Reformat në arsimin fillor, mundësi apo eksperiment i radhës

Prapë filloj puna në kantierin e ndërtimit të quajtur arsim fillor, i cili edhe pse gjithë këto vite në ndërtim e sipër, nuk jep që nuk jep rezultate. Të paktën në një pikë të gjithë jemi dakord, se nevojiten reforma në arsim përfshirë këtu edhe arsimin fillor. Por kur fillon diskutimi mbi format dhe mënyrat e realizimit të reformave, për fat të keq pjesa më e madhe e debatit zhvillohet në drejtim të gabuar duke pasur për bazë interesat personale, paragjykimet apo mosdëshirën për të ndryshuar.

Po të shohim diskutimet e javëve të fundit mbi reformat në arsimin fillor dhe reagimet e institucioneve të ndryshme, vërejmë se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë si qëllim kryesor rritjen e cilësisë dhe ngritjen e arsimit fillor në përputhje me zhvillimin teknologjik, shoqëror dhe global, pra nuk kanë në rend të parë fëmijët tanë, të ardhmen e shoqërisë sonë. Gati të gjitha reagimet janë të formës, po reforma por jo duke filluar nga ne, duke tentuar të na bindin se sa të rëndësishme janë profile apo lëndë të caktuara e pa të cilat nuk mund të kemi shoqëri të shëndoshë dhe arsim cilësor. Gjatë diskutimeve të zhvilluara bie në sy mosinteresimi i elementit shqiptar, parasegjithash institucioneve arsimore, shkencore dhe shoqërisë civile në tërësi, përjashtuar këtu anëtarët e grupeve të punës për përpilimin e ndryshimeve ligjore. Si zakonisht, pasi të miratohen ligjet do të fillojmë të bërtasim pse nuk u bë kështu apo ashtu.

Evidente është se në botë ekzistojnë modele të ndryshme për sa i takon organizimit të lëndëve dhe planprogramit mësimor për shkollat fillore, dhe çdonjëri nga këto modele ka treguar sukses në vlerësimet ndërkombëtare. Kjo tregon se më pak rëndësi ka mënyra e organizimit gjegjësisht grumbullimit të lëndëve, se sa përmbajtja lëndore, forma e organizimit të mësimdhënies, krijimit të kushteve teknike, etj. Pra është me rëndësi mënyra e konceptimit dhe realizimit të gjithë strategjisë së arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm.

Megjithatë koncepti i grumbullimit të lëndëve sipas fushave shkencore veçanërisht për shtete dhe shoqëri të vogla siç jemi ne është më i përshtatshëm, më efektiv dhe më inkluziv që çon në shfrytëzimin më racional të resurseve dhe mësimnxënien më efektive nga ana e nxënësve. Si mund të arsyetojmë gjendjen aktuale ku nxënësit vite me radhë ndjekin etikë, kulturë qytetare, histori, gjeografi apo arsim teknik, arsim figurativ dhe arsim muzikor, kur të njëjtat fëmijët e mi në vitin akademik 2018/2019 në Boston i ndiqnin në kuadër të shkencave sociale gjegjësisht si lëndë tremujore apo semestrale (artet).

Për një reformë të suksesshme në arsimin fillor, mendoj se është e arsyeshme të bazohemi në këto pika:

– Tërësia e konceptit, të jetë i menduar mirë si në aspektin përmbajtjesor ashtu edhe në fazat e realizimit praktik të tij.

– Përmbajtja lëndore, duhet të shkëputemi nga koncepti “Ruso-Komunsit” i stërngarkimit të lëndëve me materiale, me idenë që fëmijët të nxënë sa më shumë të jetë e mundshme. Një koncept i tillë është i lodhshëm për fëmijët dhe i bën më rezistues ndaj mësimnxënies.

