Maqedonia, mbeturinat dhe deponitë në vitin 2030: Qytetarët për ndryshime do të duhet të fillojnë nga vetja (infografik+foto)

Zakonisht në mëngjes në një furrë buke në Shkup. Dy të katërtat byrek dhe dy gota jogurt, i thotë blerës Tome shitëses. Ai ka dalë nga shtëpia për të blerë mëngjes për familjen e tij, por ka harruar të merrte me vete qesen e pëlhurës. Edhe nëse do ta merrte me vete, shitësja përsëri do të habitej që Tome i ka ofruar asaj qese për të vendosur byrekun dhe përgjigjet se megjithatë ajo do t’i vendosë produktet në qese plastike, edhe atë jogurtin në qese të veçantë, që të mos ftohet byreku nëse do t’i vinte në një qese. Tome në fund largohet nga furra me dy qese plastike, dy gota jogurt dhe letër të mbushur me vaj. Pas mëngjesit, krejt këto si mbeturina për një përdorim do të hidhen në koshin e mbeturinave, që më pas do të përfundojnë si mbeturina të përziera në deponinë “Drislla”, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nuk ka asgjë të çuditshme në historinë e mësipërme, sepse shumica e qytetarëve në vend e jetojnë këtë përditshmëri. “Meta.mk” tashmë ka shkruar që krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, Maqedoni është me dekada prapa për sa i përket trajtimit të mbeturinave. Numri i qytetarëve dhe subjekteve aktive që kujdesen për këtë çështje po rritet në mënyrë jo proporcionale me rritjen e plehrave që krijohen gjatë viteve, kurse shteti dhe komunat në dekadën e gjysmë të fundit nuk kanë arritur të ndërtojnë një deponi të vetme rajonale, as nuk kanë bërë përpjekje sa duhet për të inkurajuar qytetarët të fillojnë të ripërdorin mbeturinat dhe edhe përmes selektimit në shtëpitë e tyre.

Në fund të vitit 2020, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e përfundoi përgatitjen e Planit të ri kombëtar për menaxhim me mbeturinat për periudhën 2020-2030. Dokumenti është ambicioz, por nuk është i pari, as i fundit dhe është plot me premtime, me afate, për të cilat në fund të fundit askush nuk është përgjegjës nëse nuk përmbushen. Sipas planit, në fund të dekadës së ardhshme në vend do duhej të ndërtoheshin, gjashtë deponi rajonale për trajtim modern të mbeturinave komunale, me qëllim të caktuar që 25% të të gjitha mbeturinave komunale të riciklohen deri në vitin 2025.

Deri në vitin 2030, mbeturinat komunale nga të gjitha familjet në vend do të duhet të grumbullohen, por edhe duhet të zgjidhet problemi i pastrimit dhe mbylljes së të gjitha deponive dhe vendeve me mbeturina “të shpërndara” në natyrë. Duhet të ndërtohen tre impiante të reja për trajtim të mbeturinave bio, duhet të zbatohen katër fushata gjithëpërfshirëse për popullatën për grumbullim të veçantë, trajtim të mbeturinave, por edhe për ndërgjegjësimin e qytetarëve në mënyrë që të krijohen më pak mbeturina. Zgjidhje shtesë ofrohen për mbeturinat komerciale dhe industriale, mbeturinat e ndërtimit, mbeturinat mjekësore, mbeturinat e rrezikshme, llumet e krijuara nga impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura… Si ilustrim, vetëm financimi i ndërtimit të një deponi rajonale dhe i gjithë sistemi i menaxhimit me mbeturina në dy rajone në vend (Lindje dhe Verilindje) do të kushtojë 40 milion euro.

Jo në oborrin tim

Historia e menaxhimit rajonal me mbeturinat në Maqedoni fillon në vitin 2004, me miratimin e Planit hapësinor i cili parashikonte ndërtimin e tetë deponive rajonale në vend. 16 vjet më vonë, të tetë rajonet kanë miratuar plane rajonale të menaxhimit të mbeturinave, por në asnjërin prej tyre nuk është ndërtuar ndonjë deponi standarde moderne që do t’i shërbejë rajoneve.

