RMV, gjysma e popullsisë ka qenë në kontakt me koronavirusin, gjasa të ulëta për kulm të ri të epidemisë

Rreth gjysma e banorëve të Maqedonisë tashmë kanë pasur kontakt me virusin, thotë epidemiologu, Dr. Dragan Danillovski, prandaj edhe numri i rasteve të reja po zvogëlohet. Zgjatja e orëve të punës së lokaleve mund të jetë e parakohshme, por kjo nuk do të sjellë rritje drastike të numrit të të infektuarve, thotë ai.

Zgjatja e orëve të punës në objektet hotelerike mund të jetë e parakohshme, pasi epidemia nuk është mposhtur ende, por nuk ka gjasa të shkaktojë rritje të madhe të numrit të pacientëve me koronavirus, pasi rreth gjysma e popullsisë tashmë ka pasur ndonjë lloj kontakti me virusin dhe numri i njerëzve me imunitet është i madh, thotë epidemiologu, mjeku Dragan Danillovski në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe para disa ditësh njoftoi se ishte vendosur që nga 21 janari të zgjaten orët e punës në objektet hotelerike deri në orën 21, në vend se deri në orën 18 siç është tani dhe nëse përmirësohet situata, mund të shqyrtohet kërkesa e hotelierëve për të zgjatur orarin e punës deri në orën 23:00.

Profesori Danillovski thotë se numri i pacientëve ka shënuar rënie gjatë gjithë dhjetorit, kishte ngecje nga 3 deri në 11 janar dhe tani po bie përsëri. Numri i njerëzve në spitale është gjithashtu në rënie, megjithëse numri i të vdekurve po stagnon, thotë ai. Situata tani është e favorshme dhe provokon relaksim, por tashmë kemi një përvojë negative me lehtësimin e parakohshëm të masave, thotë Danillovski dhe thekson se duhet edhe pak durim.

“Ndoshta masat nuk duhej të ishin relaksuar, por u bë ç’u bë, tani do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk besoj se do të ketë ndonjë rritje spektakolare të numrave edhe me rritjen e vogël të numrit të rasteve të reja, me atë disi në mënyrë proporcionale shkon edhe rritja e numrit të vdekjeve, kështu që është për të ardhur keq për ata që do të largohen. Duhet të tregojmë pak më shumë durim. Ja dalëngadalë do të vijë edhe vaksina. Rreth gjysma e popullsisë në vendin tonë ka qenë praktikisht në kontakt me virusin. Ne në fakt po përballemi me epideminë në mënyrë natyrale. Virusi është tashmë shumë i vështirë arrin deri te viktima të reja, ne duhet të durojmë vetëm edhe pak”, thotë Danillovski, duke theksuar se kjo vlen me kusht që në Maqedoni të mos shfaqet ndonjë mutacion i rrezikshëm i virusit.

Gjatë kulmit në mes të nëntorit në Maqedoni ka pasur mesatarisht mbi 1100 raste të reja në ditë, ndërsa tani ka tre herë më pak. Në disa vende të Evropës Perëndimore, festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri kanë sjellë një rritje të re të numrit të rasteve, por ka ndikuar edhe mutacioni i ri koronavirusit, i zbuluar në Britaninë e Madhe, dhe ky virus përhapet shumë më shpejt. Informacionet fillestare thonë se vaksina është efektive edhe ndaj atij mutacioni. Por derisa të vijnë vaksinat, Maqedonia është në rrugën e arritjes së imunitetit kolektiv, thekson Danillovski.

“Do të vijmë në situatë analoge si me gripin sezonal. Ata me sëmundje kronike, mbi moshën 65 vjeç, do të mbeten të pambrojtur dhe të rrezikuar, do të ekspozohen dhe do të rrezikohen edhe disa profesione specifike, siç janë punonjësit shëndetësorë, kështu që kur vaksinat të vijnë këtu, situata do të jetë e ngjashme si me gripin sezonal, do ta them përsëri që vetëm ata duhet të vaksinohen”, thotë Danillovski.

Filipçe tha se gjatë Vitit të Ri qytetarët kryesisht i kanë respektuar masat mbrojtëse dhe kjo është arsyeja përse festat e Vitit të Ri nuk shkaktuan rritje të numrit të personave të infektuar. Numri i të shtruarve në spital tani është zvogëluar, kështu që ai njoftoi se klinika për otorinolaringologji dhe oftalmologji nga java e ardhshme nuk do të pranojnë pacientë me kovid-19, por do të kthehen në punën e rregullt.

Qeveria kufizoi orët e punës së lokaleve më 18 dhjetor, për të kufizuar grupime rreth festave të Vitit të Ri. Nga e enjtja, objektet hotelerike do të mund përsëri të punojnë deri në orën 21:00, por pronarët e kafeneve po kërkojnë që të lejohen të punojnë deri në orën 23:00.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button