do të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button