Në vend të kësaj, në një dekadë e gjysmë të kaluar, pakënaqësia me hapjen e deponive rajonale është shfaqur në pothuajse të tetë rajonet. Komunat ku do të ndërtoheshin po protestojnë dhe kërkojnë zhvendosje, popullata lokale nuk ishte plotësisht e informuar, organizonte protesta, peticione, bllokada dhe forma të tjera të presionit, ndërsa kryetarët dhe këshillat e komunave ndoqën veprime të tilla qytetare për të zbutur pakënaqësinë e popullsisë. Ndërkohë, edhe vendet fqinje na arritën dhe na kalaun duke  vendosur kritere më të rrepta, kështu që Serbia, nga 26 deponitë rajonale, deri në vitin 2020 ka ndërtuar 10 në të cilat zbatohet teknologjia e menaxhimit të mbeturinave, që për mediat lokale, nga perspektiva e sotme, është shumë pak.

“Meta.mk” u përpoq të kontaktojë me autoritetet komunale dhe rajonale, ku çështja e ndërtimit të deponive rajonale u shndërrua në problem që mori një publicitet të madh mediatik. Me shumicë votash, këshilltarët në Këshillin e Komunës së Rosoman disa kohë më parë votuan se ata nuk duan të ndërtojnë deponi rajonale për rajonin e planit të Vardarit në territorin e tyre.

Në pyetjen “Cilat janë arsyet kryesore pse si qeveri komunale nuk jeni dakord të ndërtoni një deponi rajonale në territorin e komunës tuaj?”, Komuna e Rosoman na dha një përgjigje të shkurtër: “irracionale dhe lokale patriotike”. Lidhur me çështjen e trajtimit të mbeturinave në komunën e tyre, qeveria lokale shpjegon se ekziston një deponi jo-standarde komunale, por edhe vende me hedhurina, kurse ata e organizojnë bartjen mbeturinave nga vendbanimet.

Mbeturinat e depozituara në "Drislla"; Foto: Bojan Blazevski
Mbeturinat e depozituara në “Drislla”; Foto: Bojan Blazevski

Qendra për Zhvillim të rajonit të planifikimit Vardar në lidhje me pyetjet për deponinë rajonale u përgjigj se atyre duhet t’u përgjigjet Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor. Përgjigje identike morëm nga Qendra për zhvillim të rajonit të planifikimit Jugperëndimor.

“Qendra për zhvillim të rajonit të planifikimit Jugperëndimor ishte e përfshirë në përgatitjen e dokumenteve në lidhje me menaxhimin rajonal të mbeturinave para disa vitesh. Në fund të vitit 2016, ato dokumente u finalizuan, por për shkak të reagimit të komunës së Debrcës, u kërkua të përpunohen dokumentet dhe të propozohet një vend tjetër për deponinë. Që nga ai moment, e gjithë çështja u mor përsipër nga Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor” informon Mirjana Llozanoska, për Meta.mk, udhëheqëse e Qendrës për zhvillim të rajonit të planifikimit Jugperëndimor”.

Komuna e Debrcës e fitoi betejën, pasi një vit më parë Komisioni qeveritar i shkallës së dytë e anuloi vendimin që parashikonte që zona e fshatit Godivje në këtë komunë të zgjidhej si vend ku do të ndërtohet deponi rajonale me një impiant për trajtim të mbeturinave për rajonin e planifikimit Jugperëndimor.

Kryetari i Komunës së Debrcës, Zoran Nogaçeski për “Meta.mk” thotë se as ata si komunë, as banorët e saj, nuk janë kundër përpjekjeve të Qeverisë për krijimin e një sistemi të integruar rajonal për menaxhim të mbeturinave.

“Është e palejueshme që vendndodhja e impiantit qendror të jetë në një zonë që është natyrë e paprekur, në zonë që është pjesë e trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore dhe që i përket pellgut ujëmbledhës të Liqenit të Ohrit”, tha kryetari i komunës Nogaçeski.

Kreu i kësaj komune nga rajoni Jugperëndimor shton se procedura për miratimin e dokumentacionit, Plani për menaxhim me mbeturina për Rajonin e planifikimit Jugperëndimor dhe Studim për ndikim në mjedisin jetësor u zhvillua në një mënyrë shumë jo-transparente, pa marrë parasysh mendimet e disa institucioneve përkatëse. siç janë Instituti Hidrobiologjik Ohër, Zyra për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komisioni kombëtar i UNESCO-s dhe aktorë të tjerë të interesuar, ndërsa në dokumentacion konsulenti kishte propozuar zgjidhje kontradiktore.

