RMV, Jankullovska mohoi që VMRO-ja të ketë qëndruar pas ngjarjeve të “27 Prillit”

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, në dëshminë e saj në çështjen lidhur me organizimin e ngjarjeve të dhunshme më 27 Prill 2017, mohoi që partia e saj, VMRO-DPMNE, të ishte organizatorja e këtyre trazirave, njofton Portalb.mk.

Në atë periudhë, ajo ishte pjesë e Komitetit Ekzekutiv të partisë dhe tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë vendimi në lidhje me protestat, gjegjësisht që VMRO-DPMNE-ja asnjëherë nuk doli me pozicion zyrtar në demonstratat e organizuara nga lëvizja “Për Maqedoni të Përbashkët”.

“Nuk u soll vendimi i Komitetit Ekzekutiv për mbështetje të protestave”, tha Jankullovska.

Në ditën kritike, dëshmoi Jankullovska, ishte në zyrën e saj në selinë e partisë dhe pretendoi se nuk kishte ndodhur asgjë e pazakontë, kurse rreth orës 5 pasdite kishte shkuar në shtëpi dhe se çfarë po ndodhte në Kuvend, sipas saj, e kishte parë në televizor.

Jankullovska është dëshmitare e propozuar nga mbrojtja. Ajo nuk është anëtarja e parë e partisë që dëshmon për këtë çështje. Kanë dëshmuar shumica e deputetëve të VMRO-DPMNE-së nga përbërja e fundit parlamentare të kësaj partie, si dhe lideri aktual Hristijan Mickoski, i cili, atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm. Të gjitha dëshmitë ishin në drejtimin që partia nuk ka qenë pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvend.

Mickoski, më konkretisht, kishte deklaruar se populli ishte vetë-organizuar.

“Protestat ishin organizuar si shprehje e pakënaqësisë së popullit, nga qytetarë që u vetë-organizuan në atë periudhë, në ato protesta mora pjesë edhe unë, shkova pothuajse çdo ditë dhe ishte reagim ndaj situatës së atëhershme politike. Sa i përket partisë, ne normalisht kemi biseduar dhe debatuar, por nëse pyetja është nëse partia i ka organizuar ato protesta, përgjigjja ime është jo”, tha Mickoski në dëshminë e tij më 25 dhjetor 2020.

Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit akuzoi ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski dhe ish-drejtorin e atëhershëm të DSK-së, Vlladimir Atanasovski, për organizimin e 27 prillit. Të gjithë akuzohen për aktin e rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë.

Gjatë hetimit u akuzuan edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish agjenti i inteligjencës Nikolla Boshkovski, por nuk u paditën, për shkak se nuk ishin të qasshëm për organet e vendit atë kohë, pasi njëri u arratis në Hungari, tjetri në Greqi dhe hetimi mbeti i hapur.

Aktualisht rasti ndodhet në procedurën e dëshmive dhe e udhëheq gjykatësi Ilija Trpkov, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është Vilma Ruskovsla.

LEXO: Dihet kush i ka hapur dyert e Kuvendit më 27 prill dhe 4 organizatorët që urdhëruan, tha Ruskovska
LEXO: U anulua gjykimi për organizatorët e 27 Prillit: Mbrojtja kërkoi t’i shohë provat
LEXO: Dy vjet nga 27-prilli i 2017-s në Kuvendin e RMV-së: Gruevski azilant në Hungari, deputetë të amnistuar (VIDEO)
LEXO: Rasti i 27 prillit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button