fbpx

RMV, vitin e kaluar kemi punuar në realizim, këtë vit do të hapen rrugë të reja, afatet mbeten një kategori e ndryshueshme

Maqedonia e Veriut këtë vit pret zhvillimin e intensifikuar të infrastrukturës rrugore dhe të lëshohen në përdorim disa rrugëve të reja që janë ndërtuar gjatë viteve të fundit. Pavarësisht vonesave të zakonshme në zbatimin e projekteve për shkaka të një spektri të tërë problemesh të përbashkëta që vitin e kaluar u plotësua nga pandemia kovid-19, në 2021 përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të jetë veçanërisht i dukshëm në pjesën lindore të vendit, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Ekspres rruga Shtip-Koçani është seksioni i ri rrugor me gjatësi 28 km dhe këtë vit e gjithë rruga duhet të lëshohet për trafik. Faza e parë e kësaj autostradë u mundësua që të përdoret nga shoferët në verën e vitit 2020, ndërsa 13.7 km shtesë nga fshati Krupishte deri në Koçani duhet të përfundohen në vitin 2021.

Autostrada Miladinovc-Shtip

Qysh gjatë muajve të parë të vitit, duhet të lëshohet në përdorim edhe faza e parë e ekspres rrugës Shtip-Radovish e gjatë 23 km, në pjesën midis fshatit Sofillari dhe minierës “Buçim”. Ky projekt infrastrukturor është një nga rrugët e pakta në vend që do të përfundojë para afatit të caktuar për ndërtimin, kurse faza e dytë e kësaj rruge, e gjatë 16,9 km, po ndërtohet me ritëm të përshpejtuar. Mekanizimi i kompanisë austriake “Strabag” i filloi aktivitetet ndërtimore vitin e kaluar, e deri në fund të vitit ose në fillim të 2022 është planifikuar që midis Shtipit dhe Radovishit të udhëtohet nëpër rrugën e re.

Lidhur me pjesën lindore të vendit, duhet të përmendet ndërtimi i rrugës Korridori 8 për në Bullgari, ku në muajt e ardhshëm të vitit 2021 duhet të vazhdojë rindërtimi i pjesëve ekzistuese dhe ndërtimi i pjesëve të reja të rrugës midis Kumanovës dhe pikës kufitare Deve Bair. Shteti aktualisht po investon 90 milionë euro në lidhje rrugore më të shpejtë me Bullgarinë dhe të gjithë projektet duhet të përfundojnë deri në vitin 2022.

Midis tyre, këtë vit duhet të përfundojë rindërtimi i rrugës ekzistuese nga Kumanova në Rankovc, në gjatësi prej 31.8 km, e cila duhet të ndërlidhet në rrugën tashmë të rinovuar nga Rankovce në Kriva Pallankë. Në vitin 2021 duhet të vazhdojë rindërtimi dhe azhurnimi i rrugës ekzistuese nga Kriva Pallanka deri në vendkalimin kufitar Deve Bair, e cila duhet të përfundojë deri në fillim të vitit 2022. Së bashku me të, brenda këtij afati duhet të vihet në përdorim edhe ekspres rruga e re Rankovc – Kriva Pallankë, e cila po ndërtohet në dy faza të gjata 25 km dhe ku rreth gjysma e realizimit fizik në tokë ka përfunduar deri më tani.

Për dallim nga realizimi në kohë i rrugëve në lindje, zhvillimi i infrastrukturës rrugore në pjesën perëndimore të vendit është një histori tjetër. Autostrada Kërçovë-Ohër, sipas aneksit aktual të kontratës për ndërtimin e saj nga kompania kineze “Sinohidro”, do të përfundonte deri më 30 qershor 2021. Tashmë është e sigurt se ky afat nuk do të përmbushet nga kinezët për seksionin e gjatë 57 km, kurse “Meta.mk” informoi se në këtë periudhë po bëhen analiza shtesë për atë se sa do t’i duhet kontraktuesit dhe nën-kontraktuesit për ta lëshuar përfundimisht në përdorim këtë seksion të autostradës

Autostrada Kërçovë- Ohër

Midis Kërçovës dhe Ohrit në 2021 do të udhëtohet zigzag nëpër autostradë të papërfunduar.

Autostrada me vlerë 598 milionë euro është pjesë e Korridorit 8 pan-Evropian që kalon nëpër vend dhe është e sigurt se afati i ndërtimit do të zgjatet pas 30 Qershorit 2021. Deri më tani, aktivitete ndërtimore janë realizuar në Kërçovë-Ohër në vlerë prej rreth 350 milion euro, ndërsa Ministri Bëlagoja Boçvarski gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë për transport dhe lidhje, për vitin 2021, premtoi se këtë vit 20 kilometrat e parë të kësaj autostrade do të vihen në përdorim. Bëhet fjalë për rrugën nga Ohri në fshatin Vrbjani që u premtua vitin e kaluar se do të hapet për trafik të rregullt.