Kryetari i Bashkisë Zoran Nogaçeski thotë se vendndodhja e deponisë së ardhshme rajonale për rajonin e planifikimit Jugperëndimor duhet të jetë jashtë pellgut ujëmbledhës së Liqenit të Ohrit dhe ai personalisht beson se dy ose tre rajone të vendit duhet të kenë një impiant modern. Lidhur me deponitë ilegale, ai pranon se ka në territorin e Komunës së Debrcës, të cilat pastrohen, por mbeturinat aktualisht përfundojnë në deponinë jo standarde Bukovë në Ohër.

Komunat dhe ndërmarrjet komunale mund të bëjnë shumë më tepër

Ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor u përgjigj se në vitin 2018 Qeveria vendosi të marrë përsipër përgjegjësinë nga komunat në rajone të caktuara të planifikimit dhe të zbatojë procesin e krijimit të deponive rajonale, duke përfshirë gjetjen e fondeve për të financuar këto sisteme rajonale. Deri më tani, janë siguruar fonde të BE-së për sistemet rajonale për menaxhim me mbeturina për rajonin planifikimit Lindor dhe Verilindor. Për rajonin Jugperëndimor, Pellagonisë, Vardarit dhe Juglindjes janë planifikuar fonde përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kurse për rajonin e planifikimit të Pollogut, fondet janë marrë nga Qeveria e Zvicrës.

Sidoqoftë, konstatimin se komunat dhe ndërmarrjet publike komunale duhet të punojnë shumë më tepër e ndan jo vetëm qeveria qendrore por edhe nga kompanitë për menaxhim me paketim dhe mbeturina të paketimit. Pakomak SHPK thotë se me disa përjashtime, kompanitë e shërbimeve në vend po luftojnë me probleme financiare, nivel të ulët të kapacitetit operacional dhe teknik, mbi-punësim dhe probleme të ngjashme, të cilat kanë çuar në një gjendje letargjike shumëvjeçare. Ata shpresojnë që shërbimet publike të gjejnë forcën për të filluar njëkohësisht përmirësimin e planifikuar të selektimit primar dhe mbledhjes së mbeturinave të paketimit, duke përdorur plotësisht objektet e tyre.

mbeturina, kosh, plehra, selektim, pakomak
Foto nga Portalb.mk/Arbnora Memeti

Në 10 vitet e kaluara, Pakomak ka vendosur bashkëpunim me më shumë se 40 qeveri lokale në Maqedoni dhe deri më tani ata kanë instaluar 1.400 copë kontejnerë plastikë për mbledhjen e mbeturinave të qelqit. Nga atje ata informojnë se janë duke punuar në dy mënyra të reja të mbledhjes së mbeturinave të paketimit, përkatësisht instalimin e pajisjeve të kthyeshme për mbledhjen e paketimeve PET dhe kanoçe alumini, si dhe metodën e mbledhjes derë më derë përmes së cilës, brenda gjashtë muajsh, ata mblodhën 40 tonë paketim qelqi.

Në pjesën e menaxhimit me paketimin dhe mbeturinave të paketimit, Pakomak vlerësojnë se administruesit kolektivë të mbeturinave të paketimit me ndihmën e institucioneve duhet të zvogëlojnë numrin e personave juridikë që shmangin detyrimet që burojnë nga ligji aktual dhe të gjejnë mekanizma për t’i përfshirë sistemet e aktorëve kolektivë. Inspektimi është çelësi i suksesit afatgjatë në menaxhimin e mbeturinave, thonë nga Pakomak.

Si të zvogëlohet sasia e mbeturinave të gjeneruara në vend?

