Te Kodra e Lepurit në Shkup

Hov të madh kishte marrë ministri i Mjedisit, Abdilaqim Ademi. Si ishte nisur te Qeveria, haj-hajt, në vend që të ndalet pak tek ish-ambasada e SHBA-ve, ku ambasadori amerikan dhe ai gjerman i ishin gëzuar memorandumit për bashkëpunim midis Institutit të Albanologjisë dhe Institutit të Historisë Nacionale në Shkup, kishte mbërritur te Kodra e Lepurit, tek Enti Hidrometeorologjik, dhe kishte bërë tellallin që t’i pret këmbët: “disa parti kanë përgatitur skenarë ogurzinj për të dëmtuar fushatën e zgjedhjeve lokale 2013”. A thua ta ketë marrë këtë informatë nga katundari i tij, zëvendësministri i Brendshëm Zimri Qamili, por që është dashur ta thotë ky, si shef i Shtabit zgjedhor të BDI-së, po edhe si më i vjetër në Shemshovë në punët e Qeverisë?

Duke qenë se LSDM dhe VMRO “ranë dakord”, gjithsecili tha se mund të pritet një “lokal” më i qetë. Por, ku të lënë, se! Tek Enti Hidrometeorologjik e dinë me tamam se si përzihen mjegullat; ndoshta mund të ketë dëgjuar diçka edhe ministri ynë ose t’i ketë thënë komiti i parë: “boll më u përlamë ne maqedonasit; shikoni pak edhe ju shqiptarët…”

S’ka dyshim që “prognoza” ka një adresë dhe ajo është: PDSH (RDK nuk vjen parasysh). Me të vërtetë çudi e madhe! Njëra parti është me zgjedhje në Qeveri, tjetra, nga “24 dhjetori”, si pa niqah aty. A thua deri atje mund të shkojë fantazia politike që “kunatat” të përçahen si e si? Kjo është e mundur, duke qenë se të dyjat, edhe LSDM edhe VMRO, i thanë “po” bashkëpunimit të tyre për Strugë e Kërçovë dhe “jooo…jooo…” bashkëpunimit ndërshqiptar. Edhe më keq, pak lot në Shkup, më shumë lot në Tetovë…derisa nuk mbushen bunarët e tharë të Shemshovës. 

Një gjë unë s’po mund ta kuptoj: MPB doli me komunikatë se paska krisur ndokush me pushkë në afërsi të selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël. E s’ka! Partia në pushtet, BDI, kishte dalë me komunikatë dhe kishte thënë: “maezallah, kjo s’është e vërtetë!” Po pse, vallë, këtë s’e kanë thënë brenda, në Qeveri? S’e besoj të mos i pyet kush, qoftë edhe nëse shikohet nga Kodra e Lepurit. Jo përherë sinoptikanët i goditin prognozat. Ose mjekët diagnozat. Për shembull, ata që e kanë marrë në dorë atë vajzën nga shkolla e mesme “Dimitar Vllahov” nga Shkupi, për të cilën u tha se është prerë me thikë nga do banda të “vevçanuara” e që si shpesh po qarkullojnë kohëve të fundit në këtë shtet. Edhe këtu zv/ministri Qamili, mbase për mungesë përvoje, bëri një lajthitje të vogël (jomateriale), duke e vënë në pikëpyetje kohën e ndodhjes së rastit (vajza paska dhënë dy deklarata).

“Gjysmëopinga” krejt, si duket: në veprimtari marksiste-leniniste, në politikë, në gazetari…

Kodra e Lepurit si duket i ka fajet. 

(…që shkoi Kërçova; po mos na dëgjoje kush…)

Lajme të ngjashme

Back to top button