Pendarovski pas trazirave në ShBA: Dhuna nuk mund të jetë justifikim për minimin e demokracisë

Presidenti Stevo Pendarovski dënoi trazirat e djeshme në Uashington dhe ndërhyrjen në Kongresin e ShBA-së. Ai në profilin e tij në Facebook, shkroi se dhuna nuk mund të jetë justifikim për të minuar demokracinë, njofton Portalb.mk.

“Dhuna nuk mund të jetë justifikim për të minuar demokracinë. Sjellja e individëve nuk do të dëmtojë besimin në institucione. Ngushëllime dhe solidaritet me qytetarët amerikanë”, shkroi Pendarovski.

Nga ana tjetër kreu i BDI-së Ali Ahmeti dërgoi urime për konfirmimin e fitores së Joe Bidenit, i cili tha se pret mbështetje nga administrata e re e ShBA-së për Maqedoninë e Veriut për integrimin në BE.

Të dy dhomat e Kongresit Amerikan në seancë të përbashkët konfirmuan fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vullneti i popullit nuk mund të mohohet dhe sundimi i ligjit megjithatë ngadhnjen pa marrë parasysh sfidën e çastit ndaj demokracisë, shkroi Ahmeti në urimin për Bidenin.

Ndryshe, këto reagime vijnë pasi mbështetësit e Trump-it u futën në Kongresin amerikan gjatë ditës së mërkurë teksa ligjvënësit duhej të mblidheshin në një sesion të përbashkët të Kongresit që tradicionalisht është një rutinë e numërimit të votave të Kolegjit Zgjedhor.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihen forcat e sigurisë që shnjestrojnë me pistoleta teksa protestuesit përpiqeshin të futen në Dhomën e Përfaqësuesve ku duhej të bëhej numërimi i votave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button