Dimitrov: BE-ja nuk mund të lejojë edhe një dështim në procesin e zgjerimit këtë vit

Portugalia do të jetë e interesuar t’i vazhdojë përpjekjet e Gjermanisë. Berlini ka deklaruar se mbetet i përkushtuar për këtë çështje dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë luksin dhe këtë vit, të kalojë ashtu siç bëri në vitin 2020, me dështimin e zgjerimit, tha zëvendës Kryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, në një intervistë për MIA-n, njofton Portalb.mk.

“Procesi i pranimit është mjet për evropianizim. Megjithatë, neve askush nuk na i lidh duart që të punojmë në evropianizimin, nëse nuk kemi më qasje në procesin e anëtarësimit. Mendoj se sa më shumë që të punojmë në shtëpi, aq më i fortë do të jetë pozicioni ynë në drejtim të fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian,” tha Dimitrov.

I pyetur nëse pret përparim në bisedimet me Bullgarinë pas zgjedhjeve të që janë paraparë të zhvillohen në mars, Dimitrov tha se çështjet e ndjeshme politike, më vështirë zgjidhen në kohë parazgjedhore dhe fushatë.

“Nëse nuk gaboj, mandati i Parlamentit bullgar përfundon më 26 mars dhe nga 26 marsi, zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen brenda 60 ditësh. Fakt është se çështjet e ndjeshme politike janë më të vështira për t’u zgjidhur në kohë parazgjedhore. Disa forca politike bullgare mund të dëshirojnë ta përdorin këtë çështje në fushatë. Dhe nuk mendoj se do të ndihmohemi nëse hyjmë në atë histori. Unë mendoj se është koha të pushojmë nga ky problem dhe praktikisht nga Bullgaria. Mendoj se është koha, energjia, koha që nuk e kemi të pafundme, është e kufizuar, që të investojmë në rregullimin e oborrit tonë. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndërpresim bisedimet me Bullgarinë, nuk kemi nga çfarë të ikim, treguam pozicione të qarta dhe jemi të pastër si kristali, por mendoj se fokusi duhet të jetë në shtëpi. Sapo të mbarojnë zgjedhjet, të shohim, të jemi të gatshëm, që të hyjmë në atë proces, t’i bindim se ajo që Bullgaria bëri kur ishte kryesuese e BE-së, ktheu zgjerimin në listën e prioriteteve të Bashkimit Evropian, nuk korrespondon me atë që po na bën tani”, deklaroi Dimitrov.

Ndoshta disa vende kanë interes më të madh, ndoshta disa vende kanë më pak interes, por për ne kishte 26 shtete anëtare që donin të fillonin negociatat. Disa më shumë, disa më pak, por askush nuk e mbështeti veton e Bullgarisë, tha Dimitrov.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë viti 2020 shihej më shumë optimist për eurointegrimet, pasi BE-ja kryesohej nga Gjermania, e cila dukej shumë e përkushtuar për zgjerimin e BE-së dhe fillim të negociatave me Maqedoninë. Përpjekjet për “bindur” Bullgarinë ranë në ujë dhe procesi integrues është shtyrë për vitin 2021. Ndërkohë gjysma e parë e vitit 2021 është nën presidencën portugeze, e cila karakterizohet si me më pak interes për zgjerimin, kurse Bullgaria ka zgjedhje në mars, kështu që me gjasë vendimi pritet të shtyhet deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, gjë që shkakton shqetësim te shumica e vendeve anëtare lidhur me mirëmbajtjen e kursit të reformës në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button