fbpx

RMV, proceset e montuara gjyqësore në “rishikim sistematik”

Nuk kërkohet amnisti, shfuqizim ose falje, por gjykim i drejtë, tha deputeti Pavle Trajanov, propozuesi i ligjit për rishikimin e fakteve dhe provave të përdorura në procedurat gjyqësore. Në një kohë kur po përgatitet proces i rishikimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, një projekt-ligj mund të bëhet lakmus nëse ekziston vullnet i vërtetë për të rishikuar situatën dhe për të rivendosur besimin në sistemin e drejtësisë, shkruan DW, transmeston Portalb.mk.

Bëhet fjalë për Projektligjin për rishqyrtim të fakteve dhe provave të përdorura në procedurat gjyqësore, i cili hyri në procedurë parlamentare. Nëse miratohet, procedura mund të përsëritet për të paktën 30 raste nga periudha 2007-2017, të cilat nga publiku u perceptuan si të motivuara politikisht.

Për herë të parë, kërkohet të rishqyrtohen faktet dhe provat e përdorura në procedura gjyqësore edhe atë duke e përsëritur procedurën. Kjo do të thotë që nuk kërkohet amnisti, shfuqizim ose falje, por gjykim i drejtë, thotë deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili është propozuesi i ligjit.

“Përmes këtyre proceseve, është e mundur të korrigjohet padrejtësia, të hapet një procedurë për përgjegjësi në gjykimet e montuara gjyqësore të shtetit dhe kreut politik, anëtarëve të DSK-së dhe anëtarëve të tjerë të Ministrisë së Brendshme, prokurorëve dhe gjykatësve. Analiza e 12 çështjeve gjyqësore nga ‘Transparency International Macedonia’ konfirmon se aktgjykimet e gjykatave janë marrë pa ekzistimin e fakteve dhe provave reale, si dhe në kundërshtim me ligjin. Rasti i Kezharovskit, i cili u dënua në bazë të një dëshmitari të rremë të mbrojtur, tregon mjaft se si eliminohen ata që thonë të vërtetën për Qeverinë. Dua të theksoj një shembull tjetër – kur Prokurori Publik dhe anëtarët e DSK-së mblidhen në Ministrinë e Brendshme dhe marrin një vendim për të zgjeruar hetimin ndaj një ish-zyrtari të Ministrisë së Brendshme për motive hakmarrjeje dhe për këtë ka prova. Ose, kur një pjesëtar i policisë në vendkalimin kufitar ndërsa po e merrte kusurin për një byrek filmohet dhe gjykohet për marrje ryshfet, me ç’rast regjistrimi audio nuk dëgjohet, zëri është fshirë,” vë në pah Trajanov, një pjesë të shembujve.

Monopol mbi hetimet

Vërejtje për veprime të tilla ka për disa raste, kurse ndër më të famshmet janë “Detonatori”, “Syri i gjarprit 1”, “Syri i gjarprit 2”, “Metastaza”, “Spiuni”,” Agjenti”, ” Likuidimi “, “Kalldërma”, “Rover”, “Muzeu i Maqedonisë” …

“Përveç këtyre, për çështjet në të cilat ka elementë të motivimit politik për hapjen e tyre, në tërësi ose pjesërisht të të pandehurve, konsiderohen “Rrjeta e Merimangës “,”Fallanga 1” dhe “Fallanga 2 “(Apollon), “PMF “, “Mbeturinat”, “Migrantët”,  çështja e kirurgut të syve Stavriç, por edhe një numër i pacaktuar i rasteve më të vogla të ndjekjes penale dhe procedurave gjyqësore prapa të cilave kishte motive dhe interesa politike”, thuhet në Informacionin e Komitetit për mbrojtjen e të drejtave. Është asociacion i shoqatave të qytetarëve të prekur të cilët për një kohë të gjatë kërkojnë të përsërisin procedurat gjyqësore vendimet e të cilave u morën në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, me vlerësim selektiv, të njëanshëm dhe të pasaktë të fakteve dhe provave dhe shkelje të të drejtave të të dënuarve.

