fbpx

E enjtja e përgjakshme në SHBA

Prof. Dr. Svetomir Shkariq
Prof. Dr. Svetomir Shkariq

Donald Trump nuk e pranon disfatën në zgjedhjet presidenciale, pavarësisht diferencës prej shtatë milion votash popullore dhe 74 votash elektorale. Ai nuk e njeh humbjen as pas gjyqeve të humbura, as pas certifikimit të votave elektorale. Ai është i bindur se zgjedhjet janë një mashtrim i madh dhe se fitorja e tij është vjedhur. Kjo është arsyeja pse më 6 janar, ai nxiti ndërhyrjen në Kongresin e SHBA-ve, të ngjashme me atë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill 2017.

Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA ishte mbi 70% e numrit të përgjithshëm të trupit votues në SHBA. Kjo është pjesëmarrja më e madhe në historinë e zgjedhjeve presidenciale, duke përfshirë më shumë se 155 milion votues. Para këtyre zgjedhjeve, pjesëmarrja më e lartë ishte regjistruar në vitin 1908, me një pjesëmarrje prej 65%. Pjesëmarrja e lartë ishte rezultat i votimit me anë të postës, i cili u tregua më i realizueshëm për shumë votues gjatë kohës së një pandemie. Në kushtet e pandemisë dhe luftës për barazi racore mbizotëroi demokracia.

Joe Biden fitoi 81.283.495 ose 51.38% të votave. Në të njëjtën kohë, edhe Donald Trump fitoi më shumë vota sesa kandidatët e mundur në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ai fitoi 74.223.755 ose 46.91% të votave të përgjithshme.

Pandemia mundi Trump-in

Zgjedhjet e 3 nëntorit u mbajtën në një atmosferë të tensionuar, në mes të një numri të madh njerëzish të infektuar dhe të vdekur nga pandemia dhe luftës së ashpër për barazi racore. Biden doli me parullën “ne jemi në betejë për shpirtin e Amerikës”, kurse Trump me parullën – “Ta ruajmë Amerikën të madhe “. I pari u përqëndrua në multikulturalizmin e vendit dhe shëndetin e njerëzve, kurse i dyti në “boom-in ekonomik” dhe ndarjen racore, duke e etiketuar lëvizjen “Jetët e Zeza kanë rëndësi” një “fashizëm të ri të ekstremit të majtë” që synon “fundosjen e Amerikës”.

Pandemia u tregua të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për Trump në luftën e tij për një mandat të dytë. Disa ditë para ditës së zgjedhjeve, kishte më shumë se nëntë milion të infektuar dhe 230.000 persona të vdekur. Njëzet ditë më vonë, numrat u rritën në 12 milion të infektuar dhe 260.000 persona të vdekur. Kurse në ditën e votimit elektoral (14 dhjetor) numri i të infektuarve u rrit në mbi 16 milion dhe i të vdekurve mbi 300.000 persona. Kjo e mundi Trump-in më shumë se gjithçka tjetër.

Biden akuzoi Trump për shpërfillje të masave të përcaktuara nga institucionet shëndetësore, për organizimin e tubimeve të mëdha dhe mosmbajtjen e maskave nga ana e mbështetësve të tij. Nga ana tjetër Trump akuzoi Biden se është i frikësuar nga pandemia dhe se dëshiron ta shndërrojë Amerikën në “shtet të burgosur”. Ai gjithashtu sulmoi në mënyrë të vrazhdë edhe Anthony Fauci, një autoritet shëndetësor në vend. Ai e quajti atë një “katastrofë” dhe ata që ishin përreth tij “idiotë”.

Arsyeja e dytë e humbjes së Trump ishte beteja për “drejtësi racore” të popullsisë jo të bardhë që filloi të përhapet pas vrasjes së George Floyd në Minesota. Ngufatja e turpshme e kësaj beteje nga policia shkaktoi zemërim në të gjithë Amerikën.

