Kuvend: Qeveria e vendosur për zbatimin e regjistrimit, opozita për mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e ligjit

Deputetët dje filluan debatin për projektligjin për regjistrimin e popullsisë, ndërsa i njëjti do të vazhdojë sot në mesditë, kur është caktuar vazhdimi i seancës së 29-të. Zëvendës ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu, gjatë shpjegimit të ligjit që do të miratohet me procedurë të shkurtuar, tha se me të parashikohet që regjistrimi të kryhet nga 1 deri më 22 prill të këtij viti në 50 rajone regjistrimi dhe secili prej tyre do të ketë komision të veçantë, në të cilin do të respektohet përfaqësimi i drejtë, si edhe gjatë zgjedhjes së regjistruesve, njofton Portalb.mk.

Ai shpjegoi mënyrën se si me regjistrimin do të mbulohen persona që punojnë jashtë vendit.

“Personat që punojnë jashtë vendit, regjistrimin do ta kryejnë vetë, me një aplikacion të veçantë, i cili do të instalohet në faqen e internetit të Entit Shtetërore të Statistikave, nga 1 marsi deri më 21 prill 2021,” shpjegoi zëvendës ministri Nuhiu.

VMRO-DPMNE-ja opozitare kërkoi që projektligji të tërhiqej menjëherë nga debati parlamentar dhe të organizohej debat brenda-partiak dhe brenda-shtetëror me të gjithë faktorët shoqëror në mënyrë që të gjendet zgjidhje konsensuale se si të zhvillohej ky operacion statistikor.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tha se një ligj i tillë është i papranueshëm për ta dhe se do të votojnë kundër, sepse asnjë nga 26 amandamentet e tyre të paraqitura nuk është pranuar.

“Regjistrimi duhet të jetë operacion statistikor që duhet të japë numra për popullsinë rezidente dhe jo numrin e qytetarëve. Nuk është definicioni për vendbanim të përhershëm, të cilin duhet ta ketë çdo ligj i regjistrimit. Sipas rregulloreve të BE-së dhe KB-së, si popullsi rezidente konsiderohen ata që kanë jetuar në vendin e tyre të qëndrimit të zakonshëm për një periudhë të vazhdueshme prej të paktën 12 muaj para regjistrimit; dhe ata që kanë mbërritur në vendin e tyre të banimit të zakonshëm gjatë 12 muajve para regjistrimit me synimin që të qëndrojnë aty për të paktën një vit”, tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe veçanërisht shprehu pakënaqësi që propozimi i tyre nuk u pranua që regjistrimi të kryhet me gjurmët e gishtit.

Më vonë, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski njoftoi se partia e tij do të paraqesë iniciativë në Ministrinë e Drejtësisë për mbledhjen e nënshkrimeve për një projektligj që do të anulojë ligjin për regjistrim.

Nëse regjistrimi megjithatë realizohet, Mickoski tha se VMRO-DPMNE-ja nuk do t’i njohë rezultatet.

Ndryshe regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohet gjatë vitit 2020, por u prolongua për shkak se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe opozita e kërkuan një gjë të till, për vetëm disa muaj për shkak të pandemisë me covid-19.

Për realizimin e këtij procesi, planifikohet sigurimi i 5,650 paisjeve të reja.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoni është realizuar në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por nuk u realizua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button