Vonesë në ndërtimin në pjesën perëndimore të vendit ka edhe në ekspres rrugën Gradsko-Prilep, që po ndërtohet në tre faza. Tashmë në shkurt 2021, pritet që të nënshkruhet kontratë për përfundim të fazës parë të kësaj rruge në pjesën grykës Farishka dhe të Drenovës e gjatë 10 km, e cila duhet të ndërtohet më së voni për 2 vjet. Deri më tani, vetëm 35% e këtij seksioni të ri është ndërtuar.

Këtë vit duhet të vazhdojë përfundimi i fazës së parë të ekspres rrugës Gradsko-Prilep; Foto: NP për rrugë shtetërore

Me realizim pothuajse identik në trase është arritur edhe në fazën e dytë të kësaj ekspres rruge, në segmentin nga Gradsko deri në Drenovë, ku ka përfunduar ndërtimi i rreth një të tretës së aktiviteteve të përgjithshme ndërtimore. Në vitin 2021, duhet të vazhdojë ndërtimi i këtij seksioni, por edhe i fazës së tretë nga lokaliteti Trojanci deri në hyrje të Prilepit në gjatësi prej 7.5 km. Ajo që është e sigurt është që afati i fundit për përfundimin e ekspres rrugës Gradsko-Prilep deri në fund të vitit me siguri nuk do të përmbushet.

Sa i përket projekteve të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, ajo që pritet nga Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore në 2021 është përshpejtimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë dhe fillimi i ndërtimit të autostradës Gostivar-Kërçovë. Në pjesën e lidhjes me autostradë me Kosovën, ky vit do të jetë vendimtar për realizimin e këtij projekti ndërtimor. Projekti themelor për fazën e dytë të autostradës nga fshati Bllacë në unazën e Shkupit duhet të përfundojë në tre mujorin e tretë të vitit 2021, ndërsa deri në fund të vitit duhet të shpallet tenderi për zgjedhjen e një ndërmarrje ndërtuese. Ndërkohë kompania nga Shkupi “Granit”, duhet ta përshpejtojë ndërtimin e 2 km të para nga kalimi kufitar deri në fshatin Bllacë, ndërtim ky që  ishte premtuar se do të përfundojë në vitin 2021.

Këtë vit duhet të fillojë të ndërtohet faza fillestare e autostradës Gostivar-Kërçovë, traseja midis Kërçovës dhe fshatit Bukojçani, e gjatë 12,7 km,. Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore pret që tenderi për ndërtimin e fazës së parë të shpallet kah mesi i vitit, ndërsa aktivitetet e ndërtimit në terren të fillojnë kah fundi i vitit 2021.

Përveç ndërtimit të rrugëve të reja, në 12 muajt e ardhshëm do të punohet në rindërtimin dhe modernizimin e autostradës përgjatë Korridorit 10. Në vitin 2021 pritet të përfundojë rehabilitimi dhe azhurnimi i korsisë së tretë të autostradës Petrovec-Katallanovë në gjatësi prej 10 kilometra. Gjatë muajve të ardhshëm duhet të fillojë ndërtimi i segmenteve të autostradës Hipodrom-Petrovec, Milladinovci-Petrovec dhe Milladinovci-Hipodrom në rajonin e Shkupit.

Për Korridorin 10 ky vit do të jetë i rëndësishëm edhe në aspekt të shpalljes së tenderit ndërkombëtar për ndërtim të sistemit informativ të komunikimit për kontrollin dhe menaxhimin e trafikut (Sistemi për Transport Inteligjent), i cili duhet të shpallet deri në dhjetor, kurse do të realizohet vitin e ardhshëm.

Viti 2021 do të jetë shumë i rëndësishëm për zbatimin e plotë të arkëtimit elektronik të taksës rrugore në të gjitha autostradat në vend. Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore në dhjetor 2020 e nënshkroi kontratën me konsorciumin nga Turqia dhe Maqedonia të kompanisë “Aselsan” nga Ankaraja dhe “Zhikol” nga Strumica, e cila duhet të instalojnë arkëtimin elektronik të taksave rrugore përgjatë Korridorit 8, por edhe për të ndërtuar dy stacione pagese në autostradën Milladinovci-Shtip dhe një në autostradën Kërçovë-Ohër. Me kontratën prej 12,5 milionë euro duhet të instalohet pagesa me pajisje elektronike të taksës rrugore në të gjitha autostradat, duke ndjekur shembullin e vendeve të zhvilluara.

Në përgjithësi, para autoriteteve shtetërore në 12 muajt e ardhshëm gjendet një plan ambicioz për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, i cili për hir të vërtetës, vitet e fundit ka marrë përparësi absolute ndaj zhvillimit të çdo lloji tjetër të infrastrukturës. Pritet që në vitin 2021 pandemia me kovid-19 të jetë problem që do të theksohet gjithnjë e më pak si justifikim për vonesat e paparashikuara të projektit, ndërsa gatishmëria dhe kapaciteti i autoriteteve për të zbatuar projekte të mëdha do të shprehen gjithnjë e më shumë. Këtu do të ketë gjithnjë e më pak hapësirë ​​për justifikime të reja për shtyrjen e afateve të përcaktuara nga vetë autoritetet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button