Takimi Zaharieva-Buçkovski, bisedime për Planin Aksional për zbatimin e Marrëveshjes

Republika e Bullgarisë, sipas medias bullgare BGNES, propozoi një plan aksional për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim. Kjo është shpalosur në takimin e zëvendës Kryeministres Ekaterina Zaharieva, e cila priti të dërguarin special të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Vllado Buçkovski, njofton Portalb.mk.

Por mesa duket bëhet fjalë për ndonjë keqinformim nga ana e kësaj medie, pasi në realitet ky plan aksional, siç edhe informoi MPJ-ja e Maqedonisë, është propozim i palës maqedonase, por duket se kanë marrë përgjigje pozitive nga pala bullgare. Pikërisht edhe përfaqësuesi special Vllado Buçkovski  do të udhëtojë në Bullgari për të monitoruar Planin e Aksional dhe për të inkurajuar bashkëpunimin në të gjitha nivele

“I fundit me radhë është Plani i aksionar për zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja e Miqësisë e vitit 2017, i cili është propozim nga pala jonë, ndërsa për të cilin presim që këto ditë të marrim përgjigje ose propozim vërejtje dhe propozime nga Republika e Bullgarisë”, deklaruan dy ditë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga kjo Ministri thanë se, Bujar Osmani këtë javë ka komunikuar me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ku janë dakorduar që ditëve në vijim të shkëmbejnë propozimet nga të dyja anët për Planin Aksionar.

Ndërkohë gjatë takimit të sotëm Zaharieva-Buçkovski, u shkëmbyen ide për vazhdimin e procesit të rikthimit të besimit midis dy vendeve.

Ky dokument, i cili zbatohet për të gjitha ministritë sektoriale, pritet të nënshkruhet në takimin e ardhshëm të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar (në përputhje me nenin 12 të Marrëveshjes).

I dërguari special i Republikës së Maqedonisë për Bullgarinë Vllado Buçkovski, mbërriti dje në Sofje për të biseduar me krerët më të lartë të Qeverisë bullgare.

Vizita do të zgjasë disa dit, ndërsa herën e fundit në Sofje ai ishte në fillim të dhjetorit, kur kishte takime me ministren e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva, kryeministrin Bojko Borisov dhe ministrin e Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov.

Siç njoftoi MPJ-ja e Maqedonisë, Buçkovski do të udhëtojë shpesh në Bullgari për të përcjellë Planin Aksional dhe inkurajimin e bashkëpunimit.

“Në këtë drejtim, duam që edhe një herë të potencojmë se roli i përfaqësuesit special Buçkovski është që rregullisht të udhëtojë për në Bullgari me qëllim përcjelljen e Planit Aksionar dhe inkurajimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet. Në këtë drejtim është e pritshme në periudhën në vazhdim të realizojë udhëtime të shpeshta në relacionin Shkup- Sofje”, thuhet në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Jashtme.

Vlado Buçkovski u emërua i dërguari special i Qeverisë së Maqedonisë në Bullgari në fillim të dhjetorit 2020.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimet, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi pritet të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button