Gjatë fushatës, Biden demonstroi një ndjenjë të drejtësisë racore. Kamala Harris, një grua me origjinë afrikano-amerikane dhe indiane, u nominua për zëvendës president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kurse refugjati-imigrant Alejandro Mallorcas për Sekretar shtetëror për punë të brendshme. Kamala (lule lotosi) dhe politika e qendrës së majtë të Biden mund të parandalojnë degjenerimin e demokracisë amerikane dhe ta kthejnë atë në skenën botërore.

Gjithashtu përgjegjës për humbjen e Trump janë edhe rrjetet sociale. Twitter, Facebook dhe Google nuk e lejuan të përhapë lajme të rreme rreth zgjedhjeve. Nuk i publikonin cicërimat e tij se zgjedhjet ishin një “mashtrim masiv”, se ishin “vjedhur” dhe se Joe Biden ishte duke e mbrojtur të birin nga korrupsioni me kompaninë “Burisma” në Ukrainë. Ai nuk u lejua të përhapë lajme të rreme edhe gjatë ndërhyrjes vdekjeprurëse të mbështetësve të tij në ndërtesën e Kongresit Amerikan më 6 janar 2021.

Kolexhi elektoral – faktor kyç

Presidenti zgjidhet nga zgjedhësit e ashtuquajtur “elektorë” nga shtetet federale. Numri i tyre është i barabartë me numrin e përgjithshëm të përfaqësuesve që këto shtete kanë në të dy dhomat e Kongresit. Kjo do të thotë se ka gjithsej 538 elektorë. President zgjidhet kandidati që do të fitojë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i elektorëve (minimum 270).

Votat elektorale janë të shpërndara varësisht nga numri i popullsisë në secilin shtet. Kalifornia (55) dhe Teksasi (38) kanë numrin më të madh të elektorëve, dhe nëntë shtete, përfshirë edhe Delaware, kanë të paktën tre elektorë secili. Në atë shtet, Biden është zgjedhur senator për 46 vjet. Willington, kryeqyteti i Delaware, tani është selia e presidentit të sapozgjedhur, derisa të inaugurohet si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 20 janar 2021.

Elektorët zgjidhen nga shtetet federale sipas ligjeve të tyre jo më vonë se më 8 dhjetor. Pas zgjedhjeve, elektorët mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre, të hënën pas të mërkurës së dytë të muajit dhjetor. Këtë herë ata u mblodhën më 14 dhjetor. Në këtë ditë u realizua votimi i fshehtë për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Elektorët plotësojnë dhe nënshkruajnë një certifikatë për votim, të cilat më vonë i dërgojnë në Senatin e SHBA-ve. Ata nuk mund të ndikojnë në njëri-tjetrin sepse ndodhen në pjesë të ndryshme të vendit dhe votojnë në të njëjtën ditë. Në këtë mënyrë, Alexander Hamilton donte të shmangte korrupsionin në zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Turma në Uashington, foto nga Anadolu Agency

Elektorët në parim respektojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në shtetin e tyre amë. Kandidati presidencial që ka marrë shumicën e votave në zgjedhjet e drejtpërdrejta gjithashtu merr votat elektorale që i përkasin atij shteti. Elektorët janë individë të lirë dhe mund të votojnë kundër rezultateve të votave popullore, pra për të qenë “elektorë të pabesë”.

Duke pasur parasysh votat që Biden dhe Trump fituan në zgjedhjet e drejtpërdrejta, mediat kanë llogaritur që votat elektorale ishin shpërndarë tashmë në raport 306:232 në favor të Biden. Rezultati i deklaruar është konfirmuar edhe nga Kolegji Elektoral (Zgjedhor) më 14 dhjetor. Nuk ka “votues të pabesë” si në vitin 2016. Rezultati nga Kolegji Elektoral dërgohet në Kongresin Amerikan. Atje, votat numërohen zyrtarisht dhe më 6 janar, në një seancë të përbashkët të dy dhomave të Kongresit përfundimisht përcaktohet fituesi.

