Ish ambasadori amerikan Pardew: Bullgaria duhet ta mbështesë dhe jo ta bllokojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Ish ambasadori amerikan në Bullgari dhe njëri ndër bashkautorët e Marrëveshjes së Ohrit në Maqeoni, James Pardew, vlerëson se Sofja nuk ka të drejtë të maltretojë Shkupin me kërkesa të historisë. Ai në një intervistë për DW deklaroi se i ndjek zhvillimet në Ballkan dhe se mendon se është gabim që qeveria bullgare të bllokojë procesin që do të qojë në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Përkundrazi: Bullgaria duhet të jetë mbrojtës i anëtarësimin të Maqedonisë së Veriut në BE dhe jo kundërshtare. Sepse, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është pjesë e interesit afatgjatë të Bullgarisë. Jam i sigurt se Departamenti Amerikan mbështet zgjidhje të shpejtë të problemeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut edhe pse, tema kryesisht ka të bëjë me Bashkimin Evropian dhe anëtarët e saja”, tha ai.

Pardew ka shtuar se, është interes afatgjatë i Bullgarisë që të ketë raporte të mira dhe të partneritetit me fqinjët, në kushte të vlerave të përbashkëta demokratike.

“Anëtarësimi në BE e inkurajon këtë. Bullgaria dhe shumë njerëz në Maqedoninë e Veriut kanë histori dhe kulturë të përbashkët, por Bullgaria është komb më i përparuar dhe me anëtarësimin në BE ka përparësi në realizimin e qëllimeve të saja. Dy vendet janë aleat natyror dhe mund të punojnë së bashku për ardhmëri prosperuese, nëse ua kthejnë shpinën disa çështjeve më pak të rëndësishme. Nacionalistët në Bullgari kanë parë se si Greqi e përdor anëtarësimin në BE që të ushtrojë presion ndaj Maqedonisë së Veriut. Edhe ata vendosën ta zbatojnë strategjinë e njëjtë. Por, koha për maltretimin e Maqedonisë së Veriut ka përfunduar. Çështjet për historinë dhe gjuhën nuk janë mjaft të rëndësishme për t’i arsyetuar raportet armiqësore mes dy vendeve. Në fund të fundit, Maqedonia e Veriut është vend sovran dhe asnjë shtet nuk duhet të ketë të drejtë që të detyrojë një komb tjetër që ta ndryshojë historinë e vet”, deklaroi Pardew.

Ish ambasadori amerikan ka thënë po ashtu se, historianët dhe ekspertët të merren me pikat kontraverse me kalimin e kohës dhe në ndërkohë, Sofja duhet ta mbështesë dhe jo ta bllokojë kandidimin e Maqedonisë së Veriut për në BE.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimet, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi pritet të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button