RMV, një deputet është infektuar me Covid-19, Kuvendi nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës

Një deputetë nga LSDM ka dalë pozitiv me korona virus dhe një tjetër është testuar dhe priten rezultatet për të. Koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski në fillim të seancës së 30-të për të cilën akoma nuk është vërtetuar rendi i ditës, tha se kjo është arsyeja se pse nuk mund të sigurohet kuorum për punë prej 61 deputetëve, shkruan Portalb.mk.

Ai akuzoi opozitën se me mospjesëmarrjen e sotme në seancë tregon sjellje jo shtetërore, veçanërisht se, siç tha, në këtë seancë mes tjerash, janë edhe ndryshimet e ligjit për ilaçe, që kanë të bëjnë me vaksinimin kundër Covid-19.

“Opozita ka interesa të tjera të ngushta partiake dhe personale, që të paraqitet pasqyrë e keqe e shtetit, për çka pasojat i vuajnë institucionet dhe shteti. Për këto arsye, opozita bllokoi miratimin e rregullores për seanca online me qëllim që të mund të bllokojë punën e Kuvendit”, tha Mitrevski.

Ndaj kësaj ka reaguar koordinatori i VMRO – DPMNE-së, Micevski i cili theksoi se, mos prezenca e opozitës në seancë është rezultat i sjelljes jo demokratike të shumicës në Kuvend.

“Fatkeqësisht kemi një koleg pozitiv dhe një koleg i cili pret rezultate të cilëve u dëshirojmë shëndet të mirë dhe kthim sa më të shpejtë në ulëset e deputetëve, por ajo për të cilën flasim nga fillimi po tregohet në vepër, sepse me 62 deputetë silleni sikur të keni 100. Përderisa nuk e ndryshoni mënyrën dhe sjelljen me opozitën, përderisa zgjidhjet ligjore nuk vendosen në komisionet amë dhe derisa i shmangeni debatit demokratik, do të hasni në rezistencë në pajtueshmëri me veglat që i kemi në dispozicion”, tha Micevski.

Pas diskutimit të dy deputetëve, kryeparlamentari, Talat Xhaferi ndërpreu seancën me arsyetimin se nuk ka mundësi të rregullores për punë.

Në lidhje me mungesën e opozitës, Xhaferi tha se ajo që deputetët refuzojnë të hyjnë në seancë edhe pse janë të nënshkruar, është e drejtë e tyre legjitime. Vazhdimi i seancës do të caktohet kur të krijohen kushte për kuorum.

Në këtë seanca, në rend dite mes tjerash, është edhe interpelanca punën e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov. Interpelanca është dorëzuar nga më shumë se 30 deputetë nga partitë opozitare në Kuvend.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka vërejtje për Dimitrovin, pasi me mos shkuarjen e tij  në diskutimin e komisionit, ka treguar sipas tyre, mosrespekt të Kuvendit. Sekretariati për Çështje Evropiane është pasiv dhe pa llogaridhënie për 100 ditët e para, ndërsa arsye e tretë për interpelancën është hutia e opinionit me pretendimin e Dimitrov se Maqedonia ka vendim për fillim të negociatave.

Nga LSDM kanë thënë se, interpelanca e Dimitrov do të jetë disfatë e re për VMRO-DPMNE-në e dëshpëruar. Partia në pushtet kujton se, opozita edhe para dy viteve ngriti interpelancë për të njëjtin ministër, por për atë votuan vetëm 20 deputetë dhe pret që ashtu të jetë edhe këtë vit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button