fbpx

Filipçe: Kemi reaguar me kohë për blerjen e vaksinave, të gjitha vendet kishin probleme për t’i marrë

Janë siguruar dy frigoriferë për ruajtjen e vaksinave kundër kovid-19 dhe është bërë plani për vaksinim i cili, siç thotë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, do të fillojë në shkurt. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar që kanë arritur pjesë e frigoriferëve në të cilat duhet të ruhen vaksinat “Fajzer”, njofton Portalb.mk.

Muajin e ardhshëm nga “Fajzer” do të arrijnë 5.850 doza të siguruara nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta, kurse nga 17.500 doza në mars dhe prill. Gjithashtu vendi duhet të fitojë vaksina edhe nëpërmjet Kovaks sistemit përkatësisht 833.000 doza, ndërsа Filipçe thotë që dozat e para edhe nga ata, do të mbërrijnë muajin e ardhshëm, është bërë pagesa dhe është siguruar garanci përkatëse.

Megjithëse Maqedonia e Veriut është ndër vendet e rralla në Evropë ku vaksinimi ende nuk ka filluar, Filipçe konsideron që nëpërmjet të gjitha mekanizmave është reaguar dhe komunikuar me kohë. Nga shtetet fqinje  që nuk janë në BE, vaksinimi kundër kovid-19 tani më po zhvillohet në Serbi dhe Shqipëri.

“E shohim që kjo është një çështje e cila disi është problematike për të gjitha vendet në Evropë. Të gjitha vendet edhe nga Bashkimi Evropian fituan shumë më pak nga që ishte planifikuar. Ky është shkaku përse ai mekanizëm i tretë i solidaritetit vonohet, për shkak se ata nuk mund t’ia lejojnë vetes të ndajnë tani në këtë fazë, sasi të caktuar. Para asaj paralajmëruan që kjo do të ndodhë në muajt pas marsit. Sa për ilustrim, nga 230 mijë dozat e paralajmëruara në fillim të vitit, Austria ka pranuar 23 mijë. Që nënkupton se vet kompania “Fajzer” e cila për momentin është e vetmja që ka vaksinë të aprovuar nga dy trupat më të mëdhenj rregullator për kontroll të ilaçeve, ballafaqohet me sfidë për t’i zmadhuar kapacitetet e saj”, thotë Filipçe.

Në Ministrinë e Shëndetësisë është përgatitur plani për vaksinim dhe tërësisht janë përgatitur entet shëndetësore dhe qendrat për shëndet publik në gjithë shtetin për t’i ndërmarrë dhe aplikuar vaksinat. Në grupin e parë janë punonjësit shëndetësorë që punojnë me kovid-pacientë, të punësuarit në laboratorët ku bëhet diagnostikë, personat nën përkujdesje në shtëpitë për persona me nevoja të veçanta dhe personat më të moshuar nga grupmoshat mbi 70 vjet që kanë komorbiditete. Në grupin e dytë janë punonjësit tjerë shëndetësorë, të punësuarit në infrastrukturën kritike – mësimdhënësit, të punësuarit në kopshtet për fëmijë, gazetarët dhe kuptohet pacientët e grupmoshave tjera që kanë sëmundje kronike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button