Zaharieva: Është gabim që Shkupi të presë se pas zgjedhjeve në Bullgari, mund të zgjidhen mosmarrëveshjet

‘Ideja që diçka do të ndryshojë pas zgjedhjeve në vendin tonë është e gabuar. Në vend të kësaj, nëse diçka ndryshon, do të jetë më keq’, deklaroi sot në emisionin e mëngjesit për BTV zëvendës Kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, duke iu përgjigjur pyetjes se si i komenton deklaratat nga Shkupi, se pritet që të përfundojnë zgjedhjet në Bullgari që të zgjidhin mosmarrëveshjet me Sofjen, njofton Portalb.mk.

Ministrja e Jashtme bullgare vlerëson se si kurrë më parë ekziston konsensus në Parlamentin bullgar për çështjen e marrëdhënieve me RMV-në.

Pozicioni i Parlamentit bullgar për temën e Maqedonisë së Veriut është një mrekulli, sepse është e rrallë të jemi kaq unanim për ndonjë gjë. Si shoqëria bullgare, ashtu edhe partitë bullgare kanë pikëpamje shumë të ngjashme për këtë çështje.

Ajo tha se nuk ka asgjë të fshehtë nga takimi me të dërguarin special të Qeverisë së Maqedonisë për bisedimet me Bullgarinë, Vllado Buçkovski, duke shtuar se Qeveria bullgare mbetet e hapur dhe lëviz brenda kornizës së Marrëveshjes.

“Një nga parakushtet që të bëhet diçka dhe të fillohet të punohet në mënyrë të arsyeshme për të zgjidhur problemet është zvogëlimi i emocioneve. Sa më shumë që flasim pa emocione, aq më shumë shanse kemi për ta kryer punën”, shtoi Zaharieva.

Sipas Zaharievës, problemi i gjuhës është një nga keqkuptimet që, siç thotë ajo, RMV-ja po përpiqet të imponojë.

“Ne duam të kapërcejmë stereotipet e së kaluarës, të ndalojmë arsimimin dhe themelimin e një kombi të bazuar në qëndrimin anti-bullgar, t’i japim fund gjuhës së urrejtjes, t’i japim fund arsimit që promovon urrejtjen ndaj gjuhës bullgare. Kjo është ajo që duam, e cila për mendimin tim nuk është asgjë e komplikuar, por qartë shumë e komplikuar sipas tyre” tha Zaharieva.

Ndërkohë, përfaqësuesi special i Qeverisë për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, dy ditë më parë udhëtoi në Sofje, ku do të qëndrojë disa ditë. Ditën e parë ai zhvilloi takim me ministren e Jashtme Ekaterina Zaharieva, e cili i ka dorëzuar Plan Aksional, për të cilën autoritetet e vendit thanë se është përgjigje e Planit Aksional të vendit. Ndërkohë do të takohet edhe me kryeministrin Bojko Borisov dhe ministrin e Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.

Vizita do të zgjasë disa dit, ndërsa herën e fundit në Sofje ai ishte në fillim të dhjetorit.

Siç njoftoi MPJ-ja e Maqedonisë, Buçkovski do të udhëtojë shpesh në Bullgari për të përcjellë Planin Aksional dhe inkurajimin e bashkëpunimit.

Buçkovski dje deklaroi se në periudhën vijuese grupi punues nga pala maqedonase do të shqyrtojë komentet nga Bullgaria për Planin Aksional të propozuar nga pala maqedonase dhe do të ndërtohet pozicion i qartë.

Buçkovski dhe Zaharieva kanë shkëmbyer ide për vazhdimin e procesit për kthimin e besimit mes dy vendeve.

“Roli im si përfaqësues special i Maqedonisë së Veriut del nga përpjekjet e Qeverisë maqedonase të arrijë zgjidhje në kontestin bilateral me Bullgarinë dhe me këtë të largohen pengesat për fillim të negociatave të vendit tonë me BE-në”, deklaroi Buçkovski për MIA-n.

Ai potencoi se në këtë kontekst, çdo komunikim i tij zyrtar në relacionin Shkup – Sofje, është në funksion të Planit Aksional të propozuar nga vendi i cili përmban hapa konkret në pjesën e ndërlidhjes përmes Korridorit 8, bashkëpunimi në arsim, në energjetikë, kulturë, ekonomi dhe shoqërisë informatike.

MPJ-ja bullgare nga ana tjetër kumtoi se Bullgaria propozoi plan aksional për bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut në zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim dhe se dokumenti ka të bëjë me të gjithë ministritë resorë, ndërsa pritet në nënshkruhet në takimin e ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në intervistë për TV Telma, sqaroi se atë që e kanë marrë si përgjigje nga Bullgaria është në të vërtetë pikëpamja e tyre drejt planit tonë aksional, përkatësisht shkëmbimi i ideve në raport me atë plan.

Planin Aksional, siç theksoi ai, e ka propozuar në vizitën e tij të parë në Sofje, si mënyrë për vendosjen e një agjende precize mes ministrive në bashkëpunimin e tyre që më pas, ta propozojnë si plan konkret të detyrave dhe aktiviteteve pasi kanë bërë koordinim të brendshëm me të gjitha ministritë për të gjitha projektet që janë në rrjedhë, kanë ngecur apo planifikohen.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimet, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi pritet të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button