Një përmbysje rezultati në numërimin e votave elektorale është i mundur. Kjo tashmë ka ndodhur në vitin 1877 kur Rutherford Hayes u zgjodh Presidenti i nëntë i Shteteve të Bashkuara, megjithëse ai kishte më pak vota popullore dhe elektorale sesa Samuel Tilden, i nominuari demokrat. Hayes u bë president pasi Kongresi i dha atij 20 vota të diskutueshme elektorale, me propozimin e një Komisioni të Kongresit të përbërë nga pesë anëtarë republikanë dhe demokratë dhe pesë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve. Hayes nga 165 i bëri 185 vota, ndërsa Tilden mbeti me 184 votat e mëparshme elektorale. Hayes u bë fitues me vetëm një votë elektorale më shumë.

Pikërisht këtë skenar e llogariste edhe Trump. Kjo është arsyeja pse ai së pari bëri presion në legjislaturat e shteteve në të cilat republikanët kanë shumicën për të mos përcaktuar fituesin e zgjedhjeve të drejtpërdrejta. Të ketë sa më shumë vota të diskutueshme elektorale për të cilat do të vendosë Kongresi. Ai më pas do të drejtojë presionin ndaj Zëvendës Presidentit Mike Pence, i cili duhet të kryesojë seancën e përbashkët të të dy dhomave të Kongresit për të certifikuar votat elektorale. Do të mbahen mend fjalët e tij për Pence të mërkurën e 6 janarit, para se të fillojë certifikimi i votave elektorale,: “Bëje, Majk. “Është koha për një guxim të madh”.

Ndërhyrje (Inkursion) vdekjeprurëse në Kongresin e SHBA-ve

Inkursioni ndodhi një orë pas hapjes së sesionit të përbashkët të dy dhomave të Kongresit. Seanca u hap nga Mike Pence, me një fytyrë të shqetësuar, në prani të Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Trump fitoi nëntë votat e para elektorale pa kundërshtim. Kundërshtimet filluan me certifikimin e 11 votave elektorale të Arizonës. Pasi republikanët paraqitën kundërshtim, dhomat u ndanë dhe filluan të shqyrtojnë kundërshtimin veç e veç. Në këtë pikë filloi sulmi ndaj ndërtesës së Kongresit nga mbështetësit e Trump të mbledhur më parë në Uashington nga pjesë të ndryshme të vendit.

Ndërhyrja ishte masive. Kordoni i policisë nuk pati fuqi nga goditjet e protestuesve të armatosur me tuba metali, preparete kimike dhe armë të tjera. Ata thyen xhamat, hynë në zyra dhe vodhën dokumente dhe materiale. Ata hynë në sallën e Senatit dhe zyrën e Nancy Pelosi. Ata mbanin një banderolë ku shkruhej “Trump është fitues, Biden është humbës, fund i historisë !!”.

Në përleshjen me policinë, katër protestues humbën jetën, më shumë se pesëdhjetë u plagosën dhe gjashtëdhjetë u arrestuan. Katërmbëdhjetë policë u plagosën, njëri prej të cilëve vdiq në spital të nesërmen. Mijëra pjesëmarrës në ndërhyrjen e dhunshme në Kongres pritet të identifikohen dhe të hapen hetimet penale për dhunë, rebelim, frikësim i ligjvënësve dhe krime ndaj pronës.

Menjëherë pas thyerjes së kordonit të policisë, ligjvënësit u evakuuan, me detyrimin për të vendosur maskat e gazit të vendosura nën ulëset e tyre. Ndërtesa e Kongresit u bë e sigurt katër orë pas sulmit dhe në orën tetë të mbrëmjes ligjvënësit vazhduan me certifikimin e votave. Ata së pari refuzuan kundërshtimet e certifikimit elektoral të Arizonës dhe Pensilvanisë dhe më pas të nesërmen, në orën 9 të mëngjesit, shpallën Joe Biden fitues të zgjedhjeve presidenciale, duke fituar me 306:232 vota elektorale. U konfirmua rezultati i përcaktuar nga CNN më 4 nëntor 2020.

