Negociatat e anëtarësimit

Politika e përbashkët e jashtme dhe politika evropiane e sigurisë dhe mbrojtjes e BE-së bazohen në akte ligjore, duke përfshirë marrëveshje ndërkombëtare detyruese dhe dokumente politike. Kapitulli 31 i Acquis-it përbëhet nga deklarata politike, veprime dhe marrëveshje në mes shteteve. Shtetet anëtare të unionit duhet të jenë në gjendje të zhvillojnë dialog politik në kuadrin e politkave të sigurisë të BE-së. Shteteve aplikuese u kërkohet që të përafrohen në mënyrë progresive me deklaratat e BE-së dhe të zbatojnë sanksione dhe masa kufizuese kur ju kërkohet po nga Bruskeli.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia si kandidate për në BE po jo anëtare, vazhdojnë të jenë jashtë politikave të sigurisë dhe atyre ekonomike kur flitet për çështjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë. Tani le të fillojmë me kriteret e pranimit në BE që shtetet kandidate duket t’i kenë parasyshë, sepse politikanët vendor shpeshherë ose bëjnë veprime të qëllimshme ose nuk i kanë të qarta se pse është me rëndësi që politika e jashtme dhe mbrojtjes të jetë e njëjtë me të BE-së dhe aty nuk duhet të ketë standarde të dyfishta diplomatike.

Kriteret e pranimit ose ndryshe të quajtura si Kriteret e Kopenhagës (1993), janë kushtet thelbësore që duhet t’i plotësojnë të gjitha shtetet kandidate për t’u bërë një vend anëtarë, kritere që duket se politikanët e Ballkanit Perëndimor i harrojnë shpesh. Në kriteret politike bëjnë pjesë: stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e pakicave; kriteret ekonomike: një ekonomi funksionale e tregut dhe aftësia për të përballuar konkurrencën; dhe kapacitetet administrative dhe institucionale për të zbatuar në mënyrë efektive “Acquis-in” e BE-së.

Kur jemi te politika e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit, aftësia e Brukselit për të pranuar anëtarë të rinj është me mjaft rëndësi. Franca, Danimarka dhe Holanda janë shtetet që gjatë dy viteve të fundit i kushtojnë mjaft rëndësi Kritereve të Kopenhagës. Brukseli rezervon të drejtën të vendosë kur një vend kandidat i ka përmbushur këto kritere dhe kur BE-ja është e gatshme të pranojë anëtarin e ri ose të fillojë bisedimet për të hapur kapitujt. Për sa u përket kushteve për anëtarësim, BE-ja operon me procedura gjithëpërfshirëse të miratimit që sigurojnë që anëtarët e rinj të pranohen vetëm kur ata mund të demonstrojnë se janë në gjendje të luajnë plotësisht rolin e tyre si anëtarë dhe në përputhje me të gjitha standardet e BE-së.

Në këtë proces më rëndësi është të theksohet se duhet pasur pëlqimin e institucioneve të BE-së, shteteve anëtare dhe parlamenteve kombëtare që një anëtarë kandidat të bëhet pjesë e unionit. Në kriteret e anëtarësimit janë vënë disa kushte se kush mund të anëtarësohet në BE dhe si. Traktati i BE-së thotë se çdo vend evropian mund të aplikojë për anëtarësim nëse ai shtet i respekton vlerat demokratike të BE-së. Hapi i parë është që vendi të përmbushë kriteret kryesore të pranimit dhe BE-ja gjithashtu duhet të jetë në gjendje të integrojë anëtarët e rinj. Në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor kushte shtesë për anëtarësim, u vendosën në të ashtuquajturin “Procesi i Stabilizim-Asocimit”, që kryesisht ka të bëjë me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Tek negociatat dhe fillimi i tyre, duhet të kemi parasysh se çfarë negociohet në mes BE-së dhe shteteve aspirante. Më konkretisht kur Maqedonia e Veriut do të fillojë procesin e hapjes së kapitujve, duhet të jemi të informuar se çka autoritetet e Shkupit dhe të Brukselit do të negociojnë. Si qytetarët të interesuar që një ditë të bëhemi pjesë e unionit me rëndësi është që kushtet dhe koha e miratimit të ligjeve të lëvizë në përputhje me dinamikat e BE-së dhe kriteret e vëna nga unioni. Zvarritja e hapjes dhe mbylljes së kapitujve ka pasoja në kohën se kur një shtet do të bëhet anëtarë i BE-së. Këto rregulla janë të ndara në fusha të ndryshme të politikave ose kapitujve që i kemi diskutuar në artikujt rreth BE-së, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, energjia, shteti i së drejtës, siguria, ekonomia, transporti etj. Secila prej tyre negociohet veçmas me BE-në. Gjatë gjithë negociatave, Komisioni Evropian (KE) e monitoron progresin e kandidatit në zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe përmbushjen e angazhimeve të tjera. Komisioni gjithashtu mban të informuar Këshillin e BE-së dhe Parlamentin Evropian (PE) gjatë gjithë procesit, përmes raporteve të rregullta. Kur negociatat dhe reformat shoqëruese të kenë përfunduar për kënaqësinë e të dy palëve, vendi mund të bëhet pjesë e BE-së. Gjithashtu kjo shoqërohet me mbylljen e kapitujve, kontrollin nga BE-ja nëse kanë mbetur çështje të hapura dhe në fund është Traktati i pranimit të shtetit të ri në union. Siç dihet anëtarësimi në BE nuk është aq i lehtë, krahasuar me kohën kur Bullgaria dhe Rumania u bënë anëtare të BE-së. Pasi disponimi në BE nuk është i njëjtë ashtu siç ka qenë para një dekade, kriteret apo politikat kombëtare të shteteve të unionit do të përcaktojnë të ardhmen e zgjerimit, me prirje për të penguar pranimin me anëtarë të rinj nga Ballkani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button