RMV, në verën 2020 vdekshmëria ishte rritur për 15% krahasuar me verën 2019

Numri i vdekjeve në tremujorin e tretë të vitit 2020 (korrik, gusht dhe shtator) u rrit me 15.3 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019 dhe arriti në 5.419 njerëz. Sipas të dhënave paraprake nga Enti shtetëror i statistikave, gjithsej, kanë vdekur 719 njerëz më shumë krahasuar me verën e vitit 2019. Gjatë asaj periudhe, janë regjistruar 437 vdekje nga kovid-19, transmeton Portalb.mk.

Numri më i lartë i vdekjeve të regjistruara në lidhje me ndërlikimet e kovid-19 ishte në nëntor dhe dhjetor – 1.506 njerëz, tregojnë shifrat zyrtare nga Ministria e shëndetësisë. Sidoqoftë, Enti shtetëror i statistikave ende nuk ka të dhëna për numrin e përgjithshëm të vdekjeve në nëntor dhe dhjetor të vitit 2020 dhe ato për nëntorin i pret më së shpejti për dy javë, por ato të dhëna do të jenë paraprake dhe jo të plota. Për krahasim, në të njëjtit dy muaj të vitit 2019, kur nuk kishte kovid-19, kanë vdekur gjithsej 3.298 njerëz, tregojnë të dhënat nga Enti shtetëror i statistikave.

Nga shifrat paraprake që tashmë dihen për vitin 2020, nga janari deri në shtator në Maqedoni kanë vdekur 15.584 njerëz, që është për 144 më shumë se në të njëjtën periudhë në vitin 2019. Që nga shtatori i vitit 2020, sipas shifrave zyrtare nga Ministria e shëndetësisë, 743 njerëz kanë vdekur nga ndërlikimet në lidhje me kovid-19.

Numri i vdekjeve në tremujorin e parë të vitit 2020 u ul me 9.4 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019 dhe arriti në 5.101 njerëz. Pot, në këtë periudhë (janar-mars) kishte vetëm 11 vdekje nga kovid-19, dhe vdekja e parë nga kovid-19 u regjistrua më 21 mars.

Në tremujorin e dytë (prill-qershor) të vitit 2020 ka një rritje të numrit të vdekjeve për 3 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019 dhe është 5.064 njerëz. Në këtë periudhë, janë regjistruar 295 vdekje nga kovid-19, dhe sipas të dhënave të Entit shtetëror të statistikave, ka 149 vdekje më shumë se e njëjta periudhë në 2019.

Për krahasim, në Shtetet e Bashkuara, sipas shifrave paraprake, 3.2 milion njerëz vdiqën në vitin 2020, që është 400,000 më shumë se në 2019. Kjo është një rritje prej 15 %, rritja më e madhe e përqindjes që nga viti 1918, kur dhjetëra mijëra ushtarë amerikanë vdiqën në Luftën e Parë Botërore dhe qindra mijëra Amerikanë nga pandemia e gripit. Atë vit numri i të vdekurve u rrit me 47 % në krahasim me 1917.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button