THEMELI I KOMBIT

Gazeta e parë e Shqipërisë së Ismail Qemalit – organi  për me mbrojtur të drejtat kombëtare qe Përlindja e Shqipëniës, që u botua në Vlorë dy herë në javë, nga gushti i vitit 1913 gjer në mars të vitit 1914, nën drejtimin e Dhimitër Berattit. Ajo u shfaq në vitet më të rrëmujshme të shtetit të posamëvetësuar, ndaj i ra hise të përpiqet të bashkojë shqiptarët e përçarë si mos më keq dhe ta mbrojë Shqipërinë nga rreziqet reale që mund ta zhbënin nga harta e botës. Shkrimet e saj ishin kryesisht të natyrës politike, shoqërore e kulturore dhe kishin të bëjnë jo vetëm me ngjarjet e bujshme në Shqipëri, po edhe me intrigat e politikave hegjemoniste të fqinjëve nëpërka, të mbështetura nga fuqitë evropiane, që lidheshin me çështjen dhe fatin tonë. Dëshmi për këtë janë titujt e lajmeve të shkurtëra, që, të paktën për njohësit e kësaj periudhe historike,  s’kanë nevojë për komente plotësuese. Ja disa prej tyre:

  • Çashtja e ngatresave turke në Shqipënië,
  • Çashtja shqipëtare ndër marrëdhanjet t’Austro-Hungaries,
  • Si u përgjigjemi Grekëve,
  • Bullgaria pregatitet për një luftë të reë,
  • Sërbët po sërbëzojnë Shqipëtarët e Kosovës,
  • Një lidhjë turko-bullgare…

Në mesin e gazetarëve të Përlindjes së Shqipëniës që dalloheshin me shkrimet analitike për çështje shumë të rëndësishme për  të ardhmen e Shqipërisë hasen dhe emra krijuesish e publicistësh të njohur, si: Luigj Gurakuqi, Kristo Floqi, Mihal Grameno, Midhat Frashëri, Jashar Erebara etj.

Po e veçoj me këtë rast për lexuesit e PortAlb-it artikullin domethënës të Mihal Gramenos me titull: Arësimi  në Shqipëri, nga i cili mund të marrim mësime të rëndësishme edhe sot e gjithë ditën. Shkrimin në fjalë Ai e nis me gëzimin që shkaktoi në popull urdhëri i ministrit të arsimit për çeljen e shkollave fillore në vjeshtën e vitit 1913, të detyrueshme për gjithë fëmijët e Shqipërisë. Sipas Gramenos: Dega më e fortë e qytetërimit për një komb, qendron te arësimi i fëmijës t’atij kombi të cilët janë të gjithë shpresa e pritmjes. Nga arësimi që do të marën të rinjtë do të lulëzohet edhe qytetërohet Shqipëria e të rynjë në rugë të kombevet e qytetëruarë…

Në vijim Grameno shkruan se shqiptarët janë racë e zgjuar, po zgjuarësia pa shkollë nuk është kurgjë, sepse vetëm dituria e naltëson njeriun dhe kombin. Për këtë shkak pritjet nga Ministria e arsimit ishin të mëdha. Për arsimin lidheshin shpresat e përparimit të shqiptarëve të lënë në terrin e prapambetjes nga pushtuesit shekullorë.

Natyrisht, problemet që duhej tejkaluar gjer në ngritjen e shkollave cilësore ishin të shumta dhe nisnin nga mungesa e mësuesve. Por, ministria kishte hapur ndërkohë shkolla normale, në të cilat do të shkolloheshin pishtarët e arsimit shqip, të cilët fillimisht do të beheshin mësues pas kurseve intensive disamujore, për të vazhduar pastaj profesionalizimin në muajt e pushimeve verore, gjersa të merrnin diplomat e merituara. Rrugë tjetër nuk kishte, prandaj kërkohej edhe ndihma e menjëhershme e atdhetarëve të ditur, që do ta përshpejtonte ëndrrën e madhe për të ngritur në këmbë të shëndosha shkollën shqipe, të konsideruar me të drejtë themel të kombit, nga e cila do të dilnin kuadro të aftë të të gjitha fushave të jetës.

Në mbyllje të artikullit të tij, Mihal Grameno shpreh bindjen se tani e tutje shqiptarët do t’i çojnë fëmijët në shkollat kombëtare me mësim në gjuhën shqipe dhe me mësues shqiptarë. Ai, para110 vitesh, e kishte të qartë se një komb i qytetëruar nuk ua lë edukimin e fëmijëve të huajve për të bërë prej tyre jeniçerë shpirtshpëlarë nga tiparet e kush-jamit. Pikërisht me këtë paragraf largpamës të Gramenos po e mbyll dhe kolumnën që jeni duke lexuar: Sa për shkollat ë veçanta Zoti Ministri dha qarkoren në të cilën tregon se duhet të marin leje së pari e të shtrohen kanuneve të Shtetit, duke patur gjuhën shqipe për gjuhë mësimi, dhe diplomat e librat të shkojnë nën vështrim të Ministrisë. Kështu Shteti i ri Shqipëtar tregohet i lirë duke dhënë leje edhe shkollavet të veçanta të cilat pa dyshim do të mos bëhen veglat e të huajvet për të çkombësuar Shqipëtarët, po për t’i ndrituar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button