fbpx

Fragjiliteti i demokracisë

Demokracia nuk është një sistem i përsosur qeverisjeje, por është sistemi më i mirë i mundshëm për të qeverisur. Për fat të keq, mospërsosmëria e këtij sistemi shpesh ndodh që të ngrisë në pushtet njerëz të cilët nuk meritojnë të jenë udhëheqës e të cilët pastaj edhe një shtet me demokraci të zhvilluar e me përgjegjësi të mëdha në aspektin ndërkombëtar mund ta fusin në ujëra të rrezikshëm, me pasoja të tmershme jo vetëm për rregullin e brendshëm por edhe për paqen globale.

Pamjet e mbrëmshme nga ndërtesa e Kongresit Amerikan nuk kanë si të mos na e kujtojnë sulmin terrorist që e përjetuam ne në këtë shtet me 27 prill të vitit 2017. Sulmi i asaj dite të errët ndaj Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ishte sulm ndaj institucioneve demokratike dhe ndaj parimit bazë te dmokracisë: transferit paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Maqedonia e Veriut atë vit ishte duke dalë nga zgjedha e një pushteti totalitar djathtist pas një dekade të mundimshme, dhe duke qenë se bëhet fjalë për një demokraci të re dhe për një shtet që ka kaluar shumë turbulenca, ishte disi e pritshme që tensionet të ngrihen deri në atë masë sa të vihet deri në buzë të një lufte civile.

Por mbrëmja e kaluar, kur organi më i lartë ligjvënës në një demokraci të konsoliduar më tepër se dyqind vite më parë sulmohet në mënyrë të tillë nga njerëz të nxitur nga urrejtja, të cytur nga një kandidat që i ka humbur zgjedhjet presidenciale dhe nuk arrin të përballet me humbjen e tij, tregon më së miri se sa fragjile është demokracia, sa shpejt mund të përmbyset dhe sa pak duhet që një shtet i madhërishëm të përsojë dëm nga dekadenca e njerëzve të cilët erdhën në pushtet pikëprisht duke iu falenderuar atyre parimeve demokratike të votës së lirë, të lirisë së shprehjes dhe bindjes së lirë politike.

Vendi ku liria e shprehjes është e mbrojtur me Kushtetutë dhe konsiderohet e shenjtë, ku gjuha e urrejtjes nuk sanksionohet perveç nëse në mënyrë direkte kontribuon në kryerjen e akteve të dhunës, mbrëmë u detyrua ti bllokojë llogaritë në Twitter dhe në Facebook të njeriut i cili ende mban pozitën e Presidentit. Përfundimisht, pasi ndodhi sulmi ndaj institucionit më të lartë ligjvënës të shtetit më të fuqishëm në botë, e i cili sulm u nxit pikërisht nga liria e shprehjes së njeriut që në bazë të rregullave demokratike kishte pasur rastin të udhëheqë me atë vend të madh për katër vite, autoritetet e atjeshme e panë se jo gjithmonë liria e shprehjes arsyetohet, dhe jo gjithkush dhe në çdo kohë është i denjtë për ti gëzuar të gjitha privilegjet që ajo liri i jep. Përfundimisht arritën të kuptojnë që kur liria e shprehjes keqpërdoret pasojat mund të jenë të rënda dhe fatale.

Problemi kryesor me demokracinë është momenti i vendosjes së kufijve. Ku mbaron liria e shprehjes dhe ku fillon nxitja e urrejtjes? Ku saktësisht duhet vendosur vija e kuqe e dënimit? Deri kur mund të tolerohen veprimet e pallogaritshme të njeriut që është në krye të një shteti e që dukshëm është i dëmshëm jo vetëm për atë shtet por i rrezikshëm edhe për gjithë botën? Vendosja e këtyre kufijve në një demokraci liberale është tejet e vështirë, dhe është pikërisht ajo demokraci liberale që vuan pastaj nga mosvemndosja e tyre.

Udhëheqja e Trampit gjatë katër viteve të kaluara ka vendosur në pyetje rezistencën e institucioneve demokratike të një shteti të konsoliduar përballë qasjes totalitare të një njeriu të vetëm me shumë pushtet. Mbrëmja e kaluar ishte një test që tregoi edhe një herë fragjilitetin e demokracisë përballë forcës së urrejtjes. Duke qenë se djathtistë të cilët ndajnë të njejtat mendime me Trumpin janë në pushtet gjithandej nëpër Evropë dhe botë, është e qartë që presedane të tilla si ai i mbrëmshmi do të shohim shumë shpesh edhe në vende tjera. Fundja kur një incident paraqitet në forma shumë të ngjashme në një vend të vogël të Ballkanit i cili ende është shumë larg sundimit të ligjit dhe në një superfuqi botërore ku sundimi i ligjit meret si shembull në gjithë botën është shenjë e keqe se bota nuk shkon në drejtim të mirë, dhe se nëse forcat që vërtet besojnë tek parimet demokratike nuk arrijnë të bashkohen dhe të veprojnë në koordinim, ardhmëria e njerrëzimit mund të jetë më e errët se që është parashikuar ndonjëherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button