Kosovë, në Dumosh të Podujevës janë bllokuar 14 familje nga vërshimet

Reshjet e fundit kanë shkaktuar vërshime edhe në Komunën e Podujevës. Në fshatin Dumosh 14 familje janë bllokuar për shkak që uji ka mbular sipërfaqen e fushave dhe arave prej rrugës “Vëllezërit Podvorica” deri në fshatin Sibofc të Poshtëm, shkruan Koha. net. Anëtari i kryesisë së komitetit të këtij fshati, Halit Podvorica, thotë se tash për tash aty mund të kalohet vetëm me automjete.

“Momentalisht gjendja është shumë e vështirë. 14 shtëpi janë mbetë të izoluara, veç me kerre se ndryshe nuk munden me dalë hiç. Krejt fushën çka është prej shtëpive tona ku jemi në rrugën ‘Vëllezërit Podvorica’ e deri në Siboc i Poshtëm e ka marrë uji. Nja 8 shtëpi janë këtu, nja 7-8 janë më poshtë. Secila shtëpi i ka nga 5-6 anëtarë. Fushat e arat i ka marrë krejt ujë deri në Sibofc i Poshtëm”, ka thënë Podvorica.

Ai thotë se ky ujë del nga lumi Dumnica, i cili bashkohet me përrsokat që rrjedhën e kanë nga fshatrat Ballofc, Lladofc e Shakjofc..

“E kemi njoftuar kryetarin edhe drejtorin e Shërbimeve Publike. Kanë thanë dalim, po deri tash nuk kanë ardhë”.

Vërshime ka pasur edhe në fshatin Sibofc i Epërm. Përfaqësuesi i këtij fshati, Fahredin Mahmuti, thotë se lumi Llap ka dalë nga shtrati dhe ka depërtuar edhe në bodrumet e disa shtëpive.

“Po ka vërshime, lumi ka dalë prej shtrati dhe ka krijuar disa probleme e vështirësi nëpër shtëpi çka janë afër, nëpër bodrume ka hy uji. Mbërmë ka filluar të dalë lumi nga shtrati edhe prej orës 1-2 të mëngjesit ka filluar të hyjë nëpër bodrume, po nuk është diçka alarmante”, ka theksuar Mahmuti.

Ai i ka fajësuar bashkëfshatarët se e kanë penguar zgjerimin e shtratit të lumit.

“Problemi është faktori njeri. Kur ishte aksioni për zgjerimin e shtratin të lumit, disa kanë pengua. Sikur të lejonin në nivelin siç është nisur, nuk ishin kanë këto probleme. E kemi një rast te Lagjja e Merxhanëve të Xhamia e vjetër ka filluar të dalë uji mbi asfalt, një rrugë e re, njërën pjesë të trotuari veç e ka heq. Nëse vazhdon ende mundet me prish një pjesë të asfaltit diku nja 20 metra gjatësi. Po, tash veç ka filluar të bie niveli i ujit”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi i fshatit Sibofc i Epërm ka thënë se në mëngjesin e sotëm, kryetar i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi e ka vizituar fshatin.

“Po nuk ka qenë situata që dikush të kërkojë ndihmë”, ka thënë ai. Ndërkohë, në një njoftim të Zyrës për informim, thuhet se pas vërshimeve të shkaktuara gjatë natës dhe sot, si pasojë e reshjeve atmosferike të ditëve të fundit, kryetari Shpejtim Bulliqi, ka vizituar disa nga zonat e vërshuara në Komunën e Podujevës.

Sipas të njëjtit, Bulliqi ka thënë se Komuna e Podujevës ka vendosur në funksion të gjitha kapacitetet e saj, ekipin emergjent të komunës, Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe kompaninë e kontraktuar për këto raste.

“Të gjithë janë në teren për t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet me pasoja sa më të vogla”, ka thënë Bulliqi.

Në njoftimin e Komunës thuhet se për adresimin e problemeve dhe dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, kryetari Bulliqi ka porositur qytetarët që ta shfrytëzojnë edhe platformën e komunikimit “Alo Komuna” në 0800 19 110.

Vërshime ka pasur edhe në fshatrat Lupç e Bellopojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button