Sipas vlerësimeve nga Enti shtetëror i statistikës, vitin e kaluar në vend janë grumbulluar 632.484 tonë mbeturina komunale, ndërsa kemi krijuar sasi rekorde prej 456 kilogramë të mbeturinave komunale për kokë banori. Kjo do të thotë që një familje prej katër personash gjeneron mesatarisht 1.8 tonë në vit edhe atë vetëm mbeturina komunale, ose pothuajse, çdo familje hedh mesatarisht gati 5 kilogramë mbeturina çdo ditë! Ky gjenerim i paarsyeshëm i mbeturinave nga qytetarët dhe kompanitë çon në grumbullimin e mbeturinave në kontejnerë, dhe më pas në vetë deponitë, duke krijuar deponi dhe deponi mbeturinash në çdo hap, dhe rezultati është ndotja e mjedisit jetësor – tokës, ajrit dhe ujit.

Për Andrijana Papiq Mançevën nga iniciativa “Nga zero në zero”, shifrat për mbeturinat komunale të krijuara në vend janë të pabesueshme. Në vitin 2018, ajo përktheu nga anglishtja librin “Zero Waste House” nga Bea Johnson, e cila erdhi në Shkup me ftesë të kësaj nisme dhe mbajti një ngjarje për të ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për pasojat e dëmshme të shprehive të shoqërisë konsumuese, për sasinë e madhe të mbeturinave që planeti nuk mund t’i bartë më tej fuqinë e individit për t’i lëvizur gjërat nga pozita zero.

Papiq Mançeva thotë se përzgjedhja e mbeturinave është shumë e rëndësishme, por lëvizja kryesore e secilit individ do të ishte ripërdorimi i paketimit dhe të gjitha sendeve të tjera që ne i konsiderojmë si mbeturina.

“Hapi i parë për te zero mbeturinat është të shikohet gjithçka në kosh në shtëpi dhe të mendohet se cilat paketime mund të shmangen”, tha ajo.

Shumica e ushqimeve të përdorura në kuzhinën tonë mund të gjenden me shumicë dhe të blihen në qese letre, torba të pëlhurës ose enë që mund t’i marrim me vete kur bëjmë pazar. Duke përdorur torba, gota dhe enë që mund të përdoren më shumë herë, të gjithë ne si qytetarë mund të shmangim plastikën që është në dispozicione. Mund t’i bëjmë disa nga produktet kozmetike vetë, me vetëm disa përbërës që janë në dispozicion në paketim të ri-përdorshëm, ose t’i blejmë nga prodhuesit e vegjël vendas, thotë ajo.

“Renditja dhe kompostimi i mbeturinave organike mund të jetë gjithashtu një fillim i shkëlqyeshëm. Ose shmangia e qeseve. Ose duke blerë rroba të përdorura. Ose zvogëlimi i marrjes së mishit dhe produkteve të qumështit, Papiq Mançeva u jep sugjerimet e saj çdo individi që lexon këtë tekst.

Pesë rregullat që ndjek Bea Xhonson dhe ajo i përsërit ato: të hedhim poshtë ato që nuk na duhen si qytetarë, për shembull, fletëpalosje, produkte falas, karta biznesi dhe të ngjashme; për të zvogëluar atë që na nevojitet në të vërtetë (shembull: rroba, sende dekorative, libra, produkte pastrimi, kozmetikë); të ripërdorin / ri-dedikohen produktet, në mënyrë që produktet e për një përdorim të mund të zëvendësohen me produkte për më tepër përdorime; të riciklojmë atë që nuk mund të refuzohet, të zvogëlohet ose ripërdoret dhe në fund të kompostojmë gjithçka që mbetet (mbeturina organike, fibra, lëvore vezësh, kartoni, etj.).

Andrijana Papiq Mançeva beson fuqimisht në forcën e individit dhe shton se nëse rritet ndërgjegjësimi për nevojën e zvogëlimit të mbeturinave komunale midis qytetarëve, kjo duhet të rrisë ndërgjegjësimin midis prodhuesve, por edhe midis krijuesve dhe vendimmarrësve. Ajo thekson se kohët e fundit Qyteti i Shkupit i refuzoi pothuajse të gjitha ndryshimet e iniciativës “Qytet human i gjelbër”, të cilat në një mënyrë ose në një tjetër, ajo i sheh si pjesë e konceptit të mbeturinave zero.

Ideali “shtëpia me zero mbeturina” është ideal i paarritshëm sepse ne jetojmë në një sistem të paqëndrueshëm. Por, është e mundur të zvogëlohet sasia e mbeturinave që dalin nga shtëpia,” përfundon Papiq Mançeva.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button