Largimi i studentëve nga RMV, Aliti: Do duhej libër i tërë për të ilustruar mangësitë e sistemit arsimor në RMV

Teknologjia, pajisjet moderne si dhe kushtet themelore për studentët janë disa nga përparësitë të studimit jashtë kufijve të RMV-së tha studenti Armend Aliti, i cili sapo ka përfunduar studimet në Austri, ku edhe aktualisht jeton. Ndërkaq, aktualisht ka 5.704 studentë të RMV-së në botë, shkruan Portalb.mk.

Mbi 5.700 të rinj nga Maqedonia e Veriut, pasi e kanë mbaruar shkollimin e mesëm, janë larguar jashtë vendit për të studiuar, kështu tregon raporti i një prej organizatave më kredibile në botë, UNESCO, apo Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.

Portalb gjatë këtyre muajve kontakton me disa nga këta studentë për të parë arsyet kryesore se pse ata vendosin të lëshojnë vendin për të studiuar në shtetet e BE-së, i intervistuari për këtë javë është Armend Aliti i cili është larguar nga RMV-ja menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme.

“U largova në moshën 19 vjeçare në fund të vitit 2012 me qëllim të studimeve jashtë shtetit. Edhe pse sapo mbarova arsimin e mesëm në Gjimnazin e Tetovës fitova një bursë për studime në Stamboll të Turqisë ku gjithçka do kisha të paguar por, pas shumë hulumtimeve të mia në internet përsëri diçka më tërhiqte në Vjenë. Kishte shumë komente pozitive për fakultetin ku unë tashmë kam studiuar, u njihte si njëri ndër fakultetet më të mira në Evropë. Por, me thënë të drejtën unë nuk ndalova të realizuari qëllimin tim të vetëm, të studioja jashtë vendit tim dhe pikërisht në Vjenë të Austrisë”, tha Armend Aliti.

Armend Aliti, arkitekt.
Armend Aliti, arkitekt.

Sipas Armendit, RMV-ja ka mungesë të teknologjisë dhe pajisjeve të nevojshme të cilat janë në trend me kohën, që këtë, të ua mundësojnë edhe studentëve. Andaj, Aliti këto të fundit i radhiti si përparësitë kryesore të studimit jashtë vendit.

“Padyshim që ka përparësi. Këtu hyjnë shumë gjëra. Duke nisur nga teknologjia dhe pajisjet teknologjike që janë në trend me kohën si dhe përvoja qindra vjeçare në lëmi të ndryshme që kanë disa vende evropiane siç është Austria ku unë kam zgjedhur të vijoj studimet e mia të arkitekturës” theksoi Armend Aliti.

Duke parë “të mirat” e sistemit arsimor në Austri, Armendi ka filluar të dalloje edhe mangësitë e sistemit arsimor të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse kërkuam të radhite disa nga mangësitë, sipas tij, do të duhej një libër i tërë për ta bërë këtë.

“Në fillim nuk kishte diçka specifike tek arsimi në RMV që më shtyu të dal jashtë shtetit. Ishte më shumë kurioziteti për një eksperiencë të re e pak më ndryshe. Mirëpo gjatë  disa viteve studime këtu, kam mundur të dalloj shumë qartë, mangësitë e arsimit në RMV, ose më saktësisht përparësitë që të mundëson studimi në një vend si Austria apo çfarëdolloj vendi evropian. Kjo është shkencë në vete dhe do duhej një libër i tërë për ti ilustruar dallimet dhe mangësitë” shtoi Armendi.

Ky i fundit sapo ka mbaruar studimet në Fakultetin e Arkitekturës në Vjenë të Austrisë dhe nuk është kthyer në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ai thotë se aktualisht e shijon jetën dhe mbledh eksperienca pune në një nga shtetet më të zhvilluara të BE-së, nuk e përjashton mundësinë e kthimit në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, studentët nga RMV studiojnë në shumë shtete të botës e më së shumti, në Turqi, Bullgari dhe Slloveni. Sipas raportit të UNESCO-s, studentët e larguar nuk dëshirojnë të kthehen në vendin amë dhe kjo shkon në dëm të shtetit, për shkak se shteti atyre studentëve u ka paguar mësues e profesorë për të shkolluar, u ka siguruar libra, mjete për mësim, ngrohje, trajnime e gjithçka që nevojitet për mjedisin arsimor, ndërkaq shteti që ata kanë shkuar për të studiuar, i ka pranuar si kuadro të përgatitur deri në një shkallë të caktuar ku janë të aftë që pas mbarimit të shkollimit të lartë të punojnë për atë shtet që nuk ka investuar në ato.

Mbase një ndër arsyet e ikjes, sipas asaj që kemi hulumtuar është dhe mungesa e ofrimit të arsimit cilësor. Këtë e dëshmuan edhe në hulumtimin tonë, ku studentët pa mësuar i blejnë temat e diplomave të baçelorit e magjistraturës – në këtë mënyrë ata nesër kanë diploma të barasvlershme me kuadrin që me dije ka mbaruar shkollimin. Sipas analizave tona, mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. 

Shteti në gjumë ndaj këtij fenomeni. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend. Një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button