SHOQËRIA E RREZIKUT

Bota është shndërruar në një spital gjigand ku, të gjithë, në këtë ose në atë mënyrë, jemi të sëmurë

          Fjalia që do ta përshkruante në mënyrë më plastike aktualitetin tonë është kjo: „Sot, njerëzimi është më i rrezikuar dhe më i kërcënuar se çdoherë.“ Është koha e riaktulizimit të termit të zhvilluar nga Ulrich Beck-u dhe Anthony Giddens-i që kallëzon një shoqëri gjithnjë e më tepër të preokupuar me debatimin, parandalimin dhe menaxhimin e rreziqeve që i ka prodhuar. Risk society shënon shoqërinë e organizuar në bazë të rrezikut që i kanoset, të përgatitur për t’iu përgjigjur rrezikut të mundshëm, që jeton me histerinë dhe politikën e frikës së kurdisur dhe acaruar nga mediat. Është kjo një teori madhore që ka të bëjë me kalimin nga shoqëria moderne industriale në një erë të re që dallohet për nga rreziqet teknologjike. (Baxter, 2020) Sipas Giddens-it, shoqëria e rrezikut është e shqetësuar për të ardhmen (dhe sigurinë) që gjeneron nocionin e rrezikut. Risku në shoqëritë e tilla mund të përkufizohet si mënyrë sistematike e ballafaqimit me pasiguritë e shkaktuara nga modernizimi, të cilat ndryshojnë organizimin shoqëror. Ka rreziqe si kataklizmat natyrore, që kanë gjithherë efekte negative mbi popullatën njerëzore, por këto shkaktohen nga fuqi mbinjerëzore, mbinatyrore.

Rreziqet moderne dhe emocioni i fuqishëm i frikës (powerful emotion of fear) janë fryt i veprimtarisë njerëzore, si rasti i Çernobilit e Fukushimës, të cilat e dëmtojnë “besimin” në projektin modern, në industrinë, qeverinë dhe ekspertët. Rreziqet bartin efektin e bumerangut, mund t’i dëmtojnë edhe vetë shkaktuesit e tyre. Personat e pasur, fabrikantët që me uzinat e veta ndotin ajrin, në fund do ta pësojnë edhe vetë. Por sipas Beck-ut, në shoqërinë e rrezikut duhet bërë dallim mes rreziqeve ekologjike e atyre financiare, të cilat mund të merren si efekte anësore, dhe kërcënimeve terroriste si katastrofa të qëllimshme; në këtë shoqëri parimi i cenueshmërisë së shoqërisë civile zëvendëson atë të gjasave dhe aksidentit. Sipas tij, shoqëria e rrezikut ballafaqohet me një problem të vështirë: vendimmarrjen për jetë a vdekje, për paqe e luftë, që ka reflektimet e veta në korniza botërore-globale meqë jetojmë në epokën e shoqërisë së rrezikut global, të pasigurisë radikale të botës moderne. Radikalizmi i modernitetit prodhon ironinë fundamentale të rrezikut: shkenca, shteti dhe ushtria janë bërë pjesë e problemit të cilin duhet ta zgjidhin. (Beck, 1992: 21-23).

Shoqëria e rrezikut, që ndryshe quhet edhe e “prodhimit dhe distribuimit gjithnjë e më të madh të të këqijave” (growing production and distribution of bads), nuk kufizohet vetëm me rreziqet mjedisore dhe shëndetësore, përfshin edhe një sërë të ndryshimeve të ndërlidhura në kuadër të jetës shoqërore bashkëkohore si format e ndryshuara të punësimit, pasigurive në punë, zbehjen e traditës dhe zakoneve, erozionin e familjes tradicionale, demokratizimin e relacioneve ndërpersonale etj. Rreziqet e epokës tonë, kur edhe shkenca është feudalizuar, nuk janë të kufizuara vetëm me një shtet, ato kanë ndikim mbi të gjitha klasat dhe shoqëritë, kanë konsekuenca globale jo personale. Në këtë kontekst klasa e humb peshën e vet, logjika e klasës zëvendësohet nga ajo egalitare e shpërndarjes së këtij fenomeni, të gjithë si racë jemi në anijen e njëjtë.

