ABAZHURET E TMERRIT

Ecnin dy paramilitarët Jovani dhe Slloba rrugës që e ndante fshatin në dy lagje, e epra dhe e poshtmja. Jovani ishte më i madh me moshë, kurse Slloba më i ri, po pak më i gjatë. S’kalonte rrugëve. Një pjesë e fshatarëve kishte ikur në mal nga zullumi i ushtarëve, policëve e paramilitarëve serbë. Të rrallët që kishin mbetur, rrinin të mbyllur. Jovani e hoq automatikun nga supi dhe e pyeti kolegun. “A ulemi pak”?. “Ulemi”, ia ktheu Slloba dhe shtoi: “edhe pak më lart, pas asaj kthesës”, tha duke treguar me gisht, “është një dyqan. Po shkojmë atje. Ulemi para dyqanit e pimë ndonjë biurrë e freskohemi. Është dyqani i atij shqiptarit, Luigj.

A të kujtohet Luigji”? “Jo”. “Është enigmatik”, tha Slloba, “por unë do ta zbërthej këtë enigmë”. Jovani nuk e pyeti pse. Pastaj iu afruan dyqanit. “Hapur qenka”! tha Jovani. “Luigj, a je ti”! e thërriti Slloba në gjuhën shqipe. Luigji doli dhe pa i përshëndetur, siç priste Jovani, i cili ishte nga Hercegovina, tha: “Urdhëroni” tha Luigji, kurse Slloba e tërhoqi kah dera e dyqanit ulësen e gjatë për dy veta që qëndronte para dyqanit dhe shtoi: “Luigj”, na e nxirr atë tavolinën prej plastike”! Zërin e kishte me ton urdhërues. Luigji e nxori tavolinën dhe e vendosi heshtazi para dy paramilitarëve. Pastaj u kthye në dyqanin e tij të vogël. Dimër ishte, mirëpo nuk ishte ftohtë. Luigji e ndezi një cigare dhe u ul në karrigen e tij. “Dy birra, Luigj”! bërtiti Slloba.

Luigji i çoi birrat, i hapi. Përsëri u ul në karrigen e tij. Pastaj dy paramilitarët i cakërruan shishet, kurse Slloba tha: “Zhiveli”! “Zhiveli”, ia ktheu Jovai. Dhe, ia nisën bisedës. Flitnin serbisht. Luigji, i cili kishte punuar disa vjet në Zarë ishte i rralli në fshat që e dinte serbishten. Pastaj një vesh e bëri dy dhe heshtazi e dëgjonte. Jovani e pyeti kolegun e tij: “Epo, Sllobo, ka ditë që s’jemi parë. Tregomë si keni kaluar”. Slloba e vendosi automatikun me grykë drejt derës së hapur, kah Luigji. Sigurisht t’ia bëjë me dije epërsinë e tij. Dhe, ta ketë nën kontroll ndonjë befasi eventuale. Pastaj tha: “I pe ata kolegët tonë atje, te livadhet, në hyrje të fshatit”? “Po”. Kemi pasur një aksion të veçantë dje në fshatin Ashtë, nja gjysmë ore prej këtu”. “A gjetët ndonjë terrorist”? pyeti Jovani. “Gjetëm… Po këta të gjithë janë terroristë. Madje edhe gratë i kanë terroriste”! iu përgjigj Slloba. Pastaj e nxori paketën me cigare dhe i ofroi një mikut të tij e Luigji i cili e kishte përballë Sllobën e pa që e vuri buzën në gaz me cinizëm dhe shikoi pastaj kah Luigji.

Pastaj me një gjakftohtësi të paparë vazhdoi t’ia tregonte Jovanit një ngjarje të paparë e të padëgjuar të cilën vështirë se mund ta dëgjonte kush në këtë botë jallane. E thithi cigaren, pastaj e fryu tymin duke e bërë rrathë-rrathë ngase rreth tyre mbretëronte një qetësi e madhe thuajse ishte ndalur koha, ajri nuk lëvizte e nuk dukej as ndonjë zog të fluturonte mbi fshat. “Dalim ne, mendoj çeta jonë në fshat”, tha Slloba. “I gjetëm nja dhjetë terroristë. Shtatë i likuiduam me një batare. Tre i lamë gjallë. Të tregojnë. Ta dëgjojnë të tjerët se s’ka bir nëne që mund ta kthejë pushkën kah serbi. Serbi është kafshatë e madhe për këta njerëz të fëlliqur!… Marsh, u thamë atyre treve dhe ata ia mbathën. Le të shkojnë në rrotë të s’amës, tha komandanti ynë. Le të shkojnë atje e le të rrëfejnë për trimërinë serbe, le të tregojnë se me ne të zihesh nuk është lojë! Dhe, ata të tretë thyen qafën! Ne vazhduam rrugën! Një qetësi e paparë e kaploi atë fshat. Nuk dëgjohej asgjë, përveç hapave tonë! Thuajani një kënge trima! tha komandanti. Ne ia nisëm një kënge për Millosheviqin! Dhe, po shkojmë rrugës drejt një suke. Nga lartë dha krye një njeri. Kur u afrua, e njoha. Këtu jam rritur. Ai me siguri ka menduar të ikë, por në atë rast nuk do t’u shpëtonte plumbave tonë. Prandaj eci drejt nesh, me ndonjë shpresë se do ta lëshojmë. Kur u afrua ky terrorist qeshi, për të na bërë me dije se nuk është ndonjë armik yni.

