ANALIZË: “Regjistrimi” – operacion statistikor nën presion politik!

Regjistrimi i fundit i popullatës, ekonomive shtëpiake dhe banesave në vend është realizuar në vitin 2002. Atëherë në vendin tonë janë regjistruar 2 022 547 qytetarë dhe 564 296 familje. Në faqen zyrtare të Entit për statistikë, me përfundim në vitin 2019 thuhet që në Maqedoni jetojnë 2 076 255 qytetarë, që është thuajse 54 000 më tepër në krahasim me vitin 2002. Mirëpo kjo shifër është bërë në bazë të metodës “vlerësim i popullatës”. Kah mesi i këtij muaji pritet që Ligji i ri për regjistrim të popullatës t’i kalojë filtrat e kuvendit, mirëpo momentalisht pa përkrahje nga VMRO-DPMNEja opozitare, shkruan analiza javore ekonomik e Portalb.mk.

Pa regjistrim- matjet statistikore, strategjitë dhe projektimet janë nën “pikëpyetje”

Ligji për regjistrim, që duhet të jetë në bazë të Metodologjisë për zbatim të regjistrimit të Maqedoni, në Kuvend do të votohet me “emblemë evropiane”. Qeveria është me qëndrim përfundimtar – regjistrimi do të zbatohet nga 1 deri më 21 prill të këtij viti. Deri tani të gjitha afat janë tejkaluar, zgjidhja ligjore duhet të ishte miratuar që në tetor, por nuk u arrit konsensus politik. Drejtori i Entit për statistikë, Apostoll Simovski siguron që përgatitjet janë duke u zhvilluar, një pjesë e punëve operative janë përfunduar, por ka edhe çështje të hapura për të cilat konsiderohet që do të zgjidhen dhe që ky operacion statistikor megjithatë do të mund të zbatohet.

“Për këtë operacion janë paraparë mjete nga buxheti. Është blerë e gjithë pajisja, si dhe zgjidhja softuerike. Për ne më së shumti rëndësi ka zbatimi në teren. Sa më i mirë trajnimi për ata që do ta zbatojnë regjistrimin, aq më cilësor do të jetë regjistrimi. Shpesh herë dëshira është t’i hidhet politikës. Unë them që të gjithë jemi fajtor për shkak se ne i dhamë mundësi politikës ta politizojë regjistrimin dhe të dështojë. Konsideroj që krahas afateve të tejkaluara dhe politizimit, do të mund ta zbаtojmë këtë operacion dhe ta “pastrojmë” emrin e Entit për statistikë”–thotë drejtori Simovski.

Ai sqaron që me Metodologjinë për zbatim të popullatës do të jenë grafat për përkatësi “etnike” dhe “fetare”, diçka për çka akuzonte opozita që pushteti dëshiron ta anashkalojë. Gjithashtu sqaron që me ligjin rregullohet numri i “shtetasve” – që është në pajtim me standardet evropiane.

Në fillim të këtij viti, presidenti Stevo Pendarovski dhe drejtori Simovski u takuan për konsultim përfundimtar. Shefi i shtetit pret regjistrim që do të zbatohet sipas standardeve të Eurostat. Megjithatë – problem mbetet mungesa e përkrahjes nga ana e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, prej nga ngelin në qëndrimin që pushteti po përgatitë teren për “regjistrim falsifikat”.

“Çfarë është ai regjistrim inkluziv për të cilin flet Zaev në të cilin pushteti nuk pranoi asnjë amendament të opozitës. Është iluzore të mendohet që një Gjermani, Skotlandë dhe Irlandë ku u prolongua regjistrimi i popullatës për shkak të koronakrizës është më pak e aftë nga qeveria më e paaftë e Zoran Zaev. Kjo flet qartë se Zoran Zaev është i gatshëm për falsifikat të ri që nuk do të njihet nga VMRO-DPMNE qartë duke theksuar që nëse Zaev vazhdon ta shtyjë në mënyrë të njëanshme këtë falsifikat, gjithçka që është në kompetencë dhe në dispozicion të VMRO-DPMNEsë do të bëjë ta devalvojë këtë regjistrim politik” – thonë nga partia opozitare.

Sipas deklaratave të fundit, blloku i opozitar shqiptar, Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa do të japë përkrahje për zgjidhjen ligjore.

“Regjistrimi duhet të zbatohet për shkak se është obligim dhe për shkak se jemi shteti i vetëm në Evropë që nuk ka bërë regjistrim të popullatës, bashkë me Somalinë dhe nuk e di cilat shtete tjera. Është turp pas 18 vitesh ende të bëjmë eksperiment nëse duhet të ketë regjistrim të popullatës në shtet ose jo. Regjistrimi nuk është për t’u regjistruar partitë politike apo politikanët në shtet, por është për shkak të qytetarëve” – deklaroi para pak kohe kryeministri Zoran Zaev.

Ekspertët alarmojnë që pa regjistrim të popullatës thuaj se dy dekada, në vend, janë vënë nën “pikëpyetje” matjet statistikore, në mungesë të të dhënave zyrtare për popullatën dhe familjet nuk mund të bëhen analiza dhe parashikime autentike, të ndërtohen strategji nacionale në të gjithë sektorët, ekonomi, politikë sociale, bujqësi. Tentativa e fundit për zbatim të regjistrimit të popullatës është bërë në vitin 2011. PSP-ja e atëhershme paralajmëroi hetim për lëndën “Regjistrim” mirëpo, kah fundi i vitit 2020 lënda u mbyll me arsyetimin që nuk ka prova të mjaftueshme për përndjekje penale të të dyshuarve Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski. Ligji i ri për regjistrim të popullatës do të jetë në seancë plenare më 18 janar. Me buxhetin e këtij, për zbatim të regjistrimit të popullatës janë paraparë 4,3 milionë euro.

Ndryshe regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të zhvillohet gjatë vitit 2020, por u prolongua për shkak se lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe opozita e kërkuan një gjë të till, për vetëm disa muaj për shkak të pandemisë me covid-19.

Për realizimin e këtij procesi, planifikohet sigurimi i 5,650 paisjeve të reja.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoni është realizuar në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por nuk u realizua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button