Kur flasim për këtë temë duhet nënvizuar se Ulrich Beck-u, një “zeitgeist sociolog” është shkencëtari shoqëror më i madh gjerman pas Jürgen Habermas-it, profet i pasigurisë dhe pandemisë dhe asaj që vjen më pas. Vepra e tij Shoqëria e rrezikut (1986) është përkthyer në 35 gjuhë dhe vetëm në Kinë janë gjeneruar rreth 8000 artikuj nëpër revistat akademike rreth kësaj sintagme. Ai ka argumentuar gjithëprezencën e kërcënimeve të gjera në nivel global, anonime dhe të padukshme si emërues të përgjithshëm të kohës sonë: “Fati i rrezikimit është shtuar në modernitet, një lloj ky i kundër-modernitetit që i kapërcen të gjitha konceptet e hapësirës, kohës dhe diferencimit social. Atë që dje ka qenë larg, sot dhe në të ardhmen do ta kemi para dere.” Çështja është si ta drejtojmë këtë botë, këtë njerëzim.

Beck-u i cilësuar nga Adam Tooze (2020) nga Universiteti Columbia si “sociologu që mund të na shpëtojë nga Koronavirusi” pohon se vala e parë e modernizimit është çuar përpara nga një vullnet për kapërcimin e traditës dhe nënshtrim të natyrës nga shkenca dhe teknologjia. Por në fund të shekullit XX u kuptua se energjitë, veglat e njëjta sot janë burim jo vetëm i emancipimit por edhe i vetërrezikimit (self-endargement). Ky është moderniteti i dytë apo refleksiv kur sfida është që shkenca, teknologjia dhe debati demokratik të krijojnë një kontekst më pozitiv.

Premisat e tezës për shoqërinë e rrezikut janë këto: (1) shkalla dhe potenciali për katastrofë rritet; (2) ka humbje besimi tek ekspertët dhe shkenca për të parashikuar dhe mbrojtur njerëzit nga risqet; (3) erozion i konsensusit të ekspertëve në lidhje me menaxhimin e kërcënimeve teknologjike; (4) siguria jonë ontologjike në botë është lëkundur ndërkohë që institucioneve si shteti i mirëqenies dhe sigurimi personal nuk mund të na mbrojnë më. (Baxter, 2020)  

Rreziku i shekullit XXI kaplon edhe mikro planin: individin. Një nga sfidat më të mëdha të kohës janë sëmundjet shçirtërore, mendore, përhapja e tyre marramendëse që e bëjnë njeriun shumë të brishtë dhe të thyeshëm. Harku i psikozave, stresit, depresionit e cilëson njeriun modern si qenie vulnerabile. Çdo ditë e më tepër dëgjojmë për njerëz të sëmurë mendërisht, të tendosur e të rraskapitur që s’e mbajnë dot barrën e obligimeve dhe të kohës. Jeta e kohës sonë është shndërruar në një hapësirë rreziku. Bota është shndërruar në një spital gjigand ku, të gjithë, në këtë ose në atë mënyrë, jemi të sëmurë. Dheu rreth këmbëve tona dita ditës po bie. Sëmundjet që dikur ishin të largëta, që kishin përfshirë vetëm vendet e hipeindustrializuara, sot janë prezente edhe në mjediset tona. Tanimë nuk jemi të sigurt askund, në asgjë: kur jemi në vetmi, kur e prekim kapësen e derës, në kafe, në market, në autobus, kur përshëndetemi… Dikur frikësoheshim vetëm nga avioni, sot nga gjithçka, madje edhe nga buka dhe kosi që e hamë sepse kanë aditivë. Lëvizja drejt një shoqërie të tregut si “transformimi i madh” (Polanyi 2001) dhe dehumanizimi i sistemit kanë lëkundur qenien tonë, e kanë bërë rrezikun një kancer global. Me maskë a pa maskë nuk jemi të sigurt! Maska shenjon besimin te shkenca e medicinës por shfrytëzohet edhe për grabitje të artarive (Atv). Covid-19 e konfirmoi teorinë e Beck-ut për shoqërinë e rrezikut, ku nuk ndihmon as sub as mikro, as globalpolitika.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button