Biden e quajti ndërhyrjen në ndërtesën e kongresit një “rebelim” dhe jo një protestë. Ai nuk i konsideron pjesëmarrësit në kryengritje si protestues, por “terroristë të brendshëm”. Senatori i New York-ut, Chuck Schumer e quan sulmin ndaj Capitol Hill një “grusht shteti” dhe një “rebelim kundër Shteteve të Bashkuara” të inskenuar nga Trump. Prandaj ai kërkoi që Trump të dëbohej menjëherë nga Shtëpia e Bardhë, duke aktivizuar amendamentin XXV ose duke hapur një “impiçment” të dytë kundër tij.

Në përleshjen me policinë, katër protestues humbën jetën, më shumë se pesëdhjetë u plagosën dhe gjashtëdhjetë u arrestuan. Katërmbëdhjetë policë u plagosën, njëri prej të cilëve vdiq në spital të nesërmen. Mijëra pjesëmarrës në ndërhyrjen e dhunshme në Kongres pritet të identifikohen dhe të hapen hetimet penale për dhunë, rebelim, frikësim të ligjvënësve dhe krime ndaj pronës.

Ndërhyrja në Kongresin e SHBA dhe ndërhyrja në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill 2017 janë më shumë të ngjashme sesa të ndryshme. Të dy ndërhyrjet u menduan për të parandaluar një transferim paqësor të pushtetit. Edhe e para edhe e dyta janë rebelim dhe pjesëmarrësit nuk janë protestues, sipas Amandamentit I të Kushtetutës së SHBA-ve ose Nenit 21 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Krerët e të dy vendeve kanë një rol pothuajse identik në ato ngjarje. Dallimi është në masivitetin e ndërhyrjes, në qëndrimin e ndryshëm të policisë ndaj autorëve dhe në numrin e viktimave dhe personave të dëmtuar. Asnjë aktor, regjisor apo profesor universiteti nuk e mbështeti “të mërkurën vdekjeprurëse” në Kongres, siç e mbështetën “të enjten e përgjakshme” në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Gabimi logjik i Kushtetutës

Madison dhe Hamilton nuk mund të kishin parashikuar që vota popullore (popular vote) mund të ishte më e dobët se vota elektorale (electoral vote), siç kishte ndodhur në vitin 2016, kur Trump fitoi. Modeli i tyre i kombinuar rezultoi të ishte joproduktiv përballë ndasive partiake dhe racore në shoqërinë amerikane. Bëhet fjalë për një mospërputhje logjike të Kushtetutës, e identifikuar nga fizikani Kurt Gedel kur ai kishte dhënë provimin e shtetësisë amerikane në Trenton në vitin 1947, në prani të Albert Einstein. Duke lexuar Kushtetutën, fizikani mendjemprehtë arriti në përfundimin se Kushtetuta përmbante një “gabim logjik” që lejonte që “i gjithë pushtetin të degjenerohej në tirani.” Ai ndoshta kishte parasysh dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është e papranueshme që vota elektorale të jetë më e fortë se vota popullore. Kjo vë në pikëpyetje karakterin demokratik të shoqërisë amerikane, por edhe karakterin federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njëmbëdhjetë shtete më të mëdha mund të mbledhin 270 vota elektorale dhe të vendosin se kush do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Votat e 39 shteteve të tjera mund të hidhen në shportë. Prandaj, nga viti 1800 deri në vitin 2019 janë dhënë më shumë se 700 propozime për të ndryshuar Kolegjin Elektoral (Zgjedhor). Deri më tani, nuk ka mbështetje nga 2/3 e votave në Kongres dhe 3/5 e shteteve federale për të ndryshuar Kushtetutën e SHBA-ve. Mbështetja me siguri do të pasojë pas ndërhyrjes vdekjeprurëse të një turme të frustruar në Kongresin Amerikan dhe ushtrimit të postit të presidentit nga ana e një personi si Donald Trump.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button