– Trajnimi i mësuesve, në fakt pjesa më e madhe e reformave në arsim kanë dështuar gjatë zbatimit në praktikë. Arsimtarët i kemi mbushur me lloj lloj certifikatash të cilat për fat të keq shumë pak kanë kontribuar në zhvillimin e koncepteve inovative të mësimdhënies, pra në rritjen e cilësisë në arsim. Trajnimet duhet të bëhen jo vetëm mbi metodologjinë dhe format e ndryshme të realizimit të mësimdhënies por edhe përmbajtjen e lëndëve, p.sh. me konceptin e ri një arsimtar i Kimisë duhet të ketë njohuri bazë mbi Fizikën dhe anasjelltas. Mentorët dhe këshilltarët që do të zgjidhen duhet së pari të verifikohen se ajo çka kanë në certifikata edhe e posedojnë.

– Furnizimi me pajisje laboratorike i shkollave në shkencat e natyrës, artet apo edukatë fizike. Duhet kujtuar se një pjesë e mirë e eksperimenteve në shkencat e natyrës për shkollat fillore mund të realizohen me mjete rrethanore, koncept i cili duhet të promovohet dhe për të cilin duhet te përgatiten arsimtarët. Një koncept i tillë do të nxiste shumë kreativitetin e fëmijëve.

Element tjetër shumë i rëndësishëm nga i cili varet shumë suksesi i reformave janë kushtet në teren për realizimin e tyre. Një koncept i tillë konkret mungon në propozimin e ministrisë së arsimit dhe shkencës. Këtu kemi parasysh shkollat që punojnë me dy ndërrime dhe ku numri i nxënësve nëpër klasa është mbi 30, nuk kanë salla sportive apo ambiente shtesë, e që janë shumë të rëndësishme për realizimin e aktiviteteve të lira. Në këtë fazë inicativa për shpërndarjen e mjeteve laboratorike nëpër shkollat fillore, pa kabinete apo hapësira të lira shtesë, duket e nxituar. Nevojitet një plan konkret investues për plotësimin e kushteve, në mënyrë që reformat të jenë të suksesshme.

Duhet të reflektojmë dhe pranojmë se një pjesë e arsimtarëve janë në moshë dhe të lodhur nga mësimdhënia, prandaj duhet menduar mënyra e pensionimit të parakohshëm të tyre nga procesi arsimor dhe zëvendësimi me kuadro të reja, që do të jenë më të gatshëm të adaptohen në konceptin e ri të mësimdhënies.

Për fat të keq pjesën më të madhe të debatit shqiptarët e orientuan në atë se gjuha shqipe duhet të jetë e detyrueshme e jo zgjedhore, që për mendimin tim më së shumti duhet ta debatojnë komunitetet e tjera. Ata duhet të reflektojnë se ju nevojitet, e nëse sot jo, të jeni të sigurt se nesër do të reflektojnë dhe vetë do ta kërkojnë.

Duhet shfrytëzuar rasti dhe të kërkohet zbatimi i konceptit multietnik në lëndët si shkencat shoqërore dhe muzika, p.sh. fëmijët e komunitetit shqiptar fillojnë të mësojnë historinë apo ninullat e tjerëve pa mësuar të vetat. Ata sot një pjesë të historisë e mësojnë nga materiale „klandestine“ që nuk kanë leje nga organet përkatëse. Të lejohen tekste me përmbajtje të ndryshme që do të reflektojnë këtë multietnicitet dhe multikulutralizëm, kuptohet që në vetë përmbajtjen e teksteve të reflektohet multietniciteti, p.sh. në tekstet që do të mësojnë nxënësit shqiptar të dominojë Historia Shqiptare, por me një përqindje të caktuar të përfshihet edhe historia e etnive tjera. Një koncept i tillë duhet parë në kontekstin e të drejtës natyrore të çdo etnikumi për të njohur vetveten para se të njohë të tjerët.

Të krijohen organe të veçanta në nivel qendror që do të kontrollojnë cilësinë e përkthimeve dhe do të zgjedhin përkthyesit ashtu siç përzgjidhen anëtarët e ekipit recensues gjatë botimit të teksteve. Tekstet jo vetëm të përkthehen por edhe të adaptohen në përputhje me etnin që do ti përdorë ato.

Mendoj se është koha të japim një kontribut më konstruktiv dhe ta shfrytëzojmë rastin të realizojmë reforma të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse që kanë në rend të parë fëmijët tanë, të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e shoqërisë si tërësi.

Bashkim Ziberi

profesor universitar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button