RMV, ndërtimi i ndërlidhësit me Greqinë dhe shpërndarja e gazit në komuna janë projektet kryesore për gazifikimin në vitin 2021

Vazhdimi me gazifikimin është një nga investimet kapitale të Qeverisë që është në prioritetet ekonomike për vitin 2021, njofton Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se në vitin 2021 zyrtarisht do të fillojë projekti për ndërtimin e një gazsjellësi midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, i cili do të sigurojë sasi shtesë të gazit natyror nga burime të tjera me një çmim konkurrues, dhe furnizim të sigurt.

“Ne furnizojmë gaz nga Azerbajxhani përmes TAP (Trans Adriatic Pipeline). Ky është projekti kryesor për zhvillimin ekonomik – energjetik të Maqedonisë së Veriut. Investimi vetëm për ndërlidhësin me Greqinë vlerësohet në 50 milionë euro, nga të cilat 10 milionë janë grant nga Korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor. Një lidhje e tubacionit të gazit me Kosovën është duke u hartuar dhe me këto dy projekte, Maqedonia e Veriut do të jetë një vend transit me gaz natyror dhe një nga lojtarët kryesorë me gaz natyrorë në rajon”, paralajmëroi Zaev gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2021.

Ndërtimi i tubacioneve kryesore të gazsjellësve në të gjithë vendin do të vazhdojë gjithashtu me një ritëm të intensifikuar. Në vitin 2021, duhet të përfundojë dega deri në Manastir, Tetovë dhe Gostivar, kurse pastaj do të vazhdojë me Gostivar-Kërçovë, Sv. Nikole-Veles dhe seksioni deri në Gjevgjeli e deri te TC Negotinë duke përfunduar me unazën drejt Ohrit dhe Resnjës deri në Manastir.

“Për vitin e ardhshëm, planet tona janë të përfundojmë dy seksionet që janë në ndërtim e sipër. Negociatat me Bankën Evropiane të Investimeve për financimin e ndërlidhësit me Greqinë duhet të përfundojnë gjatë vitit dhe shpresoj që deri në fund të vitit të mund të shpallim thirrjen për ndërtim. Deri në fund të vitit duhet të përfundojnë negociatat me BERZH për financimin e sektorëve Gostivar-Kërçovë, Sveti Nikollë-Veles dhe ndërlidhësin me Republikën e Kosovës. Duhet të fillojmë me dizajnimin e seksioneve, Kërçovë-Ohër dhe Ohër-Manastir. Me ndihmën e USAID, brenda vitit të ardhshëm duhet të përfundojë shkrirja e NER dhe GAMA. Kemi në plan të nënshkruajmë dy marrëveshje për ndërlidhës të rinj me Republikën e Serbisë, dhe një ndërlidhës të dytë me Republikën e Bullgarisë. Presim që të marrim një grant dhe të fillojmë studim të fizibilitetit për ndërtimin e impianti për ruajtjen e gazit natyror. Sigurisht se presim që dy fazat e ardhshme të procedurës për partneritet publik-privat, për ndërtimin e sistemit të shpërndarjes, si dhe një numër aktivitetesh të tjera do të përfundojnë me sukses,” tha drejtori i Resurseve Energjetike Kombëtare (REK) Bajram Rexhepi për “Meta“.

Ai shtoi se buxheti i parashikuar prej 2,2 milionë euro nuk është i mjaftueshëm për gazifikimin, por ata planifikojnë të fillojnë të gjenerojnë të ardhura vitin e ardhshëm dhe me kursime maksimale ai shpreson që do të jenë në gjendje të financojnë të gjitha projektet e planifikuara.

Kryeministri Zaev njoftoi se në vitin 2021 do të fillojë faza e dytë e procedurës së tenderit për zgjedhjen e partnerit privat për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit natyror në të gjitha komunat.

“Të dy kompanitë turke AKSA dhe PALLET INSAAT janë në fazën e dytë të konkursit për privilegjin e një partneri privat me një investim të vlerësuar prej rreth 300 milion euro. Shtipi dhe Kriva Pallanka janë tashmë gati, ato janë qytetet e para në Maqedoni, pas Strumicës dhe Kumanovës, me dokumentacionin e përfunduar të projektit për rrjet sekondar, kurse dokumentacioni për Prilepin, Manastirin dhe Tetovën është duke u përgatitur. 2021 do të jetë viti kur do të fillojë ndërtimi i rrjetit sekondar të tubacionit të gazit në 10 qytete të Maqedonisë, në mënyrë që tubat e gazit të arrijnë te amvisëritë”, tha Zaev.

Tashmë në janar 2021 do të mbërrijnë analizat dhe vlerësimet për pjesëmarrjen tonë në ndërtimin dhe pronësinë e terminalit të gazit natyror të lëngshëm Aleksandropulos dhe termocentralit të gazit Aleksandropulos dhe në përputhje me rrethanat, qeveria do të marrë vendim të duhur për investime në këto projekte.

Për vitin që kaloi, drejtori i REK Rexhepi tha se ndërtimi i dy seksioneve Negotino-Manastir dhe Shkup-Gostivar kanë vazhduar, edhe pse me shumë vështirësi, për shkak të pandemisë.

“Studimi për mjedisin jetësor dhe projektimi i ndërlidhësit me Republikën e Greqisë kanë përfunduar. Kemi arritur në fazën e lejes për ndërtim të seksionit Gostivar-Kërçovë. Ka filluar projektimi i seksionit Sveti Nikollë-Veles. Fillon studimi i fizibilitetit për ndërlidhësin me R. E Kosovës. Faza e parë e procedurës së partneritetit publik-privat për ndërtimin e sistemit të shpërndarjes në të gjithë vendin ka përfunduar, si dhe një numër aktivitetesh të tjera në lidhje me projektet në vazhdim”, shtoi Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button