Sa afër është Irani që të prodhojë bombë bërthamore?

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore ka filluar të prishet dhe përpjekjet për ta shpëtuar atë po përballen me sfida të reja, pas vendimit të Teheranit që të rikthejë pasurimin e uraniumit në 20 për qind, në një uzinë nëntokësore, shkruan REL.

Kufizimet e marrëveshjes bërthamore kishin një qëllim: të zgjasnin “kohën” për Teheranin që të prodhonte materiale të mjaftueshme për të krijuar bombë, nëse ky shtet do të dëshironte të bënte një gjë të tillë. Marrëveshja thotë se kjo kohë duhet të zgjasë të paktën një vit nga rreth dy-tre muaj sa ishte më parë.

Irani përsërit se kurrë nuk ka pasur për qëllim të prodhojë armë bërthamore dhe kurrë nuk do të bëjë një gjë të tillë. Republika Islamike thotë se puna në programin bërthamor ka qëllime civile.

Teherani nisi të shkelë marrëveshjen bërthamore më 2019, pasi presidenti amerikan, Donald Trump në maj të vitit 2018 tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja dhe riktheu sanksionet ekonomike ndaj Iranit.

Kjo ka shkurtuar këtë kohë por raportet e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore të Kombeve të Bashkuara – organ ky që mbikëqyrë respektimin e marrëveshjes – kanë lënë të kuptohet se Irani nuk po punon në programin e tij bërthamor aq shpejt se do të mund ta bënte.

Shtetet evropiane, që janë përpjekur ta shpëtojnë marrëveshjen bërthamore, i kanë bërë presion Teheranit që ta respektojë atë edhe pse Uashingtoni ka ashpërsuar sanksionet. Ata po shpresojnë se SHBA-ja do të ndryshojë politikat në këtë drejtim, kur Joe Biden të inaugurohet si president i SHBA-së më 20 janar.

Biden ishte nënpresident i Barack Obamas, administrata e të cilit negocioi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Çfarë ka bërë Irani deri tash?

Irani ka shkelur shumë pika të marrëveshjes, por ende vazhdon të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe lejon që inspektorët e kësaj agjencie të kenë qasje në uzinat bërthamore.

*Uraniumi i pasuruar – Marrëveshja ka vendosur kufizime mbi rezervat e uraniumit. Irani, sipas marrëveshjes lejohet të ketë 202.8 kilogram rezerva të uraniumit, që është një pjesë shumë e vogël, pasi Teherani thuhet se kishte tetë tonë rezerva para se të nënshkruante marrëveshjen.

*Nivelet e pasurimit të uraniumit – Marrëveshja thotë se Irani mund ta pasurojë uraniumin deri në 3.67 për qind, që është shifër më e ulët krahasuar me 20 për qind, që Irani kishte para se të arrihej marrëveshja. Por, edhe kjo shifër është më e ulët sesa 90 për qind, sa ishte niveli i pasurimit të uraniumit për armët. Irani e ka shkelur limitin prej 3.67 për qind në korrik të vitit 2019 dhe që atëherë, nivelet e pasurimit të uraniumit kanë qenë deri në 4.5 për qind.

*Centrifugat – Marrëveshja e vitit 2015 i lejon Iranit që të prodhojë uranium të pasuruar duke përdorur centrifugat e gjeneratës së parë të tipit IR-1, që i ka në uzinën nëntokësore të Natanzit, që ka kapacitet për mbi 50,000 të tilla. Po ashtu, mund të operojë numër të vogël të modele më të përparuara të vendosura në uzina mbi tokë, pa pasur nevojë që të grumbullojë uranium të pasuruar. Irani kishte përafërsisht 19,000 centrifuga të instaluara para se të nënshkruante marrëveshjen.

Më 2019, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se Irani nisi pasurimin e uraniumit duke i avancuar centrifugat në uzinën që gjendet mbi tokë të Natanzanit. Që atëherë, Irani ka nisur që të zhvendosë tri kaskada apo grupe të centrifugave të avancuara në uzinën nëntokësore. Në nëntor, kjo agjenci e OKB-së tha se ka përdorur si lëndë të parë gazin heksaflorid për ato centrifuga që i ka në objektin nëntokësor.

*Fordov: Marrëveshja ndalon që të kryhet pasurim i uraniumit në uzinën nëntokësore të Fordovit, një uzinë kjo, që Irani e ka ndërtuar në mënyrë sekrete brenda një mali dhe që ishte zbuluar nga shërbimet e inteligjencës perëndimore më 2009. Në këtë uzinë, centrifugat lejohen të përdoren për qëllime të tjera, si për shembull për prodhimin e izotopeve. Në këtë uzinë, Irani tani ka 1,044 centrifuga të tipit IR-1 që janë për pasurim.

Të hënën, më 4 janar, Irani tha se do të rikthejë pasurimin e uraniumit në 20 për qind në uzinën Fordov, që me gjasë do të komplikojë përpjekjet e administratës Biden që SHBA-ja t’i rikthehet marrëveshjes bërthamore.

Sa afër është Irani që të prodhojë bombë bërthamore?

Shkeljet e marrëveshjes kanë zgjatur edhe afatin kohor për prodhimin e armëve bërthamore, por ende nuk ka vlerësim të saktë për këtë. Shumë diplomatë dhe ekspertë bërthamorë thonë se afati prej një viti – që Teherani brenda këtij afati kohor mund të krijojë bombë bërthamore – është periudhë mjaft konservative dhe se Iranit i duhet më shumë kohë që të arrijë deri te prodhimi i bombës bërthamore.

David Albright, ish-inspektor i OKB-së për armët, që ka një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit, vlerësoi në nëntor se Iranit mund t’i duhen “ tre muaj e gjysmë më së paku” për të krijuar bombë, edhe pse ai tha se për këtë Iranit do t’i duhej që të përdorte 1,000 centrifugat e avancuara, të cilat, sipas marrëveshjes, u ndaluan që të përdoren.

Çka duhet të bëjë më shumë Irani?

Nëse Irani është duke grumbulluar materiale të mjaftueshme, do t’i nevojitej që të prodhonte një bombë dhe ndoshta të vogël, aq sa të mund të bartej nga raketat balistike. Sa kohë do t’i duhej që ta arrinte një gjë të tillë është ende e paqartë, por mbledhja e materialeve të nevojshme për krijimin e bombës shihet gjerësisht si pengesa kryesore në këtë proces.

Shërbimet e inteligjencës amerikane dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore besojnë që Irani më herët kishte një program për armët bërthamore, i cili është ndaluar. Ka të dhëna që sugjerojnë se Irani ka marrë një model për armë bërthamore dhe ka bërë disa lloje të provave të rëndësishme që ta krijojë një armë të tillë.

Teherani vazhdon ta lejojë agjencinë e OKB-së që të ketë qasje në ndërtesat e bërthamore dhe ka lejuar që inspektorët të shkojnë dhe të shikojnë edhe vende të tjera.

Më 2020, Irani dhe Agjencia për Energji Bërthamore zgjidhën një mosmarrëveshje, pasi për disa muaj, inspektorëve të kësaj agjencie iu ndalua qasja në dy uzina të dyshuara bërthamore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button