Osmani – Dendias: Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë shembull për miqësi në Ballkan

Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë shembull për miqësi në Ballkan, kjo u konkludua në takimin e sotëm të ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Bujar Osmani dhe Nikos Dendias, që u zhvillua në Athinë, transmeton Portalb.mk.

“Fokusi i bisedimeve mes dy kolegëve, nga të dyja vendet, ishte vendosja e kornizës për aktivitetet e radhës të të dyja vendeve që vijojnë sipas Planit Aksional për bashkëpunim dhe zbatimin e Marrëveshjes për Partneritet Strategjik (të njohur si Marrëveshja e Prespës). Përskaj temave dominuese për intensifikimin dhe avancimit e bashkëpunimit ekonomik, përmes bashkëpunimit më të madh të Odave Ekonomike, në pjesën e infrastrukturës, për lehtësimet e lëvizjeve ndërkufitare të qytetarëve, energjetikës, u bisedua edhe për thellimin e mëtejmë të dialogut politik, për miqësinë dhe raporte të mira me fqinjët, si dhe politikat e ndërtimit të së ardhmes së përbashkët evropiane”, kanë njoftuar nga MPJ-ja.

Bujar Osmani, Nikos Dendias

Më tej në kumtesë thuhet se, Osmani gjatë këtij takim është shprehur se qëllimi i tyre është që ta kalojnë pragun e fqinjësisë së mirë, si narrativ politik korrekt, dhe të vendosin bazë për ndërtimin e një miqësie më të thellë afatgjate mes dy vendeve, si shprehje më e lartë e suksesit të politikës dhe diplomacisë.

Dy homologët biseduan edhe rreth integrimeve evropiane dhe aleanca në NATO, me ç’rast Osmani theksoi:

“Si fqinj i drejtpërdrejt, njëherësh edhe anëtare e BE-së, vlerësoj se është shumë e rëndësishme mbështetja parimore nga ana e Greqisë për nisjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut, pa vonesë. E çmojmë këtë përkrahje dhe vlerësoj si njërën prej imputeve kryesore në krijimin e miqësisë afatgjate mes dy vendeve. Në këtë drejtim dua të theksoj edhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përmes angazhimit mes dy shteteve për ruajtjen e hapësirës ajrore, që në masë të madhe kontribuon për avancimin e besimit mes dy vendeve në plan politik dhe të sigurisë”, tha ai.

Në drejtim të angazhimit të përforcuar të të dyja vendeve për pasurimin e bashkëpunimit bilateral, gjatë kohës së vizitës zyrtare të Osmanit në Greqi u nënshkruan tre Memorandume për mirëkuptim mes dy vendeve për bashkëpunim në fushën e investimeve dhe tregtisë së jashtme mes ndërmarrjeve “Greqia CA” dhe “Invest Maqedonia e Veriut”, për bashkëpunim mes Ministrive për Punë të Jashtme në edukimin e diplomatëve dhe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes civile.

Bujar Osmani, Nikos Dendias

“Në veçanti gëzohem që vizitën e sotme e kurorëzojmë me nënshkrimin e tre Memorandumeve të rëndësishme për bashkëpunim. Gjithmonë kam thënë se ekonomia dhe biznesi duhet t’u prijnë marrëdhënieve tona, obligim i yni është që përmes këtyre Memorandumeve, përmes bashkëpunimit politik, të krijojmë të gjitha kushtet për avancimin e mëtejmë të shkëmbimit tregtar, shkëmbimit në fushën e turizmit, investimet, si përfitim më i sigurt dhe më i kapshëm për qytetarët. Para nesh qëndrojnë projekte serioze infrastrukturore dhe energjetike: përmes ndërtimit të interkonjeksionit për përcjelljen e gazit, lidhjen e vendeve përmes gazsjellësit, rikonstruimin e naftësjellësit ekzistues, pjesëmarrje në ndërtimin e terminalit të gazit Aleksanderpolis, lidhjen hekurudhore, lidhjen rrugore dhe gjithsesi hapjen e pikave të reja kufitare në Markova Noga- Lemis dhe Majden – Promahoi”, potencoi Osmani.

Në agjendën e Osmanit në kuadër të vizitës zyrtare në do të jenë edhe takimet me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin alternativ për Çështje Evropiane, Miltiadis Varvitsiotis.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button