Numri më i ulët i personave të sëmurë dhe të vdekur me KOVID-19 nuk është fare sinjal për relaksim (Infografik) 

Megjithëse numri i të infektuarve të rishtazi me virusin SARS-CoV-2 në baza ditore dhe numri i të vdekurve si rezultat i sëmundjes kovid-19 janë në rënie, pandemia nuk ka mbaruar dhe qytetarët duhet të vazhdojnë t’i përmbahen masave mbrojtëse, thonë epidemiologët. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Maqedonia Veriore ka ngecur në zhvillimin e sëmundjes. Për shembull, përqindja e vdekjeve nga 4.2% në shtator ra në 3% në ditët e fundit të vitit 2020 dhe në fillimin e vitit 2021. Por duke e pasur parasysh shkallën e vdekjeve për 100,000 banorë, Maqedonia është akoma afër kreut, menjëherë pas Sllovenisë, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ish-drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Dr. Aleksandar Stojanov, tha për Meta.mk se fakti që numri i rasteve të reja me kovid-19 dhe numri i personave që kanë vdekur si pasojë e virusit është zvogëluar, nuk do të thotë se duhet të relaksohemi, përkundrazi , duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe të respektojmë masat. Mikrobiologu, Dr. Nikolla Panovski, pajtohet me të, duke thënë se tani do të ishte absurde nëse qytetarët relaksohen.

Sipas raportit të fundit, nga gjithsej 3.023 testeve të kryera, ka 520 njerëz të infektuar rishtazi, që është 17%.

“Sa i përket numrave, shënojmë rënie, edhe atë me 30 % në krahasim me atë që kemi pasur më parë. Për pritshmëritë në afatshkurtra, le të presim që periudha e inkubacionit të tubimeve të Vitit të Ri dhe mbledhjeve të kishave për festat të kalojë, dhe do të shohim se si do të jetë situata në fund të Janarit. Mendoj se është shumë herët për të liruar masat që janë në fuqi. Vijon festa e “Ujit të shenjtë” dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Stojanov.

Nëse krahasojmë lëvizjen e numrit të përgjithshëm të të infektuarve në vendet e Gadishullit Ballkanik, mund të vërehet se në Serbi dhe Slloveni rritja e numrit të të infektuarve janë akoma me pothuajse të njëjtin intensitet si më parë. Situata është e ngjashme në Kroaci dhe Bullgari, megjithëse rritja atje është zvogëluar, ndërsa në Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Greqi, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë, rritja e të infektuarve rishtazi po stagnon.

Lidhur me numrin e përgjithshëm të vdekjeve, krahasimi tregon se më shumë vdekje si rezultat i kovid-19 në Ballkan ka në Bullgari, Greqi dhe Kroaci, pasuar nga Bosnja, Serbia dhe Sllovenia.

Nëse e krahasojmë përqindjen e vdekjeve në baza ditore si përqindje e numrit të të infektuarve rishtazi, statistikat tregojnë se kjo përqindje është në rënie në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit dhe aktualisht është nën 4%. Sidoqoftë, në vendin e parë është Bullgaria, me 3.9 %, Maqedonia është në mes të listës me 3 % dhe Serbia është në fund me 1 %.

Krahasimi i shkallës së vdekjeve në 100.000 banorë tregon se në përgjithësi, që nga fillimi i pandemisë deri më tani, më së shumti viktima në 100,000 banorë të pandemisë kanë ndodhur në Slloveni – 146 dhe në Maqedoni – 127. Por krahasimet e tilla duhet të bëhen me kujdes. kur krahason vendet me dallime të mëdha në popullsi, të tilla si Greqia dhe Serbia me Slloveninë dhe Maqedoninë.

Epidemiologu Stojanov, tha për Meta.mk se virulenca e virusit SARS-CoV-2 përfundimisht mund të pritet të ulet për disa muaj, që do të thotë se ai do të përhapej më vështirë. Megjithatë, epidemiologu thekson se kjo nuk do të thotë që njerëzit nuk duhet të jenë të kujdesshëm edhe më tej sepse virusi është shumë i paparashikueshëm. Sipas tij, mbërritja e dozave të para të parapara të vaksinës kundër kovid-19 në shkurt dhe mars nuk do të thotë që pandemia do të marrë fund.

“Vaksina jep shpresë, por nuk do të thotë se është fundi i pandemisë. Ekziston një grup i fëmijëve deri në 16 vjeç të cilët nuk janë të vaksinuar. Pastaj ka gra që u japin gji foshnjave, pastaj njerëz me sëmundje të ndryshme dhe kategori të tjera të qytetarëve të cilët nuk do të vaksinohen, prandaj edhe vaksinimi nuk do të jetë masiv”, tha Stojanov.

Sipas tij, gjithnjë e më shumë njerëz po fitojnë imunitet kolektiv, kështu që ne mund të mbështetemi në lirimin e virulencës, por përsëri, njerëzit duhet të jenë të vëmendshëm edhe më tej.

“Me vaksinimin dhe imunitetin kolektiv, pritet që numri i rasteve me kovid të ulet, e jo të rritet. Por, le të mos harrojmë se virusi është i paparashikueshëm,” shtoi Dr. Stojanov.

Mikrobiologu, prof. Dr. Panovski mendon se do të ishte absurde që njerëzit të relaksohen, veçanërisht ata në grupin e të rrezikuarve.

“Është njëlloj sikur të shkohet në front për të vdekur, një muaj para çlirimit. Prandaj, duhet të kemi kujdes. Megjithatë, numri i rasteve të infektuara rishtas nuk është i vogël, larg 100-150 siç kemi pasur verën e kaluar. Rënia është për shkak të faktit se njerëzit janë më të vetëdijshëm për virusin, kanë njerëz të sëmurë ose familjarë në rrethin e tyre më të afërt ose të largët. Gjithashtu kemi imunitet kolektiv, sigurisht që kemi 400,000 njerëz që kanë kaluar sëmundjen. Me vaksinën dhe ngrohjen e motit, pritet që masat të zbuten gradualisht. Mendoj që dhe nëse njerëzve u jepet liria, ata përsëri do të mbrohen. Për koncerte, kinema, teatro, sigurisht që do të presim edhe një vit”, tha Panovski.

Ky muaj shënon disa festa të mëdha fetare, në të cilat zakonisht ka tubime masive. Për festën e Ujit të shenjtë më 19 janar të këtij viti, KOM-i njoftoi se nuk do të ketë festime të organizuara siç ka qenë praktikë deri më tani.

Sinodi i shenjtë i Ipeshkëve të Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit, u kërkoi besimtarëve të festonin festat e Krishtlindjes dhe Ujit të shenjtë pa i shkelur masat për mbrojtje kundër kovid-19.

“Kjo do të thotë që besimtarët në tempuj duhet të mbajnë maska, të mbajnë distancë të mirë nga njëri-tjetri dhe shenjtërimi i ujërave në 2021 duhet të bëhet në rrethin e tempujve. Duke i respektuar këto masa, si Kishë do të kontribuojmë në ruajtjen e shëndetit të përgjithshëm të popullit tonë, në këto kohë të vështira kur e gjithë bota po përballet me sfidën për të luftuar kundër virusit të rrezikshëm”, thuhet në komunikatën KOM – AO.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button