Trump dhe Pence u takuan për herë të parë që nga dhuna e 6 janarit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe nënpresidenti Mike Pence u takuan të hënën mbrëma, për herë të parë qëkur mbështetësit e dhunshëm të Trumpit kanë sulmuar ndërtesën e Kongresit.

Dhuna e 6 janarit ka ndodhur derisa Pence ka qenë duke udhëhequr një seancë të Kongresit për certifikimin e fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, transmeton REL.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha mediave se Trump dhe Pence zhvilluan një “bisedë të mirë”.

Zyrtari la të kuptohet se Pence nuk e ka ndërmend t’i nënshtrohet kërkesës së demokratëve për aktivizimin e Amendamentit 25 të Kushtetutës, i cili do ta shpallte Trumpin të paaftë për kryerjen e detyrave presidenciale.

Trump dhe Pence “përsëritën se ata që thyen ligjin dhe sulmuan Kongresin javën e kaluar, nuk përfaqësojnë lëvizjen ‘Amerika e para’, të mbështetur nga 75 milionë amerikanë”, tha zyrtari.

Dyshja “u zotua se do ta vazhdojë punën në emër të vendit, për pjesën e mbetur të mandatit”, shtoi zyrtari.

Pence raportohet se ka qenë i zemëruar me Trumpin, i cili i ka nxitur mbështetësit që të marshojnë drejt Kongresit, me pretendime të pabazuara për mashtrime në zgjedhje.

Presidenti gjithashtu e ka kritikuar hapur Pence, duke thënë se ai nuk ka pasur guxim të kthejë mbrapsht rezultatin e zgjedhjeve.

Trump, i cili është bllokuar nga Twitter dhe media të tjera sociale, ka qenë kryesisht i heshtur që nga dhuna.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë prezantuar një rezolutë për gjykimin e Trumpit, nëse Pence dhe kabineti nuk e heqin atë nga detyra ose nuk e shtyjnë të japë dorëheqje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button