fbpx

Mobiliet e urbane – pjesë e identitetit urban të qytetit

Ngadhnjim Mehmeti

Javët e fundit Komuna e Tetovës, më në fund, pas 8 vitesh, vendosi në disa pika të qytetit stacionet e autobusëve urbanë. Zakonisht këta stacione, në çdo qytet, janë pjesë tërësisë së mobilieve urbane, ku me dizajnin unik të tyre, bashkë me arkitekturën, bëhen pjesë e pandashme e identitetit dhe imazhit të atij qyteti. Në vende të ndryshme të botës organizohen edhe konkurse për dizajnin e mobilieve urbane ose stacionet jepen në partneritet publik-privat, që mund të shfrytëzohen njëkohësisht edhe si hapësira reklamuese.

Sot, në qytete të ndryshme të botës, shfaqen mobilie urbane me dizajne bashkëkohore, sa futuriste aq edhe ambientaliste, që nga panelet solare e deri te botanika eksperimentale. Ndërsa sot, në vitin 2021, stacionet e reja të autobusëve urbanë në Tetovë janë aq të shëmtuara, sa na kthejnë në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, pra të një qyteti të lënë pasdore nga tranzicioni. Ata na shfaqen si konstruksione metalike-plastike të shëmtuara, larg çdo kriteri funksional dhe estetik. Me një shtyllë në mes, që se gjen në stacionet e qyteteve tjera; në vend të xhamave sheh panelin plastik – leksan, nga më të lirët në treg, që të mjegullon pamjen. Pa hyrë në dyshimet për koston e lartë, gati pesëfish më tepër nga vlera reale, sa nuk ka nevojë edhe për njohuri profesionale për të vlerësuar se Komuna e Tetovës, me qasjen amatore për këtë projekt, ka humbur rastin që qytetit t’i lë gjurmë me shije urbane.

Sot në Tetovë përballemi me konfliktualitetin urbanistik, i cili konsumon përditë të ardhmen dhe na shpërfytyron qytetin. Kemi dhunim të estetikes – të bukurës. Jemi dëshmitarë të heshtur në rrënimin e pakontrolluar të hapësirave publike dhe planeve të korruptuara urbanistike. Hapësirat e gjelbra uzurpohen dhe betonizohen nga mafia e ndërtimit, ndërkaq pjesët e vjetra të qytetit shkatërrohen.

Në Tetovë e drejta për qytet është e privuar. Pa u bërë shumë vonë, atë duhet ta kthejmë në duart tona.

This slideshow requires JavaScript.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button