Ka ngecur projekti për pajisjen e ndërtesave në Komunën e Çairit me efikasitet energjetik, banorëve u ofrohet subvencionim shumë i ulët

Projekti për pajisjen e ndërtesave në territorin e Komunës së Çairit me efikasitet energjetik ka ngecur dhe nuk është realizuar. Edhe pse ky ishte një ndër premtimet kryesore që ka bërë kryetari aktual i kësaj komune, Visar Ganiu gjatë fushatës parazgjedhore, komuna nuk ka arritur që të bind banorët e ndërtesave që të pajtohen me ofertën e tyre për realizimin e këtij projekti, përkatësisht për rikonkstruimin e fasadave të ndërtesave, shkruan Portalb.mk. 

Nga kjo komunë deklaruar për Portalb.mk se është ndërmarrë një iniciativë përmes OJQ “Habitat for Humanity Macedonia” dhe është realizuar edhe një mbledhje me banorët e ndërtesave, megjithatë sipas tyre nuk është arritur pajtueshmëri mes palëve sa i përket kushteve që janë ofruar.

“Në lidhje me fasadat për sigurimin e efikasitetit energjetik, Komuna e Çairit ka ndërmarrë veçmë një iniciativë përmes OJQ “Habitat for Humanity Macedonia” që të fillohet me procesin e rregullimit të fasadave për ndërtesat, ku parashihet 30% subvencionim të vlerës nga ana e Komunës së Çairit. Ndër kushtet për realizimin e këtij procesi është që ndërtesat të kenë të formuar këshill banesor, gjë që duhet ta bëjnë vetë në pajtim me dispozitat e Ligjit për amvisëritë pasi është obligim ligjor ndaj tyre. Qytetarët e interesuar që tashmë kanë kryer obligimin e tyre ligjor për formimin e këshillit banesor mund të parashtrojnë kërkesë në Komunën e Çairit, ku ju qëndrojmë në dispozicion të plotë për shpjegim të detajuar të procesit të realizimit në suaza të kushteve të parapara dhe njëherë të prezantuara në mbledhjen e mbajtur me këshillat e krijuar banesor”, u përgjigjen nga kjo komunë.

Ndërkaq, Zoranço Dimitrov nga OJQ “Habitat for Humanity Macedonia”, deklaroi për Portalb.mk se me ish kryetarin e Komunës së Çairit kanë nënshkruar memorandum për bashkëpunim për renovimin e ndërtesave banesore përkatësisht të fasadave të tyre dhe me atë masë u rinovuan disa ndërtesa dhe ajo u ndërpre me ardhjen e pushtetit të ri. Sepse, duhej të nënshkruhej memorandum i ri dhe të fillohet nga fillimi dhe ajo u ndërprit për arsye të cilat nuk i di. Sipas tij, ata kanë realizuar rikonstruimin e vetëm dy ndërtesave në territorin e kësaj komune.

“Kushtet janë subvencione nga ana e komunës dhe një hua e vogël nga ana e “Habitat for Humanity Macedonia” që të bëhet konstruktimi financiar. Shuma e subvencioneve më së shumti u intereson qytetarëve të ndërtesave, përkatësisht pjesa që ata duhet ta mbulojnë dhe habitat ta sigurojë në formë të huazimit apo ndonjë institucion tjetër financiar, “Habitat for Humanity Macedonia” nuk është monopol i kësaj. Shuma e donacionit nga ana e komunës më herët ka qenë 20 për qind në memorandumin e mëhershëm, do të thotë komuna financonte 20 për qind nga çmimi i ndërhyrjes. Me siguri ajo është shumë pak për banorët e ndërtesave sepse, nëse marrim një rekonstruim mesatar të një ndërtese prej 20 banesave, nga eksperienca jonë e mëhershme e dimë se ajo kushton mesatarisht 2 mln denarë, nëse komuna jep 20 për qind ato bëjnë 400.000 denarë.  Me siguri 20 për qind që i ofron komuna janë shumë pak për banorët”, deklaroi Dimitrov.

Ai theksoi se një problem të ngjashëm ka pasur edhe me banorët e Komunës së Butelit, të cilët nuk kanë pranuar që komuna të subvencionojë vetëm 25 për qind të shumës së rikonstruimit dhe më pas komuna ka ngritur përqindjen e subvencionimit më 40 për qind dhe është arritur pajtueshmëri.

“Në qoftë se përqindja e subvencionit është më e lartë do të pajtoheshin edhe banorët e ndërtesave, atë e kërkojnë njerëzit, subvencione më të larta, 30 për qind është shumë pak që ata ta pranojnë”, deklaroi ai.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu gjatë fushatës së tij parazgjedhore, premtoi se do të fillojnë t’i pajisin shkollat me efikasiteti energjetik dhe për 141 ndërtesat që janë premtuar se do të pajisen me efikasitet energjetik thotë komuna nuk participon dukshëm në atë, por kanë marrë iniciativë për t’i formuar këshillat banesor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button