Gjykata e Drejtësisë e BE-së – e prerë  për pavarësinë e gjyqësorit

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Më shumë se dy vjet më parë në të ashtuquajturën skrining shpjegues Komisioni Evropian ia paraqiti Maqedonisë kërkesat e legjislacionit të BE mbi pavarësinë e gjyqësorit. Në atë pasqyrë, kishte pak nga ajo që quhet e drejta “e fortë” madje edhe “e butë” i Unionit. Këto ishin kryesisht dispozita të reja të futura në të drejtën primare nën Traktatin e Lisbonës (2007, në fuqi që nga viti 2009), pastaj një çështje gjyqësore dhe shumë më tepër standarde ndërkombëtare. Sot prezantimi do të ishte dukshëm i ndryshëm – natyrisht të paktën në pjesën e praktikës gjyqësore, por edhe në pjesën e të ashtuquajturës “e drejta e butë” i Unionit.

Komisioni Evropian ka nisur një seri veprimesh kundër Polonisë në lidhje me “reformat e saj gjyqësore”, të cilat sipas KE-së, e shkel parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Për dy tashmë ka aktgjykime nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së, ndërsa një lëndë tjetër gjyqësore është në proces e sipër për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve (për të cilën tashmë ka një urdhër për masa të përkohshme), ndërsa një procedurë e kundërvajtjes është ngritur në Komision për ligjin e ri polak për gjykatat nga ky vit.

Dy vendimet e miratuara në fund të vitit 2019 janë përfshirë tashmë në të ashtuquajturat “vendime referuese” (“landmark” të kësaj gjykate. Shkurtimisht, Gjykata vendosi që me pensionimin (me ligj) të mandateve të gjyqtarëve në Poloni para skadimit të mandatit të tyre të mëparshëm, si dhe e drejta e Presidentit për të zgjatur mandatin e disa gjykatësve përbën shkelje të së drejtës së Unionit. Është shkelje konkrete e nenit 19, paragrafi 1, nën-paragrafi 2 i Marrëveshjes së Bashkimit Evropian (i shtuar nga Marrëveshjen e Lisbonës). Në këtë nen thuhet: “Shtetet Anëtare duhet të sigurojnë mjete të mjaftueshme ligjore për të siguruar mbrojtje efektive juridike në fushat e mbuluara nga ligji i Unionit”. Dhe sikur të lexohej vetëm kjo dispozitë, nuk do të ishte shumë e qartë përse këto aktgjykime konsiderohen jashtëzakonisht të rëndësishme. Sipas sqarimit të Gjykatës, “mbrojtje juridike efektive” nuk mund të sigurojnë gjykata të cilat nuk janë të pavarura, që në anën tjetër garantohet me nenin 47 të Kartës për të drejtat themelore, që ka të bëjë me të drejtën për mjete juridike efektive dhe gjykim të drejtë. Dhe në fund, këto të drejta ndërlidhehn me mbrojtjen e vlerave themelore të Bashkimit të garantuara me nenin 2 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, duke përfshirë barazinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Vlera e shtuar e dy aktgjykimeve “referente” të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian është se vendet anëtare janë përgjegjëse për respektimin e parimit të pavarësisë së gjyqësorit.

E tani – çfarë është kaq domethënëse apo e rëndësishme për ne këtu?

Së pari, pretendimi se disa standarde të ndryshme ose më të rrepta për pavarësinë e gjyqësorit u imponohen vendeve kandidate sesa ato të BE thjeshtë nuk kanë kurrfarë baze.

Për më tepër, standardet ndërkombëtare – ato për pavarësinë e gjyqësorit që krijohen nën kujdesin e organizatave ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, duke përfshirë Komisionin e Venedikut dhe të tjerët, si dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – nuk janë parime të distancuara dhe të izoluara nga BE. Në fakt e kundërta është e dukshme në komunikatat e Komisionit për sundimin e ligjit të vitit 2019 (dokumente që janë klasifikuar si e ashtuquajtura “e drejta e butë” e Unionit). Veç kësaj, nëse rishikohen vetëm shpjegimet e propozimeve, pa një analizë më të hollësishme, të Komisionit Evropian për çështjet e përmendura më lart, do të shihet se Komisioni mbështetet shumë në mendimet e një numri organesh nën kujdesin e organizatave ndërkombëtare të krijuara pikërisht për të ndërtuar dhe zbatuar standardet në këtë fushë (Kombet e Bashkuara – përfaqësuesi special për pavarësinë e gjyqtarëve dhe avokatëve, Komisioni i Venedikut, Këshilli konsultativ gjyqtarëve evropianë, etj.), si dhe të organizatave joqeveritare.

Dhe përsëri – pse dhe si është e rëndësishme kjo për ne, veçanërisht në një kohë kur ekziston një rrezik serioz i zvogëlimit të çdo motivimi për të zbatuar standardet e lidhura me BE. Thjesht – këto janë detyrimet tona kushtetuese. Dhe nuk është keq të përkujtojmë se jemi pjesë e këtij rrjeti më të gjerë të sundimit të ligjit dhe atë shumë kohë më parë – menjëherë pas pavarësisë sonë. Nëse do të marrim pjesë në krijimin dhe zbatimin e standardeve vetëm ashtu “sa për të kaluar”, ose do të jemi të barabartë, edhe pse jemi të vegjël – varet nga ne.

E drejta e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare nuk përmbajnë receta për organizim të sistemit gjyqësor – secili vend vendos se çfarë lloj sistemi gjyqësor do të ketë. Megjithatë, ajo që kërkohet nga e drejta e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare është mbrojtja juridike efektive, e cila është e pamundur pa gjyqësor të pavarur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button