Hapja e kapitujve

Në artikullin e fundit diskutuam për negociatat e anëtarësimit dhe në përgjithësi fazat që duhet një shtet t’i kalojë deri në procesin e mbylljes së kapitujve me Bashkimin Evropian (BE). Ashtu siç kemi nënvizuar, negociatat e anëtarësimit nuk mund të fillojnë derisa të gjitha qeveritë e shteteve anëtare të BE-së të pajtohen në formë të një vendimi unanim nga Këshilli i BE-së mbi kornizën ose mandatin për negociata me vendin kandidat.

Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet Konferencë Ndërqeveritare. Për Konferencën Ndërqeveritare kemi dëgjuar shumë gjatë vitit 2020, kur Maqedonia e Veriut duhej të fillonte përfundimisht hapjen e kapitujve me BE-në por, momenti u ndërpre nga bllokada bullgare.

Në detaje, negociatat me BE-në nën secilin kapitull bazohen në elementet si vijon: Kontrolli – Komisioni Evropian (KE) kryen një ekzaminim të hollësishëm së bashku me vendin kandidat, të secilës fushë të politikave ose kapitujve për të përcaktuar se sa mirë është i përgatitur vendi. Gjetjet sipas kapitullit paraqiten nga KE shteteve anëtare në formën e një raport progresi. Përfundimi i këtij raporti është një rekomandim i Komisionit për të hapur negociata ose për të kërkuar që së pari të plotësohen disa kushte para se të fillojë hapja e kapitujve me unionin.

Pozicionet negociuese – para se të fillojnë negociatat, vendi kandidat duhet të paraqesë pozicionin e tij dhe këtu BE-ja duhet të miratojë një qëndrim të përbashkët. Për shumicën e kapitujve, BE përcakton standardet përmbyllëse të cilat duhet të përmbushen nga vendi kandidat përpara se të mbyllen negociatat në fushën e politikave. Për kapitullin 23 dhe 24, Komisioni aktualisht ka propozuar që në të ardhmen këta kapituj të hapen në bazë të planeve të veprimit, me standarde të përkohshme që duhen përmbushur bazuar vetëm në zbatimin e tyre para se të caktohen standardet e mbylljes së kapitujve.

Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përafrimit me ligjet e BE-së nga secili shtet. Kohëzgjatja e negociatave mund të ndryshojë dhe kjo nuk është një garanci se negociatat do të përfundojnë në kohë, pasi varen nga shumë faktorë. Asnjë negociatë për asnjë kapitull individual nuk mbyllet derisa çdo qeveri e BE-së të jetë e kënaqur me përparimin e kandidatit në atë fushë të politikës. Procesi i negociatave përfundon vetëm pasi të jetë mbyllur çdo kapitull i anëtarësimit.

Kur jemi tek traktati i pranimit, ai i përmban kushtet e hollësishme të anëtarësimit, të gjitha marrëveshjet kalimtare dhe afatet, si dhe detaje të rregullimeve financiare dhe çdo klauzolë mbrojtëse të marrëveshjeve. Traktati nuk është përfundimtar dhe detyrues derisa të fiton mbështetjen e Këshillit të BE-së, Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe të nënshkruhet nga vendi kandidat dhe përfaqësuesit e të gjitha shteteve të BE-së dhe natyrisht të ratifikohet në fund nga shteti kandidat dhe çdo shtet anëtarë i BE-së.

Sidoqoftë, pasi të nënshkruhet traktati, kandidati bëhet një vend aderues. Kjo do të thotë që pritet të bëhet një anëtare e plotë e BE-së në datën e përcaktuar në traktat, me kusht që traktati të jetë ratifikuar nga shtetet anëtare. Në ndërkohë, ai shtet që sapo ka nënshkruar traktatin me BE-në, përfiton disa të drejta të veçanta, si të qenit në gjendje të komentojë mbi projekt propozimet e BE-së, rekomandimet ose iniciativat mbi agjencitë e BE-së por jo të ketë të drejtën e votës.

