fbpx

Indonezi, janë gjetur mbetje të avionit të rrëzuar, mes udhëtarëve kishte 10 fëmijë

Lokacioni i rrëzimit të avionit indonezian të linjës ajrore Sriwijaya Air me 62 persona në bord është gjetur në det, sipas një zyrtari, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasi morën sinjal nga një vend që besohej të ishte vendi i rrëzimit, një ekip kërkimi dhe shpëtimi sot ka gjetur mbetjet, duke përfshirë jelekët e shpëtimit dhe pjesë trupi të njeriut, u tha gazetarëve shefi i ushtrisë indoneziane Hadi Tjahjanto.

Ai shtoi se shpreson që rrënojat e avionit Boeing 737-500 të mund të gjenden sot më vonë nga zona, në ujërat e zonës së 1 Mijë Ishujve midis ishujve Lancang dhe Laki.

“Zhytësit raportuan se dukshmëria nën ujë është e qartë dhe ka të ngjarë që më shumë pjesë nga rrënojat dhe madje edhe nga viktimat të mund të gjenden. Shpresojmë që gjithçka të nxirret më vonë këtë pasdite”, tha Tjahjanto.

“Ne kemi besim se vendndodhja është vendi ku u rrëzua aeroplani”, shtoi ai.

Presidenti indonezian Joko Widodo thuhet se po monitoron nga afër operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Avioni i fluturimeve të brendshme u nis nga Aeroporti Soakarno-Hatta i Xhakartës për në qytetin Pontianak në Borneon Perëndimore kur humbi kontaktin brenda disa minutave pas ngritjes. Ai mbante 50 pasagjerë, përfshirë dhjetë fëmijë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

Një anije luftarake indoneziane, Rigel, është ankoruar në vendin e rrëzimit që nga orët e mëngjesit të sotëm si pjesë e përpjekjeve të kërkimit dhe shpëtimit.

Më parë, Bagus Puruhito, kreu i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit, tha se ishte gjetur një çantë me mbetje që besohet të jenë pjesë të avionit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close