fbpx

Studimi i para-fizibilitetit për hekurudhën Shkup-Kërçovë dhe tunelin më të gjatë në Ballkan është gati

Muajin e kaluar, këshilltarët e angazhuar e paraqitën, në Ministrinë e transportit dhe lidhjeve, të gjithë kompletin e studimeve të para-fizibilitetit për hekurudhën Shkup-Kërçovë në Korridorin 8 në një version përfundimtar të miratuar nga të gjitha palët e përfshira. Ky është dokumenti i parë nga një seri që do të vijojnë në funksion të rritjes të shpejtësisë dhe përmirësimit të sigurisë së këtij seksioni hekurudhor në përputhje me standardet e BE-së. Dokumenti është përgatitur me fonde nga Kuadri i Investimeve i BE-së për Ballkanin Perëndimor (WBIF), transmeton Portalb.mk.

“Studimi i para-fizibilitetit ofron një përmbledhje të gjendjes së hekurudhës në këtë moment, duke i analizuar të gjitha objektet që gjenden përgjatë trasesë, nga urat, tunelet, ndërtesa, pajisje për sinjalizim dhe objekte tjera. Gjithashtu ofron mundësi për përmirësim të të gjithë infrastrukturës në të ardhmen”, informon Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për“ Meta.mk ”.

Hekurudha nga vendbanimi i Shkupit Gjorçe Petrov deri në Kërçovë është e gjatë 102.6 km dhe është ndërtuar në vitet 60 të shekullit të kaluar, kurse është vënë në funksion në periudhën 1968-1969. Ky projekt mbresëlënës nga koha e Jugosllavisë përfshin gjithashtu tunelin më të gjatë në Gadishullin Ballkanik – Tunelin “Bukoviq” i gjatë mbi 7 km (7,062 metra) dhe viaduktin më të lartë hekurudhor në vend – Ura Srbinovski, të dyja të vendosura në hekurudhën midis Gostivarit dhe Kërçovës.

Pas përgatitjes së studimit para-fizibilitetit, duhet të vijojë hartimi i studimit të hollësishëm mbi realizueshmërinë e projektit për rindërtimin e hekurudhës Shkup-Kërçovë, me analizë të shpenzimeve dhe përfitimeve, si dhe studim mbi ndikimin e projektit në mjedis. Fonde shtesë do të nevojiten për përgatitjen e modelit ideor dhe atij themelor.

Kjo linjë hekurudhore është riparuar, për herë të fundit që ishte disa vjet pas konfliktit ushtarak në 2001 në vend, kur u riaftësua për trafik. Zyrtarisht, shpejtësia maksimale e trenave është 100 kilometra në orë ndërmjet Shkupit dhe Gostivarit, si dhe 80 kilometra në orë në pjesën midis Gostivarit dhe Kërçovës. Sidoqoftë, për shkak të mjeteve të pamjaftueshme të mirëmbajtjes dhe katastrofave natyrore, shpejtësia e lëvizjes së pjesëve të caktuara të saj është më e ulët.

Përveç riparimit të hekurudhës, mungojnë edhe pajisje moderne të sinjalizimit, si dhe elektrifikim të hekurudhës me një binar, në mënyrë që në të ardhmen lidhja hekurudhore midis Maqedonisë dhe Shqipërisë të mund të realizohej përmes shtrirjes së saj në drejtim të Linit në Shqipëri.

Sot, hekurudha Shkup-Kërçovë shfrytëzohet nën mesataren e kapaciteteve të saj, duke funksionuar me vetëm një palë trena pasagjerësh në ditë midis dy qyteteve. Të dhënat për kilometrat e trenave në trafikun e mallrave për tremujorin e tretë të vitit 2020, tregojnë se vetëm 1 përqind e tyre ishin realizuar në hekurudhën Gjorçe Petrov-Kërçovë, thuhet në Raportin tremujor të NP për hekurudhat e infrastrukturës hekurudhore të RMV-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button