Unë ia pashë dhëmbët e arit. Unë i thashë komandantit: Dragan, ky është imi! Komandanti qeshi. Po ta fal, tha. Pastaj ne e rrethuam. Steva (a e njeh Stevën?), e kontrolloi. Ia mori kuletën, i nxori dokumentet dhe ia dogji. Ku po shkon ti? e pyeti komandanti. Në shtëpi, tha shqiptari. U zbeh në fytyrë, kurse zëri i dridhej. Po kur foli, ia pashë përsëri dy dhëmbët e arit. Epo, mendova, do të bëj diçka të veçantë me këtë hajvan. Yti është, më tha komandanti. Bën çfarë të duash me të! Iu afrova, ia rrëzova plisin me një shuplakë. Plisi u rrokullis tatëpjetëzës nëpër pluhur. E vura re se ishte humbur i tëri. E merrte me mend ndoshta se këtu përfundonte udha e tij e parëndësishme jetësore…” , tregonte Slloba duke e ilustruar rrëfimin e tij me gjeste. “A e lëshove”? pyeti Jovani.

“Jo. Ia ngjita për flokësh dhe nisa ta tërheq. Kur, ai si bisha të m’u vërsul. Dy-tri herë më goditi me grushte. Njëri nga çeta jonë kërceu dhe deshi ta rrëzojë. Ai e shtyu edhe atë. Lëshuan disa veta dhe ia lidhëm duart pas shpine. Ia lidhëm edhe këmbët. “Çka të bëj me të”? pyeta. “Të thashë”, ma priti komandanti, “bën çfarë të duash”. Unë e nxora nga çanta thikën e mprehtë… Hanxharin tim, tha Slloba.. “Ja këtë”! “Pastaj?” e pyeti Jovani. “Pastaj e thera! Komandanti më tha: Hidhe atë kokë le të rrokulliset si ai plisi i tij i mallkuar! Jo, se kjo kokë më duhet, komandant! Bën çfarë të duash, më tha komandanti. Vazhduam edhe pak deri te një shtëpi e një terroristi gastarbajter në Gjermani, shtëpi e madhe ku e kishim vendosur bazën. “Pastaj”? pyeti Jovani. “Pastaj e zjeva në një kusi. A do ta hash? më pyeti atëherë njëfarë Nemanja. Jo, i thashë. Tash do ta thaj në diell dhe prej saj do të bëj një abazhur! “Kjo ishte e tërë historia”? e pyeti sërish Jovani Sllobën. “Jo, se m’u kujtua ime shoqe. Edhe asaj do t’i duhet një abazhur, mendova. E pyeta komandantin a mund të m’i japë nja dy shokë të bëjmë një inspektim nëpër fshat. Komandanti prapë më tha: Bën çfarë të duash dhe qeshi. I mora me vete Jezdën dhe Zhivadinin nga Shumadia dhe u nisa. Derë më deri kërkuam, shtëpitë kishin mbetur zbrazur. Dëgjohej ndonjë lehje e qenve të mbetur lidhur kur terroristët kishin ikur nga ne. Më në fund e gjetëm një grua. Në oborrin e saj ishte një varr. Te kryet e varrit ajo qante. Çka është ky varr? e pyeta”, tha Slloba.

“Është varri i tim shoqi, që e vratë ju”! “Kape Jezdo”! i thashë kolegut. Ai ia ngjiti. E kapërcyem të tretë dhe pastaj edhe atë e lidhëm këmbë e duar. Edhe asaj ia mora kokën dhe e zjeva, e lashë të thahet në diell dhe tash i kam të dy kokat. Kur t’i gjunjëzojmë këta pisa terroristë, do t’i kem trofetë që s’i ka marrë kush. Unikate!”, tha Slloba. Luigjit që e dëgjoi këtë hata i erdh njëherë të vjellë, por e mblodhi veten. “Bisha”! tha vetë me vete. U mundua që ta bëjë një plan që mos të shkonte aq lirë nga hanxhari i Sllobos. Përfund tavolinës së tij e kishte një revole të mbushur. Po të nisen, helbete, mendoi Luigji, do t’i vras. Por, në atë çast erdhi një grup paramilitarësh dhe komandanti i urdhëroi të niseshin shpejt, sepse ishin alarmuar se do t’i sulmonte aviacioni i NATO-s. Dhe Jovani e hodhi shishen e të dytë ia dhanë vrapit pas çetës së paramilitarëve me nishane çetnikësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button