RMV, Qeveria do të insistojë që të gjitha ndërtesat e paligjshme në Ohër të shkatërrohen

Draft raporti i UNESCO-s për Ohrin është një alarm i fortë për situatën në rajonin e Ohrit, i cili imponon nevojë jashtëzakonisht të madhe për nivelin më të lartë të angazhimit të të gjithë aktorëve për të eliminuar të gjitha rreziqet që e kërcënojnë Liqenin e Ohrit. Ky është një nga përfundimet nga takimi i kryeministrit Zoran Zaev me zëvendës kryeministrin për çështje ekonomike Fatmir Bitiqi, ministrat e kulturës, mjedisit jetësor dhe transportit e lidhjeve Irena Stefoska, Naser Nuredini dhe Bllagoj Boçvarski dhe Drejtorin e HM – Infrastruktura Hari Llokvenec, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në takimin, i iniciuar nga raporti më shqetësues i Misionit për rrezikimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, i cili është një hap para vënies në listën e trashëgimisë botërore në rrezik, u theksua se Qeveria do të insistojë në heqjen e të gjitha ndërtesave të paligjshme që paraqesin rrezik për rajonin e Ohrit, ndërsa Kryeministri Zaev e riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për të ruajtur statusin e trashëgimisë botërore të Ohrit, me qëllim të mbrojtjes së rajonit, sundimit të ligjit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Do të organizohen iniciativa me kryetarët e komunave të Ohrit, Strugës dhe Debarcës, që secili institucion menjëherë të marrë përgjegjësitë e veta, si dhe të zbatojë anulimin e të gjitha aspekteve të projekteve të dëmshme që janë trashëgimi e së kaluarës, siç janë projektet nga Subrata Roj dhe Qeveria deri në vitin 2016, Lubanishta 1 dhe 2”, informon Qeveria.

Për më tepër, Qeveria paralajmëron edhe aktivitete të koordinuara me Qeverinë e Shqipërisë për çështje me interes të përbashkët për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit dhe brezit të bregdetit. Instituti dhe Muzeu i Ohrit, Drejtoria për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, Drejtoria për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe institucionet e tjera në fushën e mbrojtjes së mjedisit do të shtohen me staf profesional, kurse pritet që edhe komunat ta bëjnë të njëjtën gjë në kompetencat e tyre.

“Koordinimi midis institucioneve kompetente do të vazhdojë me një ritëm të përshpejtuar dhe në UNESCO do të paraqitet përgjigje e përshtatshme në lidhje me draft-raportin alarmues, e pasi të përfundojë analiza e plotë, të gjitha gjetjet do të paraqiten para publikut nga kryeministri dhe të gjithë mbajtësit e tjerë të funksioneve publike”, kanë informuar nga  Qeveria.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button