Procesi i veçantë për Ballkanin Perëndimor nga BE-ja, zhvillohet brenda një kornize të veçantë të njohur si “Procesi i Stabilizimit dhe Asocimit”. Kur një shteti i ofrohet mundësia e anëtarësimit kjo do të thotë se duhet t’i ofrohet statusi zyrtar i kandidatit kur të jetë gati. Procesi i ndihmon vendet e interesuara të ndërtojnë kapacitetin e tyre për të miratuar dhe zbatuar ligjin e BE-së, si dhe standardet evropiane. Ai bazohet në një partneritet gjithnjë e më të ngushtë, në ndihma ekonomike dhe financiare, ndihmë për rindërtimin, zhvillim dhe stabilizim. Pra kjo është një marrëdhënie e gjerë kontraktuale me BE-në, që përfshin të drejta dhe detyrime të ndërsjella.

Maqedonia e Veriut përveç kapitujve tjerë duhet t’i kushtojë vëmendje Kapitujve 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe gjyqësorin dhe 24-ta me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Në kapitullin e 23 thuhet:“Politikat e BE-së në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore synojnë të mbajnë dhe zhvillojnë më tej Bashkimin Evropian si zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Krijimi i një gjyqësori të pavarur dhe efikas është i një rëndësie të madhe. Paanësia, integriteti dhe një standard i lartë i gjykimit nga gjykatat janë thelbësore për mbrojtjen e shtetit ligjor. Kjo kërkon një angazhim të vendosur për të eleminuar ndikimet e jashtme mbi gjyqësorin dhe për të përkushtuar burimet e duhura financiare dhe trajnimin. Garancitë ligjore për procedurat e gjykimit të drejtë duhet të ekzistojnë. Në mënyrë të barabartë, shtetet anëtare duhet të luftojnë korrupsionin në mënyrë efektive, pasi ai përfaqëson një kërcënim për stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. Kërkohet një kornizë solide ligjore dhe institucione të besueshme për të mbështetur një politikë koherente të parandalimit të korrupsionit. Shtetet anëtare duhet të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore dhe të drejtave të qytetarëve të BE-së, siç garantohet nga “Acquis-i” dhe nga Karta e të Drejtave Themelore”. Kurse Kapitulli i 24 është pak më specifik. “Politikat e BE-së synojnë të mbajnë dhe zhvillojnë më tej Bashkimin Evropian si zonë e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë. Për çështje të tilla si kontrolli i kufirit, vizat, migrimi i jashtëm, azili, bashkëpunimi policor, lufta kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit, bashkëpunimi në fushën e drogës, bashkëpunimi doganor dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile, shtetet anëtare duhet të jenë të pajisura për të zbatuar në mënyrë të përshtatshme kornizën e rregullave të përbashkëta. Mbi të gjitha, kjo kërkon një kapacitet të fortë dhe të integruar administrativ brenda agjencive të zbatimit të ligjit dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme. Një organizatë policore profesionale, e besueshme dhe efikase është e një rëndësie të madhe. Pjesa më e detajuar e politikave të BE-së mbi drejtësinë, lirinë dhe sigurinë është “Acquis”-i i Shengenit, e cila përfshin heqjen e kontrolleve të kufijve të brendshëm në BE. Sidoqoftë, për shtetet e reja anëtare, pjesët thelbësore të Acquis-it të Shengenit zbatohen pas një vendimi të veçantë të Këshillit që merret pas aderimit”.

Hapja e kapitujve me BE-në është e një rëndësie të veçantë për çdo shtet, andaj qytetarët e Maqedonisë së Veriut me padurim e presin këtë proces të evropianizimit por që kërkon ndryshime rrënjësore në qeverisje, sjellje dhe shumë përgjegjësi institucionale dhe shoqërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button