Kongresi Amerikan u bastis për herë të parë që nga viti 1814
Ndërtesa e Kongresit për herë të fundit u vandalizua kur u pushtua Washingtoni gjatë luftës së bërë me britanikët mes viteve 1812-1814, vetëm 36 vite pasi SHBA fitoi pavarësinë, shkruan AA, tranmeton Portalb.mk.
Përderisa mbështetësit e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, organizuan protestë duke tejkaluar barrikadën e policisë dhe hynë në Kongres teksa po vazhdonte seanca ku pritej të numëroheshin votat e Kolegjit Zgjedhor dhe të zyrtarizohej rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit të vitit 2020; Kongresi Amerikan për herë të parë dëshmoi një përdorim të tillë të forcës që nga pushtimi britanik i vitit 1814.
Për shkak të incidenteve të papritura, në Kongres u ndërpre seanca e miratimit të votimit të Këshillit Zgjedhor për zgjedhjet presidenciale dhe u evakuuan në një vend të sigurt brenda ndërtesës anëtarët e Kongresit dhe zv/presidenti Mike Pence i cili kryesoi seancën.
Në mesin e protestuesve që arritën të hyjnë në sallat e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, u shfaqën imazhe të një personi që është me armë dhe mundohet të hyjë brenda.
Pushtohet për herë të parë jashtë gjendje së luftës
Kongresi Amerikan u pushtua për herë të parë jashtë gjendje së luftës.
Sipas informacionit në ueb faqen e Senatit Amerikan, ndërtesa e Kongresit për herë të fundit u vandalizua kur u pushtua Washingtoni gjatë luftës së bërë me britanikët mes viteve 1812-1814, vetëm 36 vite pasi SHBA fitoi pavarësinë.
Kur trupat pushtuese britanike marshuan në kryeqytetin Washington në 1814, ata i vunë flakën ndërtesës Capitol Hill, ku është vendosur Kongresi, Shtëpia e Bardhë, rezidenca e presidentit, si dhe monumentet e tjera në kryeqytet.
Në zjarrin që shpërtheu, të gjitha ndërtesat publike në kryeqytet u dogjën, ndërsa shiu e shpëtoi ndërtesën e Kongresit që të shndërrohej në hi.
Zjarri dëmtoi kryesisht krahun e Senatit, i cili ishte i mbuluar me dysheme prej druri dhe kishte librat dhe dorëshkrimet e Bibliotekës së Kongresit. Flakët kishin shndërruar shtyllat e mrekullueshme të mermerit të sallës së Senatit në gëlqere.
Presidenti i kohës, James Madison, vendosi që Kongresi përkohësisht të mblidhet në Hotelin Blodgett’s.
Pavarësisht se ndërtesa ishte e shkatërruar, aktiviteti ligjvënës vazhdoi pa pengesa.
Më pas Kongresi, në vitin 1819, përkohësisht u vendos në një ndërtesë me tulla, quajtur si “Brick Capitol”.
Përfundimisht, pas një projekti të madh ndërtimi, sallat e vjetra të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve u rindërtuan dhe Kongresi vazhdoi të shërbejë në të njëjtin vend.