RMV, do të zgjerohet ngrohja qendrore edhe në pesë vendbanime tjera të Shkupit

Rrjeti ekzistues i ujit të nxehtë në vendbanimet e Shkupit, Autokomandë, Maxhari, Hipodrom, Hekuranë dhe Triangla nga SHA EEM – “Energjetika” do të mbi-ndërtohet dhe zgjerohet që më shumë familje dhe biznese të lidhen me ngrohjen qendrore, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Për atë qëllim, SHA Elektro Ekonomia e Maqedonisë së Veriut, EEM, në fillim të janarit të këtij viti shpalli një njoftim për lidhje të kontratës për prokurim publik për zgjerim të sistemit të ujit të nxehtë dhe ndërtimin e rrjeteve sekondare me hartim të projekteve dhe auditim të projekteve nga filiali “Energjetika”.

SHA EEM thonë se bëhet fjalë për një investim me vlerë rreth 600 mijë euro për një periudhë dy vjeçare, këtë vit dhe 2022. Sipas zyrtarëve në “Energjetikë”, tani për tani nuk është e mundur të thuhet saktësisht se cili do të jetë numri i përdoruesve të rinj të rrjetit, ndërsa supozohet se në 2 vitet e ardhshme numri i tyre do të jetë rreth 250.

Ofertat për zgjerim të sistemit të ujit të nxehtë, sipas shpalljes publike, duhet të dorëzohen jo më vonë se deri më 16 shkurt të këtij viti, dhe kontraktuesi i zgjedhur për punimet e ndërtimit për ndërtimin e rrjetit për ngrohje duhet të realizojë punimet brenda një periudhë prej 36 muajsh. Sipas kushteve të thirrjes, ofertat me çmimin më të ulët do të kenë avantazh, dhe numri maksimal i kandidatëve të regjistruar duhet të jetë minimumi 5 e maksimum 6. Përzgjedhja do të realizohet përmes ankandit elektronik.

Operatori ekonomik duhet të përmbushë disa kritere, përfshirë vërtetim se nuk është hapur procedurë falimentimi ose likuidimi nga ndonjë autoritet kompetent, vërtetim për tatimet, kontributet dhe detyrimet e paguara tjera publike, se ndaj subjektit nuk është shqiptuar dënimi ndalesë për pjesëmarrje në procedura të thirrjeve publike e tjera.

Për të konfirmuar aftësinë për të kryer veprimtari profesionale, operatori duhet të paraqesë licenca për projektimin e ndërtesave të kategorisë së parë dhe për rishikimin e dokumentacionit të projektit të ndërtesave të kategorisë së parë, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse. Gjithashtu, duhet të ketë së paku tre shërbime të kryera të të njëjtit lloj ose të ngjashëm me prokurimin të lëndës së njëjtë në 5 vitet e fundit, me një vlerë totale prej më shumë se 10 milion denarë, si dhe dëshmi të shërbimeve të kryera, dhe duhet të ketë personel të duhur dhe staf teknik.

Përndryshe, në fillim të sezonit të fundit të ngrohjes, më 15 tetor 2020, SHA EEM, filiali “Energjetika” filloi shpërndarjen e nxehtësisë te shfrytëzuesit në lagjet e Shkupit Hekurana, Avtokomanda, Triangla, Maxhari dhe Hipodromi. EEM me atë rast njoftoi se 3,700 familje, kopshte, shkolla fillore dhe të mesme dhe subjekte afariste shfrytëzojnë ngrohje qendrore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button