Firefox përgatitet për një ridizajnim këtë vit
Kemi hyrë në një vit të ri, dhe 2021 është viti kur Firefox do marrë një përditësim vizual. Rifreskimi i dizajnit me emrin e koduar Proton nuk është thjeshtë një pamje e re, por edhe një përmirësim i eksperiencës së përdoruesit, transmeton PCW.
Ndërsa duhet të presim ca kohë përpara se dizajni Proton të mbërrijë në versionin stabil të Firefox që shumica e njerëzve përdorin, disa prej pamjeve të hershme presim ti gjejmë në versionet Beta, Developer dhe Nightly.
Përditësimi i fundit i pamjes së Firefox ishte në versionin 57 të shfletuesit. Ndërsa ridizajnimi i ri Proton pritet të vijë me Firefox 89 në muajin Maj.
Ato që do të marrin një pamje të re janë kryesisht menutë e kontekstit, menuja e Firefox, shiritat e informacionit e shumë të tjera.
Tabet gjithashtu do të pësojnë ndryshime së bashku me opsionet e reja të grupimit dhe një rreshtim vertikal i tyre kur shfletuesi është në modalitetin kompakt.
Aktualisht nuk ka një mënyrë për të testuar pamjen e re të Firefox sepse po testohet vetëm brenda Mozilla. Por nëse jeni duke përdorur një version Beta, Developer apo Nightly të Firefox, është një opsion që duke e aktivizuar siguroheni se keni për ta marrë ndër të parët dizajnin e ri.
- Lançoni Firefox dhe shkruani në fushën e adresës about:config
- Kërkoni për proton.enable
- Konfiguroni opsionin në true
- Restartoni Firefox
Nuk mund të themi se kur do të kemi diçka të re por ky opsion ju jep akses të hershëm në dizajnin e ri që pritet të vijë.