Anëtarët e posazgjedhur të KShZ-së dhanë deklarata solemne para kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi

Anëtarët e sapoemëruar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, sot dhanë deklaratë solemne, para Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe Sekretares së Përgjithshme, Cvetanka Ivanova, njofton Portalb.mk.

Anëtarët e rinj të trupit më të lartë zgjedhor në shtet, janë: Aleksandar Dashtevski, kryetar; Ditmire Shehu – nënkryetare dhe anëtarët: Boris Kondarko, Oliver Ristovski, Radica Risteska, Boban Stojanoski dhe Krenar Loga.

Përbërja e re e KShZ-së në Kuvend u votua më 12 janar, me 95 vota për dhe asnjë kundër.

Në këtë përbërje janë edhe Boris Kondarko dhe Radica Risteska, të cilët janë mbështetur nga LSDM-ja dhe nga ish zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski. Anëtari i dytë i KSHZ-së i mbështetur nga KSHZ është Boban Stojanoski, jurist në Kuvend. Aleanca për Shqiptarët, e cila është në koalicion me Alternativën ka mbështetur kandidaturën e Krenar Llogës nga Struga. Kryetari i ri ka qenë anëtar i KSHZ-së para 15 viteve, ndërsa funksioni i tij i fundit ka qenë kryetar i komisionit për mbrojtje nga diskriminimi. Ai vjen në pozitën e kryetarit të deritanishëm, Oliver Derkovski.

Ndryshimet në strukturën udhëheqëse të komisionit u iniciuan pasi një grup i deputetëve të LSDM-së, BDI-së, Besës dhe Aleancës propozuan që të shpallet konkurs për zgjedhjen e kryetarit të ri, nënkryetarit dhe pesë anëtarëve të Komisionit, pasi mandati i përbërjes aktuale skadon më 15 janar.

Propozimi u paraqit nga koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së në pushtet, si dhe nga Kastriot Rexhepi nga Besa dhe Adnan Neziri nga partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, e cila pas zgjedhjeve të korrikut merr një vend në KShZ. Nga ana tjetër, Besa, si një parti e re në pushtet mbetet pa anëtar në KShZ.

Përbërja e propozuar me procedurë të shkurtuar mori dritë jeshile në komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime, më pas u dërgua në shqyrtim dhe votim para deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit.

Me votimin e përbërjes së re të komisionit edhe këtë herë, nuk u përmbush rekomandimi i Bashkimit Evropian që të formohet Komision Shtetëror Zgjedhor profesional dhe jopartiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button