Është prolonguar seanca e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

Seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila ishte planifikuar që të mbahej më 25 janar, është anuluar për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Këtë e konfirmoi për Portalb.mk zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha, i cili tha se, menjëherë pas formimit të qeverisë, do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës.

“Mbledhja e përbashkët në mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ishte paraparë të mbahet në fund të këtij muaji, me kërkesë të palës kosovare e njëjta nuk do të realizohet për shkak të situatës politike në Republikën e Kosovës, përkatësisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë të caktuara me 14 shkurt.  Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve,  do të vazhdohet me komunikimet e ndërsjella për definimin e datës së mbajtjes së kësaj mbledhje, në të cilën pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të përbashkëta në sfera të ndryshme që janë interes të qytetarëve të të dyja vendeve”, deklaroi Hoxha.

Ai më tej e konfirmoi se gjatë, kësaj seance do të nënshkruhet shumë marrëveshje, mes të cilave edhe marrëveshja për pikë të përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë.

“Dakordimi për të mbajtur mbledhjen e përbashkët erdhi pas takimit që u zhvillua  vitin e kaluar në mes zëvendëskryeministrit  të parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut Artan Grubit  dhe zëvendëskryeministres së Republikës së Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj të cilët deklaruan se në mbledhjen e përbashkët do të nënshkruhen disa  marrëveshjesh në fusha të ndryshme”, tha Hoxha.

Ai nuk ka dhënë më tepër detaje për marrëveshjet e tjera të cilat do të nënshkruhet gjatë kësaj seance.

Qeveria i angazhoi ministritë që deri më 12 dhjetor të dorëzojnë propozime për çështje të mundshme, tema për diskutim, marrëveshje dhe memorandum që do të jenë në rend të ditës në seancën e përbashkët qeveritare.

Ndërkohë, në seancën e 26-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u miratua vendimi për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët qeveritare ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button