“Çdo subjekt politik në Kosovë ka të drejtë të shpenzojë deri në 934 mijë euro për fushatë zgjedhore”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat është vendosur të mbahen më 14 shkurt të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas vendimit nga KQZ, në këtë mbledhje është marrë vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

Sipas KQZ-së, “një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 934.831 euro, përkatësisht 0.5 euro për votues të regjistruar”.

Vendimi i KQZ-së mbështetet në të dhënat e listës jopërfundimtare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vend është 1.869.662.

Për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019, KQZ duke u mbështetur në listën preliminare të votuesve vendosi që maksimumi i shpenzimeve për secilën parti të jetë 986 mijë euro.

Nga mbledhja e fundit e KQZ-së gjithashtu u njoftua se periudha për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës do të fillojë më 13 janar dhe do të përfundojë më 21 janar.

Lidhur me këtë proces, KQZ mori vendim për verifikimin e aplikacioneve për regjistrim, ku prej një e-mail adrese aplikuesit mund të aplikojnë për vete dhe për familjarë të ngusht me të njëjtin mbiemër, në formularët e aplikimit aplikuesi të shënojë numrin personal të telefonit, ndërsa KQZ do t’i kontaktojë të gjithë aplikuesit përmes telefonit dhe ata të cilët nuk do të lajmërohen do t’u refuzohet aplikacioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button