Sipas Komitetit, në rastet e përmendura mund të zbulohen disa ose më shumë shkelje të procedurës dhe të drejtave dhe lirive të njeriut të të njëjtit lloj, në përmasa, shkallë dhe në mënyrë që tregon një rregullsi ose metodë të caktuar: trajtimi mizor dhe poshtërues i të dyshuarve gjatë arrestimit dhe procedura e hetimit; masat e paraburgimit të zgjatura për kohë të pacaktuar pa arsye dhe shpjegime përkatëse; shkelje e prezumimit të pafajësisë duke publikuar regjistrimet e arrestimeve dhe duke krijuar përndjekje mediatike për të ndikuar në opinionin publik; përdorimi i materialeve të përgjuara në mënyrë të paligjshme; masa speciale hetimore të përcaktuara në mënyrë të paligjshme; dëshmitarët të mbrojtur të rremë si prova thelbësore ose e vetme në procedurë; kualifikim i pabazuar dhe i padëshmuar “grup i strukturuar kriminal”; aktakuzë e bazuar në interpretime dhe konkluzione të tërthorta që nxirren nga fakte të parëndësishme dhe të palidhura; gjykata pranon prova të marra në mënyrë të paligjshme nga policia dhe prokuroria; mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia të paraqesë prova dhe ekspertizë në favor të të pandehurve; mos-përdorimi, shmangia ose abuzimi i sistemit AKMIS për shpërndarje automatike të lëndëve gjyqësore dhe përcaktim i qëllimshëm i gjyqtarëve “të kualifikuar” dhe një numër vërejtjesh të tjera.

“Sipas studimeve të tjera krahasuese, situata me institucionet kryesore që e përbëjnë sektorin e drejtësisë është si më poshtë: statistikat dhe analizat tregojnë se policia jo vetëm që ka një monopol de facto mbi hetimet, por është lojtari kryesor në të gjithë sistemin e drejtësisë penale nëse dikush do të mbajë përgjegjësi për ndonjë krim të kryer. Shumica e autorëve nuk janë identifikuar kurrë dhe pothuajse të gjithë ata që denoncohen, më vonë akuzohen edhe dënohen. Nënshtrimi i prokurorisë publike dhe gjykatave dhe dështimi i tyre për të vepruar si mbrojtës të shtetit ligjor dhe lirive dhe të drejtave e rrezikon seriozisht legjitimitetin e tyre për shkak të stafit të pamjaftueshëm dhe kapacitetit institucional, por edhe për shkak të problemeve serioze të pavarësisë së tyre nga ekzekutivi”, thuhet në Informacionin e Komitetit.

Kushtet për gjykim të drejtë

Sipas projektligjit, përsëritja e procedurës nënkupton revokimin e gjykimeve përfundimtare dhe veprimet e organeve të tjera shtetërore të marra në bazë të atyre aktgjykimeve, dhe rivendosjen e gjendjes origjinale të të drejtave dhe pasurisë së personave të dënuar para se ata të privohen nga liria, jeta dhe të drejtat e tjera. Për personat që kanë vdekur gjatë procedurës ose gjatë vuajtjes së dënimit, kërkesa për përsëritjen e procedurës mund të paraqitet nga bashkëshorti ose trashëgimtarët e rendit të parë, kurse për persona juridikë kërkesa mund të paraqitet nga një person i autorizuar i personit juridik ose person i autorizuar prej tij. E drejta për të paraqitur kërkesë për përsëritje të procedurës përfundon një vit nga dita pasi ligji të hyn në fuqi.

Nëse ligji miratohet, disa qindra qytetarë që ndihen të dëmtuar nga veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të shpresojnë të kenë një shans për të provuar pafajësinë e tyre. Por disa tashmë e kanë humbur shpresën, pasi më parë kanë humbur shëndetin, punën dhe për shkak të situatës janë prishur familjet e tyre.

Lidhur me projektligjin, Trajanov pret konsensus midis të gjithë deputetëve, pavarësisht se cilës parti i përkasin, sepse sundimi i ligjit ka rëndësi thelbësore.

“Askush nuk duhet të gjykohet dhe të dënohet për interesa politike dhe të tjera, hakmarrje dhe të ngjashme. Rinovimi i procedurës do të krijojë kushte për gjykim të drejtë dhe do të rishikohet puna e policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Bëhet fjalë për një numër të madh të lëndëve, por rreth 30 janë më specifike, ku mund të shihet nga larg se këto janë çështje të trilluara politiko-policore. Unë pres mendim pozitiv për këtë propozim nga Qeveria dhe ekspertët”, shprehet i bindur Trajanov.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close