Kuvendi vazhdoi edhe sot diskutimin rreth ligjit për regjistrim, shumica parlamentare e vendosur të miratojë ligjin edhe pa përkrahjen e VMRO-së

Partia në pushtet, LSDM është e vendosur që të miratohet ligji për regjistrimin e popullsisë, edhe përkrah kundërshtimit të VMRO-DPMNE-së. Opozita kërkon që në regjistrim të përfshin vetëm shtetasit rezidencë që kanë jetuar në vend 12 muajt e fundit, në ditën kur realizohet regjistrimi, shkruan Portalb.mk.

Ajo po ashtu, kërkon që të definohet cilat dokumente do të pranohen, cilat baza të të dhënave do të shfrytëzohen, që të bëhet dallim mes banesës dhe vendbanimit, të ketë formular në letër dhe jo vetëm elektronik, të ketë dy regjistrues të drejtpërdrejt në vend të një. Sipas partisë, është kontestuese edhe pse nuk publikohet metodologjia e nënshkrimit dhe pse LSDM është kundër terminaleve për gjurmë të gishtit.

Ndërkohë, sot në Kuvend ka vazhduar dita e tretë e diskutimit rreth këtij propozim ligji. Deputeti nga VMRO – DPMNE, Aleksandar Veljanovski, gjatë fjalimit të tij tha se bëhet fjalë për një ligj të keq, ligji i cili është kontradiktor dhe lë hapësirë për manipulim.

Aleksandar Veljanovski

“Tre ditë në këtë foltore i tregojmë argumentet, tre ditë flasim për këtë propozim ligj për regjistrim dhe si opozitë dëshirojmë të vëmë në dukje faktin se bëhet fjalë për një ligj të keq, ligj i cili lë hapësirë për manipulim, ligj i cili është kontradiktor dhe tre ditë bëjmë thirrje nga kjo foltore që ky ligj të tërhiqet, të përpunohet që të mund të miratojmë një ligj të qëndrueshme për regjistrim i cili do të miratohet me konsensus të gjerë shoqëror dhe politik”, tha ai.

Kërkesat e VMRO-DPMNE-së

  • Propozimi për regjistrim me ndihmën e terminaleve për leximin e gjurmëve të gishtave, është ai i cili mund të garantojë operacion statistikor për regjistrimin e popullsisë rezidente, e cila në këto momente ndodhet në Maqedoni.
  • Shumica parlamentare menjëherë të tërheqë ligjin për regjistrim nga diskutimi parlamentar dhe të organizojë debat brenda partiak dhe brenda shtetëror në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.
  • T’i unifikojë të gjithë aktorët politikë, të gjithë faktorët shoqëror, që të mund të vijmë deri në zgjidhje konsensuale, si duhet të duket ky operacion statistikor i regjistrimit.
  • Nëse kjo nuk ndodh, atëherë VMRO-DPMNE do të mobilizohet së bashku me qytetarët dhe do t’i dorëzojë iniciativë njësive rajonale të Ministrisë së Drejtësisë, për mbledhjen e nënshkrime për propozim ligj që do të dorëzohet në Kuvend, për anulim të këtij ligji.

Nga ana tjetër, deputetja nga LSDM, Lidija Tasevska deklaroi para fillimit të seancës së sotme plenare se, ligji do të miratohet, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës maqedonase.

Lidija Tasevska

“Në Kuvend, para deputetëve është ligji për regjistrim të popullsisë, ligj me të cilin krijohet hapësirë që këtë pranverë të zbatojmë regjistrim në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare, në pajtueshmëri me regjistrimet e Eurostat.  Ky ligj bazohet në transparencën e procedurave dhe proceseve për realizimin e regjistrimit, neutralitet dhe objektivitet në të gjitha fazat e regjistrimit, pavarësi profesioniste e organeve kompetente, shfrytëzim i bazave shkencore në qasjen metodologjike dhe përgatitjes së rezultateve, si dhe besueshmëri dhe mbrojtje të të dhënave individuale nga regjistrimi”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se, LSDM ka marrëveshje me qytetarët që të zbatojmë regjistrim i cili do të sigurojë të dhëna të sakta dhe relevante.

“Është tërësisht e paqartë se pse Mickoski dhe VMRO – DPMNE e kundërtshtojnë ligjin, përpos nëse synimi i tyre nuk është që qëllimisht ta problematizojnë mbajtjen e regjistrimit në gjithë shtetin dhe edhe më tej të mos ketë të dhëna të cilat janë të rëndësishme për krijimin e politikave dhe strategjive afatmesme dhe afatgjata  I ftoj të gjithë deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe seriozitet dhe të mbështesin ligjin për regjistrim të popullsisë në këtë pranverë, pas pothuajse 19 viteve të zbatojmë këtë operacion të rëndësishëm statistikor”, deklaroi Tasevska.

Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk
Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nga ana tjetër, ndër të tjera ka kërkuar një transparencë më të madhe të regjistrimit, mundësinë që të shtyhet edhe afati në një afat rezervë prej 8 ditësh, që në zonat e njësisë ku nuk arrihet të kryhet regjistrimi të jepet afat shtesë. Por edhe këto kërkesa, të paraqitura në formën e amendamenteve, janë hedhur poshtë nga ana e shumicës parlamentare. Megjithatë, deputeti Syrija Rashidi nga ky koalicion, deklaroi për Portalb se edhe përkrah kësaj, nuk do ta kundërshtojnë ligjin për regjistrim të popullsisë si dhe zbatimin e këtij procesi.

“Ne jemi deklaruar se nuk jemi në parim kundër ligjit, as nuk jemi në parim kundër mbajtjes së regjistrimit sepse është një nevojë shumë e rëndësishme, është një obligim ligjor por edhe ndërkombëtar, aq më tepër që ky vend nga 2002 nuk ka pasur regjistrim dhe gjithsesi qëndrimin tonë do ta definojmë para votimit, por besoj se nuk do të jetë kundër votimit të ligjit për regjistrim”, deklaroi Syrija Rashidi.

Edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski ka komentuar rreth propozim ligjit për regjistrim të popullsisë, duke porositur që të mos ndizet zjarr me agjenda të fshehura, vendit i duhet regjistrim pa ndërhyrje politik.

Ai në një intervistë për MIA-n, deklaroi se, në këto hapësira regjistrimi ndërlidhet me operacion politik sepse akoma të drejtat e njerëzve shihen para së gjithash, përmes prizmit nacional, për çka vendit i duhet operacion statistikor pa ndërhyrje politike.

Stevo Pendarovski

“Na duhet deklarata konkrete se edhe pas ndërrimit të pushtetit, askush nuk ka për qëllim ta ndryshojë Kushtetutës, të na marrë të drejtat. Deri në këtë moment nuk kemi një deklaratë të tillë nga ndonjë aktor i rëndësishëm i skenës politikës, para së gjithash mendoj në opozitës.

Presidenti potencoi se, nuk ekziston terminologji politike e cila e përdor shprehjen bojkot të regjistrimit, rezultatet mund të mos pranohen, por nuk ekziston shprehje që të thirren qytetarët në bojkot të regjistrimit.

“Do të thotë, nëse ju tentoni me një retorikë të caktuar të tregoni se ne nuk jemi aq sa do të dëshmojë regjistrimi nesër dhe për këtë keni agjendë të fshehur politike, atëherë është e ndershme ta tregoni atë paraprakisht dhe jo pas regjistrimit, theksoi Pendarovski.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në regjistrimin e fundit, jetojnë 25.17 për qind shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, në veçanti nga partitë opozitare.

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, realizohen sipas Kushtetutës, bazuar pikërisht në përqindjen e tyre. Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Opozita maqedonase pretendon se shqiptarët përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë dhe kjo, sipas partisë VMRO-DPME, do të vërtetohej përmes një regjistrimi të